Kjo grua 160 cm ndaloi 300 neonazistë

Aktivistja që u doli para më shumë sesa 300 neonazistëve, ka shprehur shpresën që fotoja e saj të frymëzojë të tjerë për të ndalur rritjen e ekstremit të djathtë.

Fotoja e Tess Asplund, 42 vjeçe, duke parë në sy liderin e Lëvizjes së Rezistencës neonaziste, me grushtin lart, është shndërruar menjëherë në një nga ato fotot klasike.

Asplund, një aktiviste kundër racizmit, që jeton në Stokholm, aktualisht e papunë, u gjend e vetme para marshimit në Borlange, 130 milje jashtë Stockholm, ditën e diel.

Ajo ka thënë për agjencinë e lajmeve suedeze TT që vëmendja e jashtëzakonshme që ngjalli në të gjithë botën fotoja e saj e ka lënë atë të shokuar, “jashtëzakonisht të sikletosur”, ndërsa miqtë janë të shqetësuar për sigurinë e saj, tani.

“Sigurisht, shumë nazistë janë inatosur. Atyre nuk u pëlqen ajo foto.” Por ajo tha që ia vlen nëse ky publicitet ndihmon për të luftuar racizmin.

“Nëse kjo foto i ndihmon njerëzit të shfaqin rezistencën, atëherë çdo gjë është në rregull. Njerëzit duhet të bashkohen dhe të tregojnë që nuk është mirë që racizmi të bëhet normal dhe që fashistët të dalin në