Gazetarët duhet ta njohin gjuhën e urrejtjes dhe të distancohen prej saj

Më 13 prill të këtij viti, në TV “Nova”, në kuadër të ditarit televiziv, kishte inkuadrim të drejtpërdrejtë nga protesta e LQMM-së, para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Dhe kjo nuk do të ishte temë e leksionit gazetaresk, sikur, gjatë inkuadrimit të këtillë, nuk do të shkileshin një sërë standardesh profesionale të gazetarisë. Në fakt, gazetarja në paralajmërimin e saj, në fillim theksoi se bëhet fjalë për “qytetarë të revoltuar nga vendimi i Ivanovit që përsëri ta amenstojë Zoran Zaevin” dhe e dyta, pas fjalimit të aktori Toni Mihajllovski, i cili ishte përplot me urrejtje, akuza, shpifje dhe me thirrje për dhunë, gazetarja nuk u distancua prej tyre, e as nuk u sqaroi shikuesve se pse u transmetua gjuha e këtillë e urrejtjes.

Shkruan: Аna Anastasovska

Përdorimi gjithnjë e më i madh i gjuhës së urrejtjes në mediet e Maqedonisë tregon se deri ku çon mossanksionimi i veprave të këtilla penale. Gjuha e urrejtjes definohet si gjuhë që ka për qëllim të degradojë, të shqetësojë ose të shkaktojë dhunë ose aktivitete në bazë të paragjykimeve ndaj njerëzve ose grupeve të njerëzve në bazë të racës, gjinisëm moshës, përkatësisë etnike, nacionalitetit, religjionit, orientimit seksual, identitetit gjinor, hendikepit, aftësisë gjuhësore, qëndrimeve morale ose politike, klasës sociale-ekonomike, profesionit ose pamjes (si lartësia, pesha dhe ngjyra e flokëve), kapaciteti mental dhe cila do qoftë karakteristik tjetër.

GAZETARËT DUHET TA NJOHIN GJUHËN E URREJTJES DHE TË DISTANCOHEN PREJ SAJ

“Kriminelë, plehra, dushmanë, tradhëtarë, qyqarë, pjesëtarë të kolonës së pestë”, “Lе të paraqitet ndonjë rrufe nga qielli, le t’i përzhisë Zoti, le t’i bëjë hi”, është vetëm një pjesë e gjuhës së urrejtjes, e ofendimeve dhe e akuzave që shikuesit kishin mundësi t’i dëgjojnë gjatë fjalimit të anëtarit të LQMM-së, Тоni Mihajllovski.

Njëra nga obligimet etike të gazetarëve është ta njohin gjuhën e urrejtjes dhe gjuhën që nxit dhunë dhe diskriminim në çfarëdo baze dhe të distancohen prej saj.

Profesoresha Zhaneta Trajkoska nga Shkolla e lartë për gazetari dhe marrëdhënie me publikun, thekson se kur bëhet fjalë për gjuhën e urrejtjes të shprehur nga ndonjë bashkëbisedues në ndonjë kronikë, atëherë i mbetet gazetarit dhe redaktorit të tij të vendosin se a do ta lëshojnë dhe në çfarë forme do ta lëshojnë pjesën ku ka gjuhë eksplicite të urrejtjes.

“Nuk bëhet fajlë vetëm për distancim teknik nga deklaratat e bashkëbiseduesit, por edhe për vendim se a ofendohet dikush me transmetimin e asaj deklarate, a do të shkaktojë ajo deklaratë reagim plotësues nga grupet e shoqërisë që janë të ofenduara, a do të ndizet urrejtja te publiku, etj. Gjithsesi, nëse redaksia vemdos që të lëshojë atë pjesë ku ka gjuhë eksplicite të urrejtjes, atëherë gazetari duhet ta arsyetojë vendimin e tij  se pse e bën këtë, ta kontekstualizojë dhe ta arsyetojë para publikut të vet”, thekson Trajkoska.

Sipas saj, deklaratat e tilla (nëse) lëshohen, më shpesh shërbejnë për ilustrim, në formë të shkurtër dhe me distancim të qartë nga ana e gazetarit, duke e dënuar atë dhe duke dhënë sqarim. Vetëm në atë mënyrë, thekson Trajkoska, shikuesi do ta fitojë informatën e vërtetë: se atë që e ka dëgjuar është gjuhë e urrejtjes, pse është në eter dhe cila ka qenë ideja e gazetarit për ta publikuar atë që e ka thënë bashkëbiseduesi. Gjithçka tjetër është shkelje e normave profesionale të gazetarisë.

