Maqedoni, fund i demokracisë apo pazare partiake politike?

VMRO-DPMNE ka vendosur të shkojë në zgjedhje në moment kur të njëjtat po bojkotohen nga gjitha partitë shqiptare dhe partitë maqedonase në opozitë. Të njëjtat po kontestohen edhe nga faktori ndërkombëtarë, e cila nga sot u përforcua me ardhjen e përfaqësuesit special Johanes Hajndëll.

Mundësia për tu mbajtur zgjedhjet me një parti politike ka hapur shumë pyetje juridiko- politike. Rast i këtillë nuk i ka ndodhur Maqedonisë që nga formimi i saj.

Po shkelen vlerat demokratike

Sipas profesorit universitar- ekspertit juridik Osman Kadriu, KSHZ në këtë rast duhet të konstaton se nuk ka kushte për zgjedhje dhe se në këtë rast nuk mund të zhvillohet procesi zgjedhor me një parti politike.

“Kushtetuta në dispozitat e Nenit 8 garanton vlerat më të rëndësishme të rendit kushtetues të Maqedonisë, prej atyre vlerave do të përmend dy më me rëndësi që lidhen me zgjedhjet: përfaqësimi adekuat dhe i drejtë dhe funksionimi i shtetit shumëpartiak. Tani nëse këto zgjedhje mbahen  vetëm me një parti politike në fitojmë një parlament një partiak dhe një nacional. Prandaj KSHZ duhet ta dijë se është përgjegjëse për verifikimin e listave. Prandaj nga ky këndvështrim KSHZ nuk duhet të verifikojë listat dhe të lejojë të ketë zgjedhje. Të gjitha strukturat politike duhet ta dinë se nuk mund të funksionojë shteti me parlament pa shqiptarë, një qeveri pa shqiptarë dhe institucione pa shqiptarë. Në qoftë se kjo ndodh do të jetë fundi i shpartallimit të Maqedonisë”, ka sqaruar për Portalb Kadriu.

VMRO-DPMNE insistimin për zgjedhje po e përdor për “pazare politike”

Gazetari Naser Selmani, njohës i çështjeve politike, vlerëson se VMRO-DPMNE e ka shumë të qartë se zgjedhje me 5 qershor nuk do të ketë. Sipas tij, zgjedhje pa LSDM dhe partitë shqiptare, nënshkruese të marrëveshjes së Përzhinos, nuk mund të mbahen.

“Tërheqja e anëtarëve të KSHZ nga partitë shqiptare e pamundëson teknikisht organizimin e zgjedhjeve. Lojën me dorëzimin e listës së kandidatëve VMRO-DPMNE e bënë për nevoja të brendshme partiake. E para atyre ju duhet fajtor kujdestar për dështimin e zgjedhjeve dhe e dyta për ta përdorur listat si argument për pazare politike në bisedimet e ardhshme. Gruevski ka nevojë që para anëtarëve dhe simpatizantëve të vet të dëshmojë se ka bërë të pamundurën që zgjedhjet të mbahen me 5 qershor, ndërsa fajin për shtyrjen e zgjedhjeve do ta hedhë mbi LSDM dhe partitë shqiptare. Ai është njeri i papërgjegjshëm dhe asnjëherë nuk do të pranojë asnjë faj për dështimet e tij politike. Mendoj se koha kur Gruevski dikton rregullat e lojës ka përfunduar”, deklaroi për Portalb Selmani.

Selmani rekomandon që partitë shqiptare nuk duhet të lejojnë që të bëhen kompromise joparimore, kinse për të motivuar VMRO-DPMNE për të pranuar shtyrjen e re të datës së zgjedhjeve, tërheqjen e abolimit të presidentit dhe formimit të qeverisë se re, të cilën do ta votonin të gjitha partitë nënshkruese të marrëveshjes së Përzhinos.

Analisti Xhelal Neziri mendon se është një bllof politik i VMRO-DPMNE-së për të siguruar pozicione më të favorshme në procesin negociues.

“Kjo parti është e vetëdijshme se pa pjesëmarrjen e faktorëve relevantë politik në një proces zgjedhor, i njëjti jo vetëm që nuk është legjitim por në pikëpyetje do të vë edhe aspektin legal. Mendoj se qëllimi i VMRO-DPMNE-së është të krijojë moment në negociata ku zgjedhjet t’i anulojë nëse mbeten faljet e presidentit. Në rast se zgjedhjet e njëpartiake të 5 qershorit do të mbaheshin, atëherë nuk do të pranoheshin as brenda e as në arenën ndërkombëtare, gjë që rezultonte me përplasje serioze për sigurinë e vendit”, deklaroi për Portalb Neziri.

Sfidat e KSHZ- së për të organizuar zgjedhje me një parti

Sipas Subhi Jakupit nga KSHZ, rreth organizimit të zgjedhjeve, në aspekt teknik nuk do të ketë probleme, por në aspekt politik është problem shumë i rëndë, duke pas parasysh mospjesëmarrjen e partive shqiptare dhe opozitës maqedonase.

“Unë jam tanimë 10 vite këtu, deri tani nuk ka ndodhur një rast i këtillë. Maqedonia veçmë është në ngërç politik. Në aspektin formalo-juridik mund të jenë legale, por jo edhe të jenë legjitime. KSHZ do ta bëje punën e vet, por nga aspekti politik paraqet një ngërç politik. Në demokraci nëpërmjet partive politike organizohen çështjet- e funksionimit të sistemit. Megjithatë, kjo kërkon legjitimitet të plotë, duke i plotësuar standardet demokratike. Në këtë rast do të jetë shumë e vështirë të pranohet legjitimiteti politik. Kurse, legjitimiteti juridik është në rregull”, sqaroi për Portalb Jakupi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button