A-ja

A-ja i fërkon duart dhe shikon kah dera e madhe. Do të vijë dita ime. Do të bëhem edhe unë z. Ministër.
Po z. Ministër.

Jo Askushi.
A-ja që e shkon jetën duke lyer shtëpitë e hallkut.
Do të bëhet z. Ministër. Njeri i madh. Të cilin e pret makina e madhe te dera dhe të cilit i përkulen fshatarët.
Z. Ministër.
I hedh një sy derës së madhe të oborrit e ajo hapet duke vajtuar ngapak: kërrrccc, kërrrcc!

Do të hapesh, do të hapesh! i thotë A-ja!

Mbrëmë derisa kishte rënë në shtratin prej leckash, mundohej t’i mbulojë këmbët me jorganin e hollë dhe i mblidhte ato që të rehatohej në këtë shtrat të shkurtër Prokrusti dhe të kënaqej me këtë pranverë. Se kjo pranverë ishte si një kopsht i madh për të, një kopsht i mbjellë me shpresa. Duke i shtrënguar grushtet, herë pas here bënte “jes, jes” sepse i kujtohej se lehtë e kishte blerë diplomën e tij të fakultetit. Përveç asaj, këto ditë ishte takuar edhe me një njeri të cilin e thërrisnin Babahov, ku ta dish a mbiemrin e kishte kështu apo emrin. Po kjo nuk kishte rëndësi. Me rëndësi ishte se ky Babahovi i kishte ofruar një punë me rrogë të majme. I kishte thënë: “Dëgjo, ti A., A. e pate emrin, apo jo? A., mirë, A…. Dëgjomë A… Si e mora vesh se ishe diplomuar, u gëzova. E di, unë e kam njohur babanë tënd prej moti dhe thashë t’i gjendem mikut në ditë të vështira. E kam një punë për ty! A. as që e çoi mendjen të pyeste se çfarë ishte ajo punë. Punë! Kjo fjalë e ndezi flakën e gëzimit te A. Diploma u mor, tash edhe puna po bëhet. A-së i vinte të bërtasë: sa i lumtur që jam, sa i lumtur që jam! Pastaj Babahovi, i tha që ta kërkonte në tel. dhe ia nr. e telefonit.

A del nga dera e madhe e oborrit dhe, meqë s’kishte njeri në rrugë, ai kërcen herë-herë, hopa, si i riu kur është i mbushur me lumturi. Do ta kërkojë në tel. Babahovin.

Ditën tjetër A-ja takohet me Babahovin, i cili ka ardhur me një njeri tjetër.  I ofrojnë punë në shërbimet e fshehta. Rrogën do ta kesh të mirë, i thonë… Mendoje mirë e na trego.

Kthehet ngadalë në shtëpi. E mendon, e çmendon.

Po tash janë zgjedhjet, mendon A. Pasi më ofrohet diçka, besoj se mund të zgjedh. Dua  të marr sa më shumë. Më mirë e kam të bëhem ministër. Tash po bie ora ime. Kur është bërë Y-ja Ministër, çfarë kam unë që s’mund të bëhem. Ai me fakultet, edhe unë me fakultet.

Ecën A-ja dhe flet vetë me vete.  Kjo bisedë vetë me vete ishte në të vërtetë përgatitje për të marrë vendim, a ta pranojë punën e ofruar apo jo. Nëse s’e pranon, duhet të ketë kujdes me Babahovin, i cili ka qenë shok i babait. Madje edhe më tepër. Njeri i sigurimit është.  Mirëpo A-ja nuk e heq dot at dëshirën e zjarrtë që iu shfaq – të bëhet ministër. Vazhdimisht thotë: kur është bërë Y-ja ministër çfarë kam unë që mos të bëhem? Ai me fakultet, unë me fakultet. Më në fund A-ja vendos: dua të bëhem ministër. Thellë në ndërgjegje diçka e gërmic: a thua mundesh? Nuk ke lexuar asnjë libër? A thua mundesh? Nuk e di asnjë gjuhë të huaj. A thua mundesh? Nuk e di gramatikën. A thua mundesh? Në fund thotë: shumë po më kërcet! Kur është bërë Y-ja, pse mos të bëhem edhe unë.

Ditën tjetër kur takohet me Babahovin dhe shokun e tij, A-ja thotë: e mendova, dua të bëhem ministër. Ministër? e pyet Babahovi. Nuk është lehtë, shton Babahovi. A ta merr mendja t’i dalësh në krye kësaj pune. Po e kam menduar, thotë A-ja. Shoku i afrohet Babahovit dhe i pëshpërit në vesh. Lere, më i dobishëm do të jetë për ne si ministër se sa si një sufler. Pastaj Babahovi ia shtrin dorën A-së dhe A-ja u gjet në listën e kuadrove më të larta.

Dhe…

E dija moj derë se do të hapesh, thotë A-ja kur ugjendet para derës së oborrit.

Hapu moj derë, tash e tutje nuk do të të kapërcejë më ai A-ja që i lyente shtëpitë e huaja, po z. Ministri.

Këtu, para teje, çdo ditë do ta kesh makinën e madhe, e cila do ta marrë z. Ministrin.

A-në.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button