GJUHA E URREJTJES ËSHTË VEPËR PENALE

Gjuha e urrejtjes është vepër penale në Republikën e Maqedonisë. Nga shkurti i vitit 2014, hynë në fuqi dispozitat e reja ligjore të Kodit penal, të cilat e ndalojnë dhe ndëshkojnë gjuhën e urrejtjes dhe shpërndarjen e materialeve nëpërmjet internetit që promovojnë ose nxisin urrejtje, diskriminim ose dhunë, kundër cilit do qoftë njeri ose grup, mbi çfarëdo baze të diskriminimit.

DISPOZITAT E SHKELURA TË KODIT TË GAZETARËVE

Me vetë faktin që gazetarja, gjegjësisht media, nuk u distancua nga fjalët e Mihajllovskit, e as që media dha sqarim pse dhe me çfarë qëllimi gjuha e këtillë e urrejtjes është lëshuar në eter, kemi shkelje të nenit 10 të Kоdit të gazetarëve, ku në mënyrë të qartë thuhet se:

Gazetari nuk do të krijojë e as nuk do të përpunojë me vetëdije informata, të cilat i kërcënojnë të drejtat ose liritë e njeriut, nuk do të flasë me gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, të orientimit seksual…).

Në faqen 35 të „Doracakut për etikë në gazetari”, të botuar nga Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë, pasohtu theksohet se gjuha e urrejtjes nuk përkon fare me etikën e gazetarisë:

Media dhe gazetari nuk duhet të publikojonë material (informacion, fotografi, mendim, koment) që ka për qëllim të përhapë armiqësi ose urrejtje, ose nëse ka mundësi të madhe që materiali i publikuar të shkaktojë armiqësi ose urrejtje ndaj dikujt për shkak të racës, perkatësisë etnike, gjinisë, besimit, përkatësisë politike, orientimit seksual, hendikapit fizik, etj. 

ÇKA PARASHEH LIGJI PËR SHËRBIME AUDIO DHE AUDIOVIZUALE MEDIATIKE

Televizioni “Nova”, në këtë rast, shkeli edhe një dispozitë të Ligjit për shërbime audio dhe audiovizuale mediatike. Në nenin 48 të këtij ligji, në pjesën e ndalesave të veçanta thuhet se:

Shërbimet mediatike audio dhe audiovizuale nuk guxojnë të përmbajnë programe me të cilat rrezikohet siguria nacionale, nxitet rrënimi i dhunshëm i rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë, bëhet thirrje për agresion ushtarak ose konflikt të armatosur, nxitet ose përhapet diskriminim, mosdurim ose urrejtje në bazë të racës, gjinisë, religjionit ose nacionalitetit. Ndalesat e veçanta nga paragrafi (1) i këtij neni duhet të jenë në përputhje me praktikën e Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut.

A MUND TË DËNOHEN GAZETARËT PËR TRANSMETIMIN E GJUHËS SË URREJTJES, SHPIFJEVE DHE OFENDIMEVE?

A mund të dënohen gazetarët për transmetimin e gjuhës së urrejtjes, për shembull, për shkak të deklaratave që i kanë dhënë njerëzit e tjerë në intervistë ose, sikurse në këtë rast, gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të fjalimit?

Në Doracakun për etikë në gazetari, në faqen 22, shkruan:

Gazetari është përgjegjës edhe për fjalën e bashkëbiseduesve, sepse përmes tij ato qëndrime dalin ne opinion, prandaj është i obliguar t’i parafrazojë ose të distancohet nga fjalori ofendues, promovimi i stereotipeve ose i diskriminimit. 

Profesoresha Trajkovska thotë se, sa i përket dënimeve, nuk mund të zgjidhet me dënime të gazetarëve.

“Ka vetërregullim, mirëpo, ajo që është edhe më e rëndësishme, gazetari nuk e ka përgjegjësinë e plotë. Ai ka redaktor i cili duhet ta dijtë dhe të marrë vendim për rastet e këtilla”, është decide profesoresha.

Doracakun për shpifje dhe ofendim, të botuar, poashtu nga SHGM-ja, sa i përket transmetimit të deklaratave të huaja (shpifëse) thuhet se Gjykata evropiane për të drejtat e njeriut ka qëndrim relativisht të qartë (të shprehur në Aktgjykimin Thoma v. Luxemburg, 2001).

Gjykata thekson se dënimi i gazetarit për transmetimin e deklaratave të huaja do ta rrezikonte seriozisht kontributin e shtypit në hapjen e debatit për çështje me interes publik dhe nuk do të duhej të ndërmerrej, në qoftë se nuk ka arsye jashtëzakonisht të fuqishme për këtë.

 

Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button