Këtu, ku krisnin armët II

Kalendari më thotë se kaloi një vit nga dita kur këtu krisnin armët, por akoma nuk e mbyll dot në sirtarin e kujtimeve të së kaluarës. Dhe jo për kot: Atë ditë nuk e bëri të veçantë fakti se ishte ditë e re, e ndryshme nga dita tjetër paraprake dhe po aq nga ajo që erdhi pas saj. Atë ditë nuk e përjetova ndryshe nga vetëdija se e njëjta në mënyrë identike nuk do të mund të përsëritej më. Në atë ditë thjeshtë të jashtëzakonshme gjithçka që dëgjoja, shihja dhe ndjeja ishin të krisurat e armëve.

Vetëm pas 12 orësh torture enigmatike, kurioziteti jetik e durimi shfrytëzuam të parin rast që na u ofrua për t’u larguar që aty. Braktisëm shtëpinë dhe gjithçka në të, që deri atëherë  i konsideronim të vlefshme, pronë private. Braktisëm gjithçka pa e kthyer kokën mbrapa. Ikëm nga lagjja në të cilën për vite të tëra kishim jetuar, sikur të iknim nga ferri. Dhe gjetëm strehim në shtëpinë e disa familjarëve, ndërkohë që edhe shumë të tjerë ishin në gjendje të na strehonin në atë rast, jo të rastësishëm.

Jashtë, por jo larg nga të krisurat e nga era e barutit arrita ta ndjej për disa çaste aromën dhe shijen e lirisë dhe e kuptova se më kishte munguar aq shumë sa nuk e kisha marrë me mend, se nuk kisha qenë në gjendje as të mendoja. Gjithsesi akoma nuk isha e qetë. E ndjeja se dikush mund të vritej e të linte pas njerëz për të cilët ishte gjithçka, se ato plumba diku përfundonin. Shqetësohesha se i njëjti konflikt  do të shpërndahej edhe nëpër lagje tjera a në fshatrat përreth dhe kjo më tmerronte. I kujtoja të gjithë njerëzit tjerë që i njihja dhe lutesha që të mos e përjetonin ato, atë që unë sapo e kisha përjetuar, “Nëse unë po, jo edhe të tjerët!”-i lutesha Atij… Fuqishëm dëshiroja ta humbja dëgjimin, se çdo tingull më shponte si krismë në zemër. Krisma dëgjoja vazhdimisht edhe kur të tjerët përreth nuk dëgjonin asgjë. Më ishin fiksuar, nuk mund të isha e qetë… Nuk ndjeja kënaqësinë që të fal uji kur të shuan etjen e as shijen e ushqimeve të shijshme, se kisha diçka në fyt, që s’më linte të pija e as të haja dot. Gjithçka më dukej e kotë dhe në sytë e të gjithëve shihja vetëm brengë, po një brengë të madhe. Brengë të shoqëruar me lot pash edhe në sytë e ministres, qoftë për viktimat nga “operacioni i suksesshëm” siç e quajti vetë apo për ndonjë plan të dështuar e nuk më takon të paragjykoj. Besoja vetëm se ajo që ndodhte nuk ishte në dobi të askujt, as në dobi të atij, respsektivisht asaj që mund të kishte përllogaritur fitim, se fati i njerëzve të tjerë nuk është lojë kompjuterike.

Fundi i asaj dite, nuk solli fundin e plotë të tragjedisë. Përleshja po vazhdonte edhe nën dritën e hënës, po edhe atëherë kur dielli u shfaq përsëri. E rraskapitur nga përpjekja për të fjetur sy-hapur se sa herë i mbyllja më shfaqej një njeri duke u vrarë në mës të rrugës, të cilën çdo ditë e shihja nga dritarja e dhomës së gjumit, fola “A mund dikush të më thotë se si flihet, se nuk më kujtohet dot?!” Deri atëherë nuk e kisha ditur sa i bekuar që është njeriu që fle dhe se çfarë rëndësie ka qetësia.

