RTVM në shënjestër të “Revolucionit Laraman”

Lëvizja Civile “#Protestoj” sot do ta mbajë protestën e 19-të “Revolucionit Laraman”, kundër vendimit të presidentit Gjorge Ivanov që me 12 prill i fali 56 politikanë dhe bashkëpunëtorë të tyre që janë nën hetime, njofton Portalb.

Tradicionalisht, protesta do të fillojë në ora 18:00 para godinës së PSP-së në Shkup, ku do t’i jepet mbështetje këtij institucioni.

Në fokus të protestave të sotme do të jetë çështja e mediave, gjegjësisht ashtu siç njoftojnë organizatorët, në shënjestër të “Revolucionit Laraman” do të jetë Radio Televizioni i Maqedonisë (RTVM). Sipas tyre, televizioni shtetëror po i mbron interesat e pushtetit duke e anashkaluar kodin etik gazetaresk për raportim të paanshëm, të saktë dhe pa ndikime politike.

Lëvizja Civile “#Protestoj”, sot do të protestojë në: Shkup, Kërçovë, Koçan, Manastir dhe Strumicë.

Lëvizja Civile “#Protestoj” ka parashtruar 8 kërkesa që protestat të ndalen:

  1. Tërheqjen e menjëhershme të vendimit të presidentit Gjorge Ivanov.
  2. Të jep dorëheqje Ivanov.
  3. Gjykata Kushtetuese të deklarohet për kushtetutshmërinë e Prokurorisë Speciale Publike.
  4. Të formohet një departament special në Gjykatën Penale i cili do të jetë kompetente për lëndët që janë nën kompetencën e PSP-së.
  5. Tërheqjen e menjëhershme të datës së mbajtjes së zgjedhjeve më 5 qershor.
  6. Në bisedimet për krizën politike në vend, të kyçet sektori civil.
  7. Bisedimet për zgjidhjen e krizës të bëhet në territorin e Maqedonisë.
  8. Formimin e një qeverie kalimtare e cila do t’i implementojë deri në fund reformat urgjente nga raporti i Pribe-së.

“#Protestoj”, ka bërë të ditur se nëse nuk plotësohen këto kërkesa ata do të vazhdojnë me protestat në rrugë, transmeton Portalb.

Përndryshe, “Revolucioni laraman’, është emri i protestës në të cilën qytetarët në çdo protestë kanë në shënjestër institucionet dhe objektet e shtetit të cilat i gjuajnë me ngjyrë.

Deri më tani janë gjuajtur me ngjyrë:

  • Zyra Popullore e presidentit Ivanov
  • Qeveria e Maqedonisë
  • Ministria e Kulturës
  • Ministria e Drejtësisë
  • Objektet e Shkupit 2014,
  • Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele
  • Dy përmendoret në formë luani të cilët gjenden në urën “Goce Dellçev”
  • Fotografitë e Nikolla Gruevskit, Gjorge Ivanovit dhe Gordana Jankulloskës
  • Gjykata Themelore Shkupi 1
  • Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ)
  • Është ngjyrosur sheshi Maqedonia me ngjyrë të kuqe duke e rikujtuar 1 vjetorin e publikimit të përgjimit ku dëgjohet se si pushteti është munduar ta fshehë vrasjen e Martin Neshkovskit
  • Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit

Përveç protestës së 13 prillit, ku protestuesit arritën të futën në Zyrën Popullore të presidentit Gjorge Ivanov dhe ta demolojnë atë, protestat kryesisht kanë qenë të qeta dhe pa incidente. /Portalb

LEXO: Anulohet rasti gjyqësor për të akuzuarit për demolimin e zyrës së Ivanovit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button