Një muaj nga vendimi i Ivanovit, protestat dhe reagimet ende vazhdojnë

Kanë kaluar plot një muaj prej kur, presidenti i shtetit Gjorge Ivanov, vendosi që t’i falë 56 politikanë dhe bashkëpunëtorë të tyre të cilët janë nën hetime, por edhe pas shumë protestave dhe reagimeve ky vendim ende është në fuqi, shkruan Portalb.

Në mesin e të falurve nga Ivanov, sipas publikimit të vendimit në “Gazetën Zyrtare”, më 13 prill, janë: kryetari i VMRO-DPMNE-së dhe ish kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, ish ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, ish ministri i Transportit dhe Lidhjes, Mile Janakieski, Martin Protugjer, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, Zoran Verushevski, Branko Crvenkovski, ish shefi i sigurimit të Gruevskit, Dejan Mitrovski-Urko, ish shefi i Drejtorisë së Pestë në DSK, Goran Grujoski,  lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, anëtari i KSHZ-së nga radët e PDSH Bedredin Ibraimi.

Kundër këtij vendimi pati reagime si nga faktori i brendshëm, por edhe nga ai ndërkombëtarë që kryesisht u cilësua si vendim skandaloz.

BE dhe SHBA

Lexoni reagimet e faktorit ndërkombëtar për vendimin e presidentit Ivanov

Përpjekjet për tërheqjen e këtij vendimi ende s’janë ndalur. BE dhe SHBA, vazhdimisht kanë sugjeruar për ta tërhequr vendimin e tij, pasi që sipas tyre, ky vendim e pengon rrugën drejt eurointegrimeve. Njëkohësisht ata kanë kërkuar që Prokuroria Speciale të vazhdojë me punë dhe të njëjtës t’i jepet përkrahje.Partitë opozitare në Maqedoni, si nga blloku maqedonas, por edhe nga ai shqiptar kanë shprehur shqetësimin e tyre, duke vlerësuar se ky vendim ka për qëllim që ta pengojë punën e Prokurorisë Speciale, por edhe që t’i lirojë siç thonë ata kriminelët.Pas këtij vendimi, LSDM deklaroi se me këtë akt është “varrosur” Marrëveshja e Përzhinos, BDI e vlerësoi si hap të “pamatur”, PDSH si të “kotë”, ndërkaq VMRO-DPMNE ka vlerësuar si ky vendim “nuk është në pajtueshmëri me angazhimet” e partisë së tyre, transmeton Portalb.

Gjorge Ivanov

Protestat kundër vendimit të Ivanovit

Shoqëria Civile nga ana tjetër ka një muaj që po proteston në rrugë. Ata janë të organizuar nëpërmjet Lëvizjes Civile “#Protestoj” dhe tradicionalisht çdo ditë, përveç të dielave, në ora 18:00 shkojnë te godina e PSP-së për t’i dhënë mbështetje këtij institucioni, ndërkaq pastaj vazhdojnë nëpër institucione tjera që sipas agjendës, ashtu siç është emëruar protesta “Revolucioni Laraman”, të njëjtët i ngjyrosin objektet e ndryshme që janë prodhimtari apo në funksion të këtij shteti.

Kundër këtyre protestave, Lëvizja Civile për Mbrojtjen e Maqedonisë (GDOM) e cila është e afërt me partinë në pushtet VMRO-DPMNE, ka dalë në kundër-protesta duke vlerësuar se vendimi i Ivanovit është legjitim dhe ai atë e ka bërë për ta qetësuar situatën, ndërkaq sipas tyre, opozita po krijon tensione me protesta duke dashur t’u ikë zgjedhjeve të 5 qershorit.

A do të ketë zgjidhje të krizës politike apo jo? Këtë ngelim ta shohim, pasi që sot ka arritur i dërguari special gjerman për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni, Johanes Hajndëll, i cili ka paralajmëruar se do të ketë takime me katër liderët e partive nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos.

Megjithatë, për VMRO-DPMNE-në, 5 qershori është ditë e zgjedhjeve dhe ata tanimë i kanë dorëzuar listat me kandidatë të deputetëve, ndërkaq për LSDM-në, BDI-në dhe PDSH-në, jo datë nuk ka ndonjë rëndësi të madhe pasi që të njëjtat, zgjedhjet do t’i bojkotojnë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button