Letër drejtuar atyre që vuajnë burgun pa faj!

Të dashur të pafajshëm,

Jashtë grilave tuaja është një burg më i madh, më trishtues e më rrëqethës. Të burgosurit e atij burgu jemi të gjithë ne, ne që mendojmë ndryshe nga të pushtetshmit. Në sytë e atyre edhe ne jemi fajtor. Faji yni i vetëm është, se ne jemi të pafajshëm.

Ne, edhe nëse nuk jemi fajtor, llogaritemi fajtor potencial. Ky pushtet dënon njerëz të pafajshëm sot, sepse shpreson se ata mund të jenë fajtor nesër.

Të pushtetshmit kontrabanduan legjitimitetin për të legjitimuar dhunën. Ne frymojmë në një pjesë të botës ku gjykata nuk i dënon fajtorët, por i liron të njëjtët prej burgu. Frymojmë në një pjesë të botës ku ligji vlen vetëm për të dobëtin. Frymojmë në një pjesë të Evropës ku fajtorët dënojnë të pafajshmit.
Evropianët në Maj, kujtojnë ditën e Bashkimit, kurse ne në Maj bashkohemi për të kujtuar trishtimin, dhunën dhe terrorin.

Të dashur!

Ju që jeni brenda grilave, nuk meritoni të faleni, sepse nuk jeni fajtor!

E vetmja mbështetje që na ka mbetur për ju, është të ngrisim zërin e arsyes, a zëri i arsyes në këtë shekull është zë lirie. Këtu në këtë pikë, ju jeni më të lirë se ne. Ju mund ta thoni lirshëm atë që e mendoni, kurse neve duan të na e mbyllin gojën edhe pse nuk gjendemi, andej grilave.

Andaj, pa dallim bluzës, që bartim për ne është domosdoshmëri e kohës që t’i themi mjaftë padrejtësisë, të keqes, shpërfilljes, zhvatjes, banditizmit institucional, joprofesionistëve e politikës moralisht të pavetëdijshme.

Është domosdoshmëri që t’iu themi mjaftë atyre që manipulojnë dhe diktojnë me fatin dhe të ardhmen tonë. Është domosdoshmëri që të ngrihemi kundër atyre që të shkolluarit nuk i shohin vlerë, por numër dhe votë. Ata që familjet shumëanëtarëshe i shohin familje shumëvotëshe.

Është domosdoshmëri që të ngrihemi, kundër atyre që fëmijët i lanë pa prindër, nënat pa djem, motrat pa vëllezër, shtëpitë pa zot shpie dhe Lagjet pa Trima!.

Por, dijeni dhe besoni fortë, se pas natës së errët, vijon një agim shumë i ndritur!
Ne, nuk e kemi humbur shpresën në Zot, Atij i lutemi si për ju andej grilave, si për ne, ashtu edhe për mbarë njerëzimin.

Të fala të përzemërta! 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button