Në zgjedhje fituan Kosova dhe kosovarët

Në këto zgjedhje në Kosovë humbën politikanët dhe fituan votuesit e shteti.
Përveç pyetjes se kush do të udhëheq me komunat në Kosovë në katër vitet e ardhshme, zgjedhjet lokale të sapombaruara pritej të sqaronin edhe një sërë dilemash tjera, pikë së pari pozicionimin e partive para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. A do të vazhdonin PDK dhe LDK të ishin edhe më tej dy partitë e mëdha të pakontestueshme apo do të mund të ju afrohej ndonjë parti e tretë? Cila mund të ishte kjo parti e tretë? A do të vazhdonin AAK dhe Vetëvendosje të kenë elektorat stabil apo do të kishin rrënie ose ngritje? A do të shuheshin partitë tjera më të vogla?

Një analizë e rezultateve tani që zgjedhjet kanë përfunduar tregon se zgjedhjet nuk sqaruan asnjë nga këto dilema. Elektorati kosovar nuk u grumbullua me të madhe rreth PDK-së e LDK-së, as nuk shpërbleu me të madhe ndonjë parti të tretë. Skena politike edhe më tej vazhdon të përbëhet nga të paktën pesë parti relevante dhe për asnjërën prej tyre nuk mund të thuhet se shënoi ndonjë rezultat të jashtëzakonshëm. Marrë në tërësi asnjëra nuk shënoi fitore të pastër, por as nuk pësoi humbje të shënuar.

Ç‘është e vërteta PDK dhe LDK ende vazhdojnë të mbeten dy partitë më të mëdha në vend, por me një baraspeshë të ndryshuar, ku PDK-së tanimë i është gërryer avantazhi i madh që ka patur dhe dallimi në nivel vendi është reduktuar në 4-5 mijë vota. Mirëpo edhepse përsëri ngeli parti më e madhe në vend, PDK ka pësuar disfata të dukshme në disa komuna të mëdha dhe bastione që ka patur. Sado që të jetë parti e parë në vend, ajo assesi nuk mund të arsyetojë faktin që nuk ka arritur të plasohet as e dyta në kryeqytet, apo në komuna tjera të mëdha si Peja e Gjakova. Ajo më tej ka humbur komuna tjera me të cilat kishte udhëhequr deri tani, si Ferizaj dhe Gjilani, e më e dhimbshme gjithsesi është humbja që pësoi në ish-bastionin e saj të Mitrovicës. Pikë e vetem e ndritshme e PDK-së mbetet fitorja në Prizren, por edhe kjo u shënua në saje të koalicionit të madh me minoritetin turk. Me një fjalë PDK mbeti të qeverisë me Prizrenin dhe një sërë komunash rurale, të pamjaftueshme për t’u ndjerë komode në vendin e parë.

Kokëdhimbje të mëtutjeshme partisë me siguri do t’i shkaktojnë të “ikurit” Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi dhe Zafir Berisha, të cilët së bashku grumbulluan afër 25.000 vota në vetëm tre komuna, e që mund të bëjnë shumë më tepër dëm nëse shtrihen në të ardhmen shtrihen në tërë Kosovën. Prandaj, pa marrë parasysh se ende është parti më e madhe, nëse në këto zgjedhje do të detyroheshim të zgjedhnim një humbës, kjo padyshim do të ishte PDK-ja.

Ndërkaq pas rrethit të parë dukej sikur fituese e madhe e zgjedhjeve ishte LDK-ja. Ajo kishte arritur të ngushtonte deri në minimum dallimin nga PDK-ja në vota totale në nivel vendi, ndërsa në rrethin e dytë fitoi plot komuna të mëdha që nuk i kishte patur deri atëherë; në rradhë të parë Pejën, Gjilanin e Ferizajin. Mirëpo befasia e vërtetë ndodhi në Prishtinë, ku LDK më në fund humbi kryeqytetin ku kishte fituar në çdo palë zgjedhje të mëhershme. Pasi këtu garoi vetë kryetari i partisë, humbja dukshëm ia zbehu LDK-së triumfin në vendet tjera dhe rezultatin nacional. Me këtë asaj iu ndal vrulli të cilin mund ta barte në zgjedhje parlamentare dhe vuri përsëri në dyshim kapacitetin e partisë për t’i fituar ato zgjedhje.

