Strugë, fëmijët në nevojë kërkojnë kujdes më të madh

Organizata “Poraka Nova” nga Struga, shënon ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuar. Në qendrën ku zakonisht këta fëmijë takohen çdo ditë, në prani të prindërve të tyre dhe kryetarit të Komunës, Zijadin Sela, shprehën nevojën për një trajtim më të mirë të tyre.

Krahas dashurisë që u japin prindërit, kjo kategori njerëzish kanë nevojë për përkujdesje dhe krijimin e mundësive të barabarta si gjithë të tjerët në shoqëri. Pjesëmarrja e tyre në këtë manifestim tregon se ata nuk kanë mundësi të tilla. Shumë nga ta vijnë nga viset më të largëta të Strugës. Prindërit ankohen se nuk ka transport të organizuar për personat në nevojë. Këtë shqetësim ata e ia shprehën kryetarit të Strugës, Zijadin Sela.

Ai u zotua se nëse me buxhetin e ri këshilli do ta parashikojë këtë, do të zgjidhet  kjo çështje së shpejti.  Mbështetja institucionale dhe financiare në këtë drejtim nuk do të mungojë.

‘’Të gjithë ne arrijmë në një konstatim të përbashkët se duhet të bëjmë shumë më tepër për këtë grup njerëzish , sepse me të vërtetë e kanë të nevojshme. Natyrisht që, më tepër se gjithçka këto fëmijë kërkojnë dashuri , më tepër se gjithçka këto fëmijë duhen respektuar, dhe më tepër se gjithçka këtyre fëmijëve  u duhen krijuar mundësitë si gjithë të tjerëve”, theksoi Zijadin Sela. 

Sipas tij, “niveli i një shoqërie duket aty se sa ne kujdesemi për njerëzit me nevoja të veçanta . Unë jam i vetëdijshëm se unë jam kryetar i një komune , që deri tani nuk ka gjetur asnjë mundësi për të siguruar të paktë një hapësirë për personat e verbër, të paktën një hapësirë për shoqatat e ndryshme për personat ne nevojë”.  

“Prandaj, këtë ditë le të mendojmë të paktën për këto fëmijë , të cilët kanë shumë nevojë për ndihmën tonë . Të mendojmë edhe për prindërit e tyre , të cilët pjesën më të madhe të kohës së tyre e kalojnë për tu kujdesur për të dashurit e tyre dhe gjithçka që ne duhet të bëjmë është t’iu shtrijmë një dorë në mënyrë që edhe fëmijët të ndihen të barabartë mes të barabartëve’’, tha Sela.

Më tej pas programit të përgatitur nga personat që e frekuentojnë këtë qendër, recitimeve, këndimeve , e vallëzimeve u promovua dhe revista ‘’Fytyra Rruge‘’,  revistë që ka karakter social dhe shkrime me autorë nga disa persona me nevoja të veçanta.

Lajme të ngjashme

Back to top button