Tahiri: Këtë muaj, nis zbatimi i marrëveshjes për doganat

Delegacioni i Republikës së Kosovës i drejtuar nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, në Bruksel ka zhvilluar takimet e radhës për çështjet e doganës dhe të asociacionit të komunave me shumicë serbe me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Zëvendëskryeministrja Tahiri në këtë takim ka thënë se zbatimi i marrëveshjes për doganat është paraparë të filloj me datën 14 dhjetor.

Sa i takon përgatitjeve për zbatimin e marrëveshjes për doganat, ajo ka theksuar se tashmë janë definuar procedurat dhe hapat që kanë të bëjnë me nisjen e pagesës së taksave doganore në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, e që sipas saj është një zhvillim shumë i rëndësishëm për normalizimin e pagesave të doganave, që kanë munguar një kohë të gjatë në këto dy pika kufitare.

“Zbatimi i marrëveshjes së doganave do të kontribuoj në pengimin e dukurive të jo formalitetit në fushën e bashkëpunimit tregtar mes të dyja shteteve, Kosovës dhe Serbisë, duke vendosur standarde evropiane sipas modelit të IBM-it në fushën e bashkëpunimit bilateral doganor me shtetin fqinjë Serbinë”, thuhet në një komunikatë për medie të lëshuar nga Qeveria e Kosovës.

Në takimet për çështjen e Asociacionit të Komunave Serbe, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka theksuar se pala e Kosovës ka prezantuar procesin, procedurat dhe afatet kohore në konstituimin e strukturave legale komunale të dala nga zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, që do të pasojnë pas certifikimit të zgjedhjeve nga ana e KQZ-së, transmeton KP.

Aty është potencuar se në bazë të ligjeve të Kosovës pas mbledhjeve inauguruese të kuvendeve të komunave dhe kryetarëve të komunave mund të fillojnë procedurat e themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe sipas legjislacionit në fuqi në Kosovë ashtu siç parashihet në Marrëveshjen e Brukselit.

Në këtë takim njoftohet se janë dhënë sqarime lidhur me procedurat e themelimit të asociacionit dhe miratimit të draft statutit për asociacionin, sipas modelit të statutit të asociacionit ekzistues dhe Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale dhe Ligjit për Lirinë e Asociimit në Kosovë

Lajme të ngjashme

Back to top button