Një efekt i kundërt vërehet të lëvzija Vetëvendosje, e cila garoi për herë të parë në zgjedhje lokale. Pas rrethit të parë, kur ajo me përjashtim të Prishtinës nuk fitoi dhe nuk arriti në balotazh në asnjë komunë tjetër dhe kur ra nga vendi i tretë në të katërtin në totalin e votave, dukej sikur partia përfundimisht ka marrë tatëpjetën. Mirëpo rezultati i shkëlqyer i Shpend Ahmetit dhe simbolika e fitores në kryeqendër e rikthen partinë në qendër të vëmendjes dhe i rihap perspektivat për rezultate të mira afatgjate. Nëse ajo qeveris mirë me Prishtinën, rezultati mund të bëjë jehonë gjithkah tjetër dhe Vetëvendosja të rimarrë vendin e humbur të tretë, ose madje të rrezikojë edhe partitë e mëdha.

Një rezultat miks ka patur ndërkaq edhe AAK. Dështim i madh i saj është humbja e dy komunave të mëdha të rrafshit të Dukagjinit, gjegjësisht Pejës dhe Gjakovës, që njiheshin si bastione të mëdha të kësaj partie. Pas kësaj, AAK ka mbetur të qeverisë vetëm me tre komuna të vogla, Deçanin, Junikun dhe Obiliqin. Mirëpo, nga ana tjetër, AAK arriti të rikthejë vendin e tretë me vota totale, thuajse duke i dyfishuar ato nga zgjedhjet e kaluara. Një përsëritje e këtij rezultati në zgjedhje parlamentare do t’a vinte partinë në rolin kryesor për formim të qeverisë së ardhshme. As për këtë parti pra nuk mund të thuhet se humbi ose fitoi plotësisht zgjedhjet. Ajo thjeshtë mund të jetë duke kaluar një fazë të transformimit nga parti lokale e Dukagjinit në parti me shtrirje më të gjërë në vend.

Përfundimisht nuk mund të konstatohet as humbje e as fitore për partinë AKR. Ajo vërtetë ka marrë më pak vota se partitë tjera konkurrente, por në rrethin e dytë arritit të fitojë në dy qytete të mëdha, Gjakovën dhe Mitrovicën. Megjithëse këto dy fitore ju dedikohen kryesisht dy kandidatëve lokalë të partisë, promovimi i mëtejshëm i figurave të këtilla të suksesshme mund t’a vëjë partinë në baza më të qëndrueshme për të ardhmen. Partia pra nuk arriti ndonjë rezultat të jashtëzakonshëm në nivel vendi, por as nuk u zhduk plotësisht nga skena siç pritej deri diku.

Nga ana tjetër është për t’u shënuar fakti që në këto zgjedhje qytetarët kosovarë votuan për ndryshime. Me përjashtim të Prizrenit, të gjitha qytetet tjera kanë ndëshkuar partitë që kanë qenë deri atëherë në pushtet dhe u kanë dhënë shans partive tjera. Ashtu si vota në Shqipëri që ishte dënim për Berishën, por edhe paralajmërim për Ramën nëse do vazhdonte politika të tilla, edhe në Kosovë qytetarët kanë dëshmuar se nuk durojnë më udhëheqës të përhershëm dhe se dijnë të ndëshkojnë ose shpërblejnë në bazë të asaj që politikani ka treguar në vepër. Në këtë kuptim fitues kryesor i zgjedhjeve është pikë së pari qytetari i thjeshtë kosovar. Këtë mesazh bëjnë mirë t’a marrin edhe kryetarët e posazgjedhur, sepse votuesi kosovar vërtetë tregoi se në zgjedhje ai është mbret.

Fitues tjetër i zgjedhjeve është vetë shteti i Kosovës. Me përjashtim të turbulencave edhe ashtu të pritura në veri, zgjedhjet kaluan pa ndonjë incident të madh, ndërsa edhe ato incidente minore u adresuan në mënyrë të shpejtë dhe efikase nga institucionet e shtetit. Kosova pra dëshmoi se institucionet e saja funksionojnë ashtu siç duhet dhe se ka kapacitet për të mbajtur zgjedhje të lira, fer dhe demokratike.

Në përgjithësi pra në këto zgjedhje në Kosovë humbën politikanët dhe fituan votuesit e shteti. Zgjedhje të këtilla paçim sa më shpesh.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button