Studimi global për edukimin, Shanghai kryesuesi

Vendet aziatike kryesojnë renditjen në një raport të edukimit global, që vlerëson njohuritë dhe aftësitë e 15 dhe 16-vjeçarëve përreth botës.

Raporti i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), i publikuar të martën, tregon se fëmijët nga kombet aziatike vazhdojnë të shkëlqejnë më shumë se ata të vendeve perëndimore në Matematikë, Shkencë dhe Lexim.

Qyteti i Shanghai-t kryeson tabelën në raportin 3-vjeçar që ka testuar mbi 510 mijë studentë në 65 vende të botës. Fëmijët në Shanghai ishin, mesatarisht, në një situatë të barabartë me 3 vjet shkollimi më të avancuar se shumica e kombeve të testuara.

Peruja, në fund të renditjes, ka aktualisht studentë pothuajse 6 vjet shkollimi pas atyre të vendeve kryesuese.

Singapori, Hong Kongu, Tajvani dhe Korea e Jugut janë të renditur në 5 vendet e para sa i përket aftësive në matematikë, të cilat kanë përbërë edhe fokusin kryesor në këtë raport.

Raporti i PISA-s, Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve, është studimi i vetëm më i madh për shkollimin global, i cili është mbiquajtur edhe “Kupa e Botës” për edukimin.

“Duke parë nivelet e larta të papunësisë mes të rinjve, rritjen e pabarazisë dhe një nevojë urgjente për të nxitur rritjen në shumë vende, është më se emergjente se kurrë që të rinjtë të mësojnë aftësitë e nevojshme prej tyre për të pasur sukses”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OECD-së, Angel Gurria.

“Në ekonominë globale, konkurrenca dhe perspektivat e ardhshme të punës do të varen nga ajo se çfarë njerëzit mund të bëjnë dhe çfarë ata dinë. Të rinjtë janë e ardhmja, kështu që çdo vend duhet të bëjë gjithçka mundet, për të përmirësuar sistemin e vet të edukimit, si dhe perspektivën për gjeneratat e së ardhmes”.

Raporti është tepër influencues mes zyrtarëve të edukimit, teksa vendet pjesëmarrëse përfaqësojnë më shumë se 80% e ekonomisë globale, të cilat shpesh herë kanë adoptuar politika të atilla në përgjigje të këtyre raporteve.

Makau, Japonia, Lihtenshtejni, Zvicra dhe Holanda renditen sipas radhës në 5 të dytët, apo në “Top 10” sa i përket aftësive në matematikë.

Në Kinë, raporti përfshin vetëm disa prej rajoneve më të përparuara ekonomikisht të vendit, gjë që OECD e pranon se ato nuk përfaqësojnë të gjithë vendin.

Performuesit më të mirë, veçanërisht në Azi, e vënë theksin kryesor te përzgjedhja dhe trajnimi i mësuesve, duke i inkurajuar ata për të punuar së bashku, dhe kanë prioritet investimin te cilësia e mësuesve pa u shqetësuar për përmasat e klasave të shkollës.

Ata caktojnë gjithashtu objektiva të qarta dhe u japin mësuesve autonomi në çdo klasë për t’i arritur ato.

Lajme të ngjashme

Back to top button