PSP rreth 6 orë merr në pyetje të dënuarin për vrasjen e Martin Neshkovskit

Igor Spasov, i dënuari për vrasjen e Martin Neshkovskit, sot rreth 6 orë është marrë në pyetje nga prokurorët e Prokurorisë Speciale, njofton Portalb.

Prokurorja, Lençe Ristovska për Portalb, konfirmoi se personi në fjalë sot është marrë në pyetje, megjithatë e njëjta ka deklaruar se nuk do ta komentojnë pasi që bëhet fjalë për procedurë parahetimore dhe është e fshehtë.

“Është procedurë parahetimore dhe e fshehtë, tani për tani nuk do ta komentojmë dhe nuk do të dalim me ndonjë njoftim”, shkurt tha për Portalb, Ristovska.

Përndryshe, Spasov sot që në mëngjes me përforcim të sigurimit policor është sjellë në objektin e PSP-së, nga burgu i Idrizovës ku e vuan dënimin për vrasjen e Martin Neshkovskit. Paraprakisht, PSP edhe dy herë e ka marrë në pyetje personin në fjalë, megjithatë PSP vetëm ka konfirmuar se është marrë në pyetje duke mos dhënë sqarime.

Martin Neshkovski u vra në vitin 2011 gjatë festimit të fitores së VMRO DPMNE-së në zgjedhjet parlamentare në qendër të Shkupit.

MBP e udhëhequr nga ish ministrja Gordana Jankullovska, sipas përgjimeve të publikuara nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, u mundua ta fshehë vrasjen dhe faktin që atë e ka kryer një polic në detyrë zyrtare.

Vrasja e tij shkaktoi shumë mllef te qytetarët të cilët protestuan kundër dhunës policore, një muaj rresht në 2011-tën si dhe në mënyrë sporadike vitet më pas.

Së fundmi edhe Lëvizja Civile, “#Protestoj” me rastin e publikimit të “bombës” nga Zaev, në lidhje me vrasjen e Neshkovskit ka mbajtur një protestë në të cilën qytetarët shprehën revoltën, duke i ngjyrosur me ngjyrë të kuqe që simbolizon gjakun e Neshkovskit, vendin ku u vra – sheshi “Maqedonia”, fotografitë e ish kryeministrit Nikolla Gruevski dhe ish ministres së MPB-së, Gordana Jankulloska.

LEXO: “Bomba” 29: Kur policia vret dhe hesht! (VIDEO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button