Liria e robëruar         

Nëse gjuha politike të  cilën po e dëgjojmë  ngërthen në vehte gjuhën e sulmit, gjuhën e anatemizimit, gjuhën e “traditave të ndritshme” dhe gjuhën e sharjes dhe ofendimit, për cilën ideologji  atëherë po bëjmë fjalë?

“Njëzetëepesë vjetë u bënë nga zëvendësimi i diktaturës së proletariatit me diktaturën e demokracisë, diktaturat vetëm  ia liruan vendin njëra tjetrës dhe ndryshuan  figurat që duhen hymnizuar, mitet ndryshuan formë por mite mbetën. Njëzetëepesë vjetë fjalë boshe, llomotitje, i thashë e më tha. Nëse demokracia nënkupton vetëm lirinë absolute për të sharë e ofenduar njëri tjetrin dhe kundërshtarët politik, dua të më kthehet komunizmi dhe kënaqësia e muhabeteve “komplotiste” nëpër familje, ndër shokë e në çajtore, i dua temat tabu që t’i thyej me miq, e dua Lahutën e Fishtës të mbështjellë me “Rilindja” që të mos e sheh syri i keq, dua ta lavdëroj Titon ditën e ta shaj natën. i dua të gjitha këto dhe shumë “bereqete” të tjera të komunizmit të më kthehen menjëherë…”

Kështu më foli para disa ditësh një disident, njeriu që aq shumë iu gëzua rrënimit të komunizmit në ish-Jugosllavi. Ja ku është sot, i kwrrusur,  i rudhur, i zbardhur, i zhgënjyer, i gjallë ama i vdekur. ”Reis efendi, shpirti po më freskohet vetëm në xhami”, më tha kur u ndamë e mua më mbetën peng fjalët e tij, mendova edhe gjatë për disidentin që ishte bërë aq pishman.

Mbytja e lirisë në emër të lirisë                     

– Nëse demokracia nënkupton rrënimin e dinjitetit njerëzor, distancimin e tërësishëm të elitave politike nga populli, vjedhjen, korrupcionin dhe pasurimin e mashtruesve mbi kurrizin e të tjerëve, atëherë për  çfarë na duhet demokracia? Me sa e di unë, ashtu funksionojnë dofarë sisteme të tjera.

– Nëse ne në vazhdimësi po ngrisim mite që pastaj t’i rrënojmë ato sikur nuk kanë ekzistuar asnjëherë, kurse jetën tonë mes krijimit dhe rrënimit përpiqemi ta fshijmë e ta harrojmë duke e sharë mitin, çfarë demokracie është kjo? Në fakt, është mbytje e lirisë në emër të lirisë. Liria nuk i do mitet, ajo i do njerëzit që hapin rrugë.

– Nëse gjuha politike të  cilën po e dëgjojmë  ngërthen në vehte gjuhën e sulmit, gjuhën e anatemizimit, gjuhën e “traditave të ndritshme” dhe gjuhën e sharjes dhe ofendimit, për cilën ideologji atëherë po bëjmë fjalë? Ato katër modele të gjuhës politike i definojnë rregullat e ideologjisë totalitare, demokracia e vërtetë s’ka të bëjë fare me gjëra të këtilla.

Sidoqoftë, shoku im disident më detyroi të kërkoj psenë e zhgënjimit të tij. Persiatjeve të tij, në një natë pa gjumë ia shtova dilemat e mia të mësipërme. Por, kush  mund t’i dijë të gjitha dilemat e një populli të tërë, të gjitha zhgënjimet e dhembjet, vuajtjet e sakrificat. I di vetëm Allahu, por asnjëri nga ne nuk jemi Ai, ne vetëm mund të përpiqemi të detektojmë çregullimet dhe të ndihmojmë që ato të drejtohen. A do i drejtojmë apo do i çregullojmë edhe më shumë gjërat, mbetet çështje e përzgjedhjes dhe përcaktimit individual.

Mjerisht, përzgjedhja dhe përcaktimi ynë shpesh herë është i gabuar. Në veçanti, përcaktimi mund të jetë i gabuar nëse një kohë të gjatë i jemi nështruar rregullave të cilat i kanë vendosur pushtete të ndryshme që kanë bërë qejf me vuajtjen tonë.

Pushtetet e atilj soji, çuditërisht, i bëjnë përshesh botëkuptimet e shëndosha të popullit, që më në fund ato të deformohen tërësisht, të marrin kuptim e kahje tjetër. Një popull që një kohë më të gjatë i nështrohet deformimeve të këtilla, më në fund shndërrohet në një masë amorfe e cila nuk di të dallojë çka është e keqe dhe çka është e mirë.

Mirëmëngjes, puna e mbarë

Dhe, meqë jetën e përbëjnë gjërat e vogla, takimet dhe muhabetet me njerëz të rëndomtë, ja edhe një shkëputje nga biseda me një djalë të ri, me një nga ata që ia kanë mësyer t’a bëjnë Maqedoninë lara-lara sepse, thonë ata, jeta është shumëngjyrëshe, varrezat janë gri.

“Hoxhë, ka vite që dikush nuk më ka thënë mirëmëngjesi dhe puna e mbarë. Unë fle deri pas dite dhe kur zgjohem s’kanë pse më thonë mirëmëngjesi. Kur zgjohem unë, të gjitha punët kanë përfunduar, andaj s’më thotë kush – puna e mabarë. Me diplomën e fakultetit mundem vetëm “me u slikatë”, babai im nuk ka para, lidhje nuk kam nëpër partitë tona. Më fal hoxhë, tani ika se po më presin luanët dhe kuajtë…”

Iku djali që e do botën të larme kurse në shpirtin tim e la një njollë të zezë, një dhembje për të rinjtë tanë, qofshin shqiptarë e muslimanë apo të tjerë. “Hallet nuk kanë fe dhe komb, kur kaplojnë, kaplojnë toptan”, mendova më vete.

Nuk më la mundësinë ai djalë t’ia them nja dy-tri fjalë, t’ia them ato që mua nuk m’i thoshin dot kur isha në moshën e tij. Desha t’i them se pakënaqësia është karakteristike për njerëzit e rinjë dhe se do ishte e çuditshme nëse të rinjtë do ishin të kënaqur me thërmitë që ua hedhin si lëmoshë. Desha t’i them djaloshit se ai nuk është i vetmi që nuk po i thonë “puna e mbarë”, ka plotë të atillë në Maqedoni, ka shumë nga ata që nuk mund t’ia lejojnë vetes as gjërat elementare të cilat e kënaqin një njeri të ri.

Desha t’i them djaloshit se mundësia për të ndërtuar një botë tjetër, më të bukur e më të drejtë, përherë ekziston. Andaj, vepro djalosh, kërko atë që të takon, merre atë që Zoti ta ka dhënë dhe njerëzit ta kanë mohuar. Nuk mjafton të konstatosh se shteti dhe shoqëria nuk janë të drejtë ndaj teje, do bëhen më të drejtë kur do e dëgjojnë zërin tënd.

Kuptohet, ky tekst nuk ka të bëjë as me “Revolucionin e larëm” e as me krahun e djathtë të tij që po paralajmërohet si “Revolucioni i zi” sepse në vend të ngjyrërave do të përdorë katranin. Jo, ky tekst është vetëm shkëputje, vetëm një fragment nga jeta jonë e përditshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button