Media dhe roli i saj në tjetërsimin e konceptimit të së bukurës dhe vlerave

Nevoja për të patur njerëzit nën kontroll apo për t’u imponuar atyre diçka ka qenë dhe mbetet ëndrra e çdo pushtetari dhe kjo gjë e ka shtyrë gjithmonë pushtetin drejt gjetjes së rrugëve dhe mënyrave për ta legjitimuar këtë lloj dhune të heshtur. Magjia ka qenë njëra prej tyre. Magjistari, nëpërmjet trikeve të tij, frikësonte masat dhe nguliste në kokat e tyre konceptet dhe postulatet e dëshiruara prej tyre. Magjia, kjo formë manipulimi, ishte pushtet më vete në kohët e hershme. Sot, stafetën e ka marrë media, magjistari modern, nga një kuti televizori ose kompjuteri, nëpërmjet të cilës mbahen nën kontroll “delet e Perëndisë”.

Roli i Media-s për informimin e publikut po humbet (në mos e pastë humbur) domethënien e saj. Qëllimi i medias për mbulimin e çështjeve që janë me interes për publikun po zbehet çdo ditë e më shumë. Nga mjet informimi, ajo po shëndërrohet dita-ditës në përçues degjenerimi dhe anti-vlerash. Promotor i të kotës dhe daullexhi i vazhdueshëm i saj. Evitues i problemeve reale të cilat po e pengojnë dhe cënojnë zhvillimin e vendit tim.

Promovimi i fenomeneve si “Lepurushja” apo ngjashëm nëpër televizione apo mediume tjera sociale nuk tregon gjë tjetër veç degradimin e thellë shoqëror të shoqërisë tonë, një degradim i “nëndheshëm” i cili synon të minojë themelet e të tashmes dhe të ardhmes. Për më tepër, një promovim i tillë synon tjetërsimin e perceptimit tonë ndaj të bukurës, modernes dhe bashkëkohores. Për fatin tonë të keq, koncepti për të bukurën, për origjinalen, po humb, ndërsa media po bën ç’është e mundur për vënien e luleve mbi varrezat e tyre- varrezat, simboli i vdekjes së thelbit brenda nesh.

E bukura si koncept është relativ, por brenda saj gjenden dhe absolutizma. Në rastin e mungesës së saj, ajo çfarë e zë vendin automatikisht është e kundërta e saj. Në fakt, është pikërisht e kundërta e të bukurës ajo që po na shfaqet si zgjedhje; ajo që po na ofrohet si e tillë sot, është shpërlarje, një kopje e shëmtuar e saj. Anti-vlerat po legjitimohen nën ombrellën e modernitetit – një modeli pa model-, e na ofrohen- mundësisht na imponohen në pavetëdije- si ‘vlera moderne’.

 

Bukuria e vërtetë po humb terren, ndërsa manifestohet me parulla të kudogjendura ajo artificiale. Në mediat sociale, televizion e kudo tjetër. Gjokse të mbushura me silikon, të pasme të rrumbullakosura, buzë të fryra drejt shpërthimit – këto janë panoramat kryesore të mediumeve më të ndjekura. Një thirrje e fuqishme drejt falsitetit, artificiales, pre e cila është kryesisht rinia, e ardhmja e këtij vendi.

 

Një farë e keqe po mbillet, e mjerisht, reagimi ynë mungon, duke pandehur se ajo po mbillet në arën e tjetërkujt. Jo jo, ajo po mbillet në tokën tënde, në vendin tend, madje në familjen tënde. Trumpetimi i vazhdueshëm i këtyre ‘vlerave moderne’ i bën ato lehtësisht të pranueshme në shoqëri. Reagimi ndaj tyre konsiderohet prapambetje, aprovimi emancipim, ndërsa heshtja konfirmim pa zë- një krim monstruz i legalizuar pa i kushtuar rëndësi.

 

Pyetja se “ku po na shpie kjo lloj ‘kulture'” duhet të na ngacmojë vazhdimisht. Këtij labirinti, udhëkryqi të pakrye duhet dhënë fund. Kthimi tek vlerat dhe tek konceptet në origjinalitetin e tyre është sa detyrë kolektive poaq edhe individuale. Dora e medias duhet të jetë vazhdimisht e zgjatur në vënien në dukje të tyre. Ky është edhe misioni primar i saj. Vlerat nuk dalin kurrë mode, janë gjithmonë në treg, ekzistente. E në tregun e vlerave, bëhu blerësi, jo shitësi i tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button