Diplomatët: Kriza të zgjidhet menjëherë!

‘’Jemi dëshmitarë të një krize me rrënjë shumë të thella dhe mosrespektim të sundimit të së drejtës. Nuk ka kohë për të humbur. Situata patjetër të zgjidhet menjëherë. Kjo gjegjësisht ka të bëjë me faljen e presidentit Ivanov, si dhe me pavarësinë e gjyqësorit, kushtet e punës së Prokurorisë Publike Speciale dhe zgjedhjet të besueshme’’, transmeton televizioni 21.

Këto vërejtje sot sërish i përsëriti  ambasadori i BE-së, Aivo Orav para akademikëve në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë ku u bisedua për rrugën e integrimit të Maqedonisë në BE.

Orav tha se nuk ka kohë për të humbur, ndërsa ka theksuar nevojën e zhbllokimit të krizës përmes implementimit të kushteve që dalin nga Marrëveshja e Përzhinës.

Ndërsa ambasadori amerikan, Xhes Bejli tha se SHBA dhe BE po bëjnë përpjekje që përmes metodave të ndryshme të ndihmojnë Maqedoninë, për tu integruar në strukturat euroatlantike.

‘’SHBA e përkrahë Maqedoninë drejt BE-së dhe atë do të vazhdojmë ta bëjmë. Misionet tona, Delegacioni Evropian, Ambasada e SHBA-së po ndihmojnë që të zgjidhet konflikti politik në Maqedoni, dhe të arrihet plotësimi i standardeve për sundimin e së drejtës’’, theksoi Bejli.

E në këtë linjë është shprehur edhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Taki Fiti thotë se liderët politikë duhet të ulen për të gjetur zgjidhje, ndërsa presidenti i vendit Gjorgje Ivanov duhet të tërheq vendimin e faljes së politikanëve. Ai thotë se kjo krizë e thellë politike e ka kthyer vendin prapa.

“Falja nga Ivanov u dënua nga të gjithë. Mendoj ajo punë nuk shkon, dhe njëra ndër mënyrat për zgjidhjen e krizës është të tërhiqet falja. Të ulen liderët politikë, dhe me përgjegjësi të plotë të merren vesh dhe të dalim nga kjo situatë. Nuk mundet vendi të udhëhiqet me inat, me refuzim të dialogut’’, thekson Taki Fiti.

Zëvendëskryeministri për çështje Evropiane, Arbër Ademi kërkoi gjetjen e zgjidhjes politike dhe organizimin e zgjedhjeve kredibile.

‘’Situata politike në vend është në një fazë shumë komplekse. Është i nevojshëm një mendje e shëndoshë dhe persona politik të përgjegjshëm. Nuk ka alternativë tjetër për ardhmërinë tonë evropiane, përveç zgjedhje demokratike dhe kredibile dhe zbatimin e reformave prioritare’’, tha Ademi.

Ministri i jashtëm Nikolla Popovski tha se Maqedonia nuk tërhiqet nga rruga e anëtarësimit në NATO dhe BE. Por ai përmendi se pengesë në këtë drejtim është bllokada greke për zgjidhjen e kontestit të emrit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button