Mbrëmjen e së nesërmes, pasi autoritetet kishin kryer punën e tyre na u lejua të ktheheshim në lagje. Çuditërish në mesin e qindra, për të mos thënë mijëra të tjerëve shihja të njohur e të panjohur, të tillë që si të shokuar vëzhgonin në heshtje dhe të atillë që komentonin gjithçka që dallohej, e ndriçuar me ndihmë të dritës së vogël të celularëve. Iu lajmërova kryeredaktores dhe ndërkohë që e pyesja se çfarë do të duhej të bënte një gazetare në atë rast, pash se disa gazetarë të tjerë po i anketonin fqinjët e kthyer, të tmerruar me gjendjen e shtëpive të tyre. Atëherë e zgjata edhe unë celularin drejt grumbullit të celularëve të tyre e kryeredaktorja nga ana tjetër shënonte çfarë thoshin. Më vonë derisa mundohesha të fotografoja, një zë i huaj nga afër bërtiti “Kujdes, ke shkelur në gjak!” Sakaq i shikova këpucët, ato vërtetë ishin përlyer me atë lëng të kuq, gjysmë të ngjizur. Dëgjova dikë të thoshte “Këtu paska lëkurë!”, e dikë tjetër “A nuk e pe një copë truri atje më lartë?!”.
Pavarësisht se isha aty kur krisnin armët, ishte e tmerrshme të shihja se si ato të krisura kishin shqyer lëkurë njeriu dhe kishin hedhur tru jashtë nga koka. Mendoja sa e frikshme do të ishte një vdekje e tillë dhe sa dhimbje do të mund të kishte përjetuar një i plagosur në çastet e tij të fundit. E më i keq ishte fakti se bashkë me të mund të ishte vrarë i biri i dikujt dhe dhurata më e madhe;  i dashuri i dikujt a bashkëshorti dhe miku i jetës;  babai dhe streha e dikujt; vëllau, xhaxhai, daja dhe mbështetja e shpresa e dikujt. Në atë lagje, disa shtëpi ishin shkrumbuar, ishin aq të zeza sa edhe errësira e natës, muret e shtëpive tjera të shpuara nga plumbat dhe çuditërisht në mesin e tyre disa shtëpi  ishin të pa-dëmtuara, respektivisht më pak të dëmtuara. Në rrugën tjetër, në atë ku banoja unë pash se shtëpia e fqinjëve të parë ishte rrënuar dhe me keqardhje i kujtova fqinjët se me sa gëzim e kishin ndërtuar atë fole vetëm para disa viteve, ndërsa kuptova se ishte shkatërruar tërësisht edhe dritarja, të cilën zonja e shtëpisë e pastronte çdo ditë. Atë çast vrapova për në shtëpinë time.

koluSapo hyra në oborr familjarët që kishin arritur para meje më njoftuan se shtëpia jonë nuk ishte dëmtuar, “Vetëm një dritare ishte e thyer”, më thanë, “Asgjë tjetër”, por nga ajo që kisha parë deri atëherë nuk munda t’iu besoja dhe u futa vetë brenda për t’u vërtetuar. Habitem edhe vetë kur e kujtoj si arrita të buzëqeshja në atë trishtim që më kishte kapluar të tërën, pasi i kontrollova të gjitha dhomat dhe pash se nuk më ishin djegur dokumentet e pakompenzueshme dhe tekstet universitare, të cilat po i lexoja ato ditë. Habitem se si ishte e mundur të hutohesha aq shumë sa nuk arrija dot ta kujtoja çfarë rrobash duhet të merrja dhe ku e kisha çantën. “Ishte e padrejtë të gëzohesha për gjërat e mija, ndërkohë që shumë të tjerë atë natë nuk gjetën asgjë ashtu siç e kishin lënë”-e qortova vetveten dhe kjo më hutoi. Me ndihmën e të tjerëve gjeta laptopin dhe gjërat tjera që po kërkoja, se kisha një detyrë: të kthehesha në shtëpinë e familjarëve në fshat dhe t’ia dërgoja redaksisë fotografitë e bëra, së më parë që ishte e mundur. Ajo ishte dalja ime e parë në terren.

Ditën e ardhshme para shtëpisë së fqinjëve maqedonas pash një arkivol: fqiu i moshuar kishte vdekur nga stresi dhe frika. Tmerri i përjetuar e kishte vrarë atë, ndërsa humbja e tij po i vriste përbrenda të mbeturit, ata që e varrosën…

Ditë me radhë lagjja ishte e stërmbushur nga vizitorë të shumtë dhe gazetarë prej vendeve tjera, kurse gjatë netëve ishte bosh pasi disa prej banorëve nuk kishin mundësi të flenin në shtëpitë e tyre të rrënuara, ndërsa të tjerët që i kishin shtëpitë nuk kishin guxim. Kohë të gjatë pas 9 Majit, në lagje kundërmonte erë baruti, erë gjaku, erë vdekjeje. Kohë të gjatë, nën presion të stresit dhe pasigurisë jeta nuk kishte asnjë kuptim, as ekzistenca në trupin prej kockave e mishit, as asnjë proces tjetër jetësor.

Disa fqinj edhe sot po qëndrojnë me qira, disa të tjerë sapo përfunduan së ndërtuari shtëpitë e reja, por më keq është për fëmijët e të akuzuarve, të cilët në mungesë të vendimit gjyqësor jo vetëm që duhet të jetojnë brenda mureve të shpuara nga plumbat por kanë 1 vit pa e parë babanë. E derisa marshi përkujtimor nuk mund t’i rikthejë të vrarët, me gjasë viktima të ndonjë komploti të pakuptimtë, uni më thotë të protestoj e të kërkoj drejtësi që fëmijët e të arrestuarve të mos mbeten jetimë e ato të të vrarëve të paktën të mos etiketohen si fëmijë kriminelësh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button