BOLL ME PËRÇARJE!

Shqiptarët, si askush tjetër në Ballkan, i kanë kontribuar përgjatë shekujve, pavetëdijshëm dhe me ndërgjegje esëll, tkurrjes së qenies dhe territorit të tyre. Të paktën kështu thonë etërit e Rilindjes kombëtare që e ngjallën nga hiri vetëdijen kolektive për rëndësinë e njësisë së gjuhës, gjakut dhe shtetit shqiptar, që flijuan gjithçka për të mirën e përgjithshme, që nuk e shitën Shqiptarinë për çifliqe, siç ndodh sot, po e bënë të kundërtën.

Për sindromin e kacafytjeve të pandalshme ndërshqiptare dhe shfrytëzimin e mendësisë fisnore nga ana e pushtuesve të lloj-llojshëm barbarë kanë shkruar edhe kronikanët e huaj. Njëri prej tyre është murgu frëng Brokardus Monakus, i cili në shënimet e vitit 1332, përveç tjerash, ka përmendur edhe gjaknxehtësinë dhe naivitetin tonë të shpërfaqur ngushticave të historisë. Ngjashëm na kanë portretuar edhe shumë të tjerë, po kjo është temë për një shkrim të veçantë…

Kuptohet, po të mos lëngonim akoma nga ky ilet, sigurisht që prologu i kësaj kolumneje do të dukej ndryshe, por, fati keq, ne jemi zgjatimi i veseve të së shkuarës gri, ndaj duhet kumtuar qartë diagnoza, pavarësisht prirjes sonë për t’i zbukuruar realitetet, që, me përjashtimet e pakta, nuk e mundin dot dukurinë oqean të së keqes. Kjo është arsyeja përse imazhi ynë është kaq i pandryshueshëm, kaq i njësuar me fytyrën e zymtë të shekujve pararendës.

Nuk e di për të tjerët, po për vete e kam të qartë se cilido subjekt i vetmuar politik shqiptar që do të gjendet në pushtetet e ardhshme të këtij vendi qeshit, do të përballet me realitetin e hidhur të pamundësisë së ndryshimit të gjërave ashtu siç do t’ua premtojë zgjedhësve, sepse do të jetë hallka më e dobët kuvendit dhe qeverisë; sepse do të përballet me demokracinë e gishtave të shumicës që e duan vetëm indianin e vdekur; sepse nuk do t’ia dalin paqësisht t’i ndryshojnë nenet diskriminuese të kushtetutës me shtresa të pafundme ndërtekstuale dhe me mundësi të shumta interpretimi, si puna e një vepreje letrare metaforike; sepse do t’ia shterrin zërin kacagjelimet e ashpra brenda llojit; sepse, në këso konditash, do ta gozhdojnë pashmangshëm vetë zgjedhësit, që, në një moment ekzaltimi të verbër, do t’i hypin në pushtet me hosanna!, për t’i kllumur mëpas në baltëra si derbederët e Nolit.

Ata që nuk e besojnë teorinë time le t’ma thonë emrin e një lideri shqiptar, të cilin nuk e kemi zgjedhur t’na prijë si kryeatdhetar dhe nuk e kemi përcjellur nga politika si Ballaban Bader a Esad Pashë?

Ja pra përse mbetem dyshues për të ardhmen e ndritshme dhe përse tejkalimin e kësaj gjendjeje nuk e shoh në përçarjet tona dhe në koalicionet e ardhshme të subjekteve politike shqiptare me zaevët dhe nikollët, hundët e të cilëve do të mbeten përpjetë gjersa të ballafaqohen me zërin e vetëm shqiptar, i cili do të bëjë politikë dhe do të realizojë programe partiake, vetëm pasi ta ketë gjetur formulën e pajtimit të shqiptarëve për mosshkeljen e vijës së kuqe përtej së cilës mund të ketë vetëm dallavere; vetëm pasi ta ketë fituar betejën për statusin tonë si etni mirëfilli shtetformuese; vetëm kur të drejtat tona legjitime qytetare dhe etnike të mos varen prej qejfeve, kapricjeve, inateve dhe urrejtjeve patologjike të tjetrit.

Prandaj apeloj: boll me perçarje!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button