Emëruesi i përbashkët i të qenurit shqiptar

Për të zbuluar të vërtetat e mëdha, shpeshherë duhet analizuar temat deri në detajet më të vogla. Deduksioni është dicka që funksionon në shkencë, por vështirë se mund të inkorporohet në tema antropologjike. Që të kuptosh një popull, mënyrën se si ai vepron dhe reagon, arsyet për këto veprime dhe reagime, duhet menduar në një nivel tjetër. Nuk mund të përgjithësohet asgjë, sepse populli është i përbërë nga individë të cilët kanë karakteristikat e vecanta të tyre dhe një formulë matematikore gjithëpërfshirëse do të ishte e pamundur për të definuar këtë analizë; nuk mund të bëhet për shqiptarët, e lëre më për popuj shumë më të mëdhenj. Ajo që mund të bëhet, për të kuptuar esencën e një kombi duke analizuar veprimet, reagimet dhe përshtatjet e tij brenda situatave dhe konturave politike është të mundohesh të gjesh një emërues të përbashkët për këto veprime, reagime dhe përshtatje e cila në esencë pastaj mund të aplikohet për pjesën më të madhe të individëve që e përbëjnë atë popull. Premisa e parë me të cilën duhet nisur analiza, është që ndërgjegja kolektive është dicka reale, megjithëse shkencërisht e pavërtetueshme. Ajo që të bën të bindesh në këtë premisë është dija që secili kolektiv, rrjedhimisht secili popull ka të shkruar në gjenetikën e tij një të kaluar të përbashkët, e cila ka definuar jo vetëm rolin e tij në histori por edhe ka definuar edhe mënyrën se si ai popull mendon, vepron dhe ju përshtatet (apo nuk ju përshtatet konturave historike, megjithëse popujt e këtillë janë bërë pjesë e historisë duke qenë se për ta flitet si popuj të vdekur). Premisa e dytë poashtu e realizueshme, është që secili individ ka të veshur në kodin e tij gjenetik këtë të kaluar, historinë e bashkëkombasve të tij. Ky kod gjenetik rrjedh si pasojë e trashëgimisë kulturore e transmetuar në secilin individ nga familja dhe fisi në rradhë të parë dhe për një kohë më të gjatë, duke patur parasysh mungesën e gjatë historike të institucioneve shtetërore, dhe më vonë edhe pikërisht nga këto institucione të krijuara si rrjedhojë e pasjes së shtetit.

Duhet marrë parasysh që ekziston edhe një premisë e tretë e cila me gjeneratat e fundit ka krijuar një diverzitet përbrenda këtij kodi të implantuar në ne që nga fillimi i kohës. Dhe kjo është ideja që jemi popull i ashtuquajtur perëndimor, që ka vlera dhe aspirata për t’u “perëndimizuar” akoma më shumë. Është kjo një gjendje që ka shkaktuar jo pak konfuzion përbrenda shqiptarisë. Ka dy elemente bazë të këtij konfuzioni. I pari është dimensioni politik i cili tenton që popullin shqiptar ta distancojë nga origjina e tij kulturore lindore duke ia mveshur, për arsye politike dhe ekonomike një petk të oksidentalizmit. Ide e nisur që nga koha e rilindasve, që ka marrë kuptim të plotë në këtë kohë të globalizimit dhe të definimit të të mirëve dhe të të këqijve në bazë të proveniencës së tyre kulturore: lindore apo perëndimore. Dimensioni i dytë, është ai reaksionar që merr formën e një radikalizmi në idetë lindore, që thirren në forcën e fesë (qoftë islame, qoftë krishtere lindore) dhe e cila, si reaksion radikal bën më shumë  dëm vetvetes sesa dëm oksidentalizmit modern shqiptar.

E vërteta lidhur me këtë, si shpeshherë qëndron në mes. Gjenetika jonë kulturore është dominuar nga kultura lindore. Si popull i lashtë nuk mund të jemi ndryshe. Përtej feve që në esencë janë të gjitha me esencë lindore, të krijuara nga popuj lindorë, janë edhe influencat e theksuara të popujve poashtu të lashtë të antikës dhe klasicizmit të cilat kanë ndikuar fuqishëm në krijimin e identitetit tonë si shqiptarë, duke nisur që nga persët e deri te otomanët duke kaluar nëpër influencat helene, romake, bizantine. Marrëdheniet shqiptare me këto kultura dominante shpeshherë  kanë peshuar më shumë nga ana e marrjes sesa e dhënies.

Duke u nisur nga të gjitha këto, por edhe më shumë, emëruesi i përbashkët i shqiptarëve, kudo që janë, i cilësdo proveniencë fetare apo krahinore që i takojnë ata, është përulësia, modestia, përvuajtja. Ato janë të implantuara në kulturën tonë familjare, trashëgiminë tonë historike, në arsimimin tonë fetar të secilit konfesion – musliman, krishter orthodoks apo katolik. Historia jonë është histori e përulësisë dhe e përvuajtjes; ndoshta arsyet duhen kërkuar në faktin që nuk kemi mundur apo nuk kemi arritur përgjatë pjesës më të madhe të ekzistencës tonë të krijojmë identitet kombëtar dhe shtetëror të tipit anglofon: që definon kombin duke definuar shtetin. Ndoshta arsyet duhen kërkuar në atë që Kadareja identifikon si paaftësinë tonë për të krijuar fuqi jashta influencave të jashtme – shpeshherë edhe okupatore duke qenë se gjithmonë, sipas tij shqiptarët kanë shfrytëzuar forcën në numër të okupatorëve për të krijuar një pavarësi klanore dhe fisnore të fuqishme përbrenda kufijve të këtyre shteteve të mëdha. Ndoshta ka qenë strategjia jonë e mbijetesës duke qenë se, si të pamundur/apo të paaftë për të krijuar pavarësi, kemi qenë të okupuar dhe të nënshtruar nga fuqi shumë më të numërta sesa ne. Sidoqoftë, mendoj që është kombinimi i të gjithave ai që krijon idenë apo më mirë përshtypjen që shqiptarët janë të paaftë për të krijuar shtetin e tyre të fuqishëm megjithëse posedojnë mjetet për ta bërë një gjë të tillë.

Dobësia e popullit shqiptar qëndron pikërisht në këtë emërues të përbashkët. Paaftësia jonë në dukje e moskrijimit të shtetit dhe liderëve të fuqishëm qëndron në paaftësinë tonë për të tejkaluar përulësinë, modestinë dhe përvuajtjen. Ata që e kanë kuptuar këtë dobësi tonën janë ata që kanë sunduar me ne përgjatë gjithë historisë, dhe janë pikërisht ata shqiptarë që kanë shfrytëzuar këto ideale për të dominuar skenën tonë politike. Pikërisht për këto arsye ne sot kemi liderë populistë në vend se të kemi liderë vizionarë. Pikërisht për këto arsye ne jemi të paaftë të reagojmë fuqishëm ndaj korrupsionit, neglizhencës, nepotizmit, dhe të gjitha të këqijave të tjera që vijnë nga liderët populistë. Përderisa nuk arrijmë ta definojmë veten dhe të kuptojmë që fuqia jonë më e madhe është edhe dobësia jonë më e madhe, do të jemi të zhytur në këtë konfuzitet politik, shoqëror dhe kulturor që nuk na lejon të ecim përpara, në hap me kohën drejt një mirëqenieje të merituar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button