Tensionet BE-Turqi mund të rrezikojnë marrëveshjen për refugjatët

Brukseli dhe Ankaraja po shkojnë gjithnjë e më shumë drejt një konfrontimi mes tyre, çfarë rrezikon seriozisht marrëveshjen e refugjatëve.

Javën e kaluar, kryeministri turk Ahmet Davutoglu njoftoi dorëheqjen e tij. Ai, jo vetëm që kishte negociuar marrëveshjen me Brukselin, por në ndryshim nga Recep Tayyip Erdogan, është proeuropian. Pastaj u dënuan me nga 5 vite burgim dy gazetarë turq, kritikë ndaj qeverisë, për shkak të akuzave për botimin e dokumente sekrete shtetërore.

Për Parlamentin Europian, kupa u mbush pas një deklarate të Erdoganit, i cili tha se nuk ka ndërmend të ndryshojë ligjet antiterrorizëm të kritikuara ashpër. Ndryshimi i këtyre ligjeve është një prej kushteve të Brukselit për liberalizimin e vizave për turqit në verë.

Por, i pari i Ankarasë ka kërcënuar shpesh se, në qoftë se nuk do të ketë liberalizim vizash, ai mund të lejojë në çdo moment vërshimin e refugjatëve drejt Europës.

“Deutsche Welle” bën të ditur se, komisioni përgjegjës për liritë civile dhe drejtësinë në Parlamentin Europian nuk frikësohet prej deklaratave të tilla. Ai njoftoi se do të presë për fillimin e konsultimeve mbi regjimin e vizave, deri sa Turqia të ketë përmbushur të 72 kushtet. “Dhe aty përfshihen edhe ligjet antiterrorizëm”, thotë Guy Verhofstadt, kryetar i grupit parlamentar liberal.

“Ne jemi të gjithë në një vijë”, ishin fjalët e Gianni Pittella, kreu i socialistëve, i cili e bëri të qartë se nuk mund t’i pranojnë kërcënimet dhe shantazhet e Turqisë së Erdoganit. Philippe Lamberts, bashkëkryetar i “të Gjelbërve”, hodhi dyshimet mbi perspektivën e heqjes së vizave për turqit.

“Nëse të dyja palët do të ngulin këmbë në pozicionet e tyre, e gjithë marrëveshja për refugjatët mund të dështojë”, deklaroi ai. Politikanë të ndryshëm, të majtë dhe të djathtë, u shprehën se në vend që të bëhen përpjekje për të siguruar marrëveshjen për refugjatët me Turqinë, deri në fund të qershorit të synohet mbrojtja e kufijve të jashtëm europian, përpunimi i kërkesave për azil në ishujt grekë në kufi me Turqinë, si dhe dëbimi i azilkërkuesve që u refuzohet kërkesa.

Por Janis Emmanouilidis nga “European Policy Centre” i konsideron këto hapa thuajse të parealizueshme. “Në rast se Turqia do të lejojë sërish një numër të madh refugjatësh që të shkojnë drejt ishujve grekë, shifrat do të bëhen sërish të papërballueshme dhe do të shndërrohen në ishuj europianë internimi”, pohon ai per “Deutsche Welle”. Ai nuk beson se ndonjë nga palët do të tërhiqet nga marrëveshja, pasi është në interesin e tyre të arrijnë një kompromis.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button