Mosni me Kumanovën!

 

Kumanovën e gjen te përkushtimi i qytetarëve për t’i akomoduar dhe ndihmuar shqiptarët e Kosovës gjatë Luftës së Kosovës. Atë e gjen edhe në pushkën e Ismet Jasharit maleve të Kosovës. Kumanovën e gjen te përkushtimi për t’u dalë në ndihmë shqiptarëve nga Lugina e Preshevës. E gjen te vatra e zhvillimeve të Luftës së 2001-shit. E gjen kudo ku e kërkon përkushtimi dhe kushtrimi. Kudo që thërret një zë shqiptar i përvuajtur.

E nisa shkrimin me konkluzion, që ta keni të qartë ju që doni ta partizoni Kumanovën dhe që të mos të ua lodhë trurin e ta lexoni deri në fund, ju kurseva. Në konkluzionet e mia nuk ka ngjyra partiake, sepse veprat që i numërova janë të pastra, as loti nuk do u bënte konkurrencë.

U munduat ta partizonit Luftën e 2001-shit, nuk ia dolët. U munduat t’i partizoni manifestimet për dëshmorë, nuk ia dolët. Po mundoheni tani ta partizoni edhe protestën për ta shënuar 1 vjetorin e ushtrimit të terrorit shtetëror në Kumanovë, por do të dështoni.

Mendoni njëherë çfarë keni bërë për Kumanovën? Harrova, s’keni me çka mendoni! Se s’keni me çka mendoni dëshmojnë rrugët me gropa, rrugët pa kanale, rinia e papunë, mërgimtarët nga Kumanova, azilantët nga Kumanova, …

Ju të panderuar politikanë, pozitë e opozitë, keni dështuar me Kumanovën. Kumanova ka qenë më produktive në veprat e qytetarëvve të vetëorganizuar sesa ato partiake. Veprat e mësipërme e dëshmojnë këtë që po e them. Ju tanimë nuk jeni legjitim, dështimi është sinonim me ju.

Andaj, na leni të qetë neve Kumanovarëve. Ne nuk na duhet propagandë për ta rrëzuar këtë regjim, ne jemi të vetëdijshëm. Qytetarët e Kumanovës të hënën ora 14 me anë të një Marshi do ta shënojnë një vjetorin e terrorit shtetëror në Lagjen e trimave. Mirëpo, kumanovarët do të protestojnë edhe ora 17 e 30 edhe ora 18- në Shkup edhe kurdo e kudo për ta rrëzuar këtë regjim, që në përbërje ka VMRO-DPMNE-në dhe BDI-në, kështu duke i dërguar mesazh edhe çdo partie tjetër opozitare se, ne marshojmë e protestojmë me vetëdije qytetare dhe nuk lejojmë që askush në qytetin tonë të tentojë të fitojë prej rastit për poena politik.

Për ne, nga sot e tutje partitë shqiptare, ashtu edhe siç është etimologjia e fjalës parti (pars- pjesë) është vetëm një pjesë e çështjes. Kështu që, ne do merremi me tërësinë, me interesin e përgjithshëm dhe jo me atë personal. Interesi i përgjithshëm është mirëqënia sociale.

 

#Protestoj, sot –nesër, kurdo- kudo, #meKumanovën poshtë regjimi!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button