OEMVP përmbyll Karvanin në Dibër

Me takimin sot me bizneset e Dibrës, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore e përmbylli Karvanin e saj, gjatë të cilit në periudhën Prill – Maj 2016 vizitoi bizneset në qytetet e ndryshme të Maqedonisë (Kumanovë, Tetovë, Shkup, Gostivar, Kërçovë, Strugë dhe Manastir) dhe nga afër u njoh me problemet me të cilat anëtarët e saj ballafaqohen gjatë punës.

Në këto takime, para më shumë se 150 bizneseve nga ana e Drejtorit Ekzekutiv z.Fatmir Bytyqit u prezantuan aktivitetet e Odës, përfshirë këtu raportin vjetor 2015 dhe atë financiar, portfolion e shërbimeve të cilat i ofrojmë, ndër të tjera edhe mundësitë për përfaqësim para institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare, si dhe artikulimin  e interesave apo nevojave të bizneseve anëtare. Para bizneseve u prezantuan edhe publikimet e reja të Odës, informatori ligjor Juris, ai ekonomik Economicus dhe informatori mbi mundësitë e ndryshme të financimit Dobia.

Oda çdo vjet organizon dhe do të vazhdojë me Karvanin e saj, duke u takuar me kompanitë për të diskutuar bashkë mundësitë për zgjedhjen e problemeve që i shqetësojnë bizneset e Dibrës, siç janë problemet me infrastrukturën rrugore në vendet rurale dhe mos ndërmarrja e aktiviteteve për ndërtimin e rrugës së Arbërit dhe mungesa e një terminali doganor. Problemet me deponitë e egra dhe me shërbimet që kanë të bëjnë me furnizimin me rrymë elektrike të objekteve afariste dhe procedurat e gjata burokratike në institucionet janë probleme që veçuan bizneset e rajonit të Gostivarit dhe Tetovës.

Ajo për të cilën kompanitë e Kërçovës  shprehën shqetësim është politika diskriminuese ndaj investitorëve vendas, ku favorizohen ato të huajt, duke përmendur edhe problemin aktual që kanë me ikjen e fuqisë së re punëtore jashtë vendit, problem ky i pranishëm edhe në rajonin e Manastirit dhe Strugës, gjë e cila ndikon edhe në stabilitetin e bizneseve të vogla, të cilat veç se e kanë të vështirë funksionimin duke marrë parasysh gjobat e mëdha nga ana e institucioneve shtetërore.

Kryetari i OEMVP-së Nebi Hoxha, në të gjitha takimet theksoi angazhimin e tij  në përpjekjet e vazhdueshme për lehtësimin e klimës së biznesit dhe bashkë diskutuan idetë  se si të rritet më tej bashkëpunimi dhe mbështetja për këto biznese.

Sfidat me të cilat ballafaqohen bizneset janë të shumta, dhe nëse marrim parasysh edhe ambientin afarist në Maqedoni i cili nuk krijon kushte të mira për biznes, funksionimi i biznesit bëhet edhe më i vështirë.  Pëveç për shërbimet e reja të OEMVP-së që janë nga ky vit, bizneset anëtare por edhe mbi 70 biznese joanëtare, gjatë takimeve u informuan  mbi mundësitë e ndryshme të shfrytëzimit të fondeve alternative në formë të granteve të pakthyeshme  dhe mundësive tjera të financimit, gjë për të cilën kompanitë e Dibrës cekën se kanë mungesë në qasjen ndaj informatave.

Oda synon të promovojë klimë pozitive të biznesit, duke mbrojtur interesat e tij në përgjithësi, me theks të veçantë në bizneset e reja dhe ato të udhëhequra nga gratë. Ndaj në këto takime, kryetarja e Grupacionit të Grave Afariste pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Gëzime Fejzi, ka prezantuar gjithashtu aktivitetet dhe planet e Grupacionit, si dhe mundësitë tjera të përforcimit të pozitës së gruas në biznes dhe përkrahjes së sipërmarrësisë së gruas në përgjithësi.

OEMVP këtë vit përmbylli Karvanin e saj të pestë me radhë, dhe do vazhdojë çdo vit të vizitojë anëtarët që të sheh nga afër problemet me të cilat ballafaqohen dhe mundësitë e ndryshme për të ndihmuar ato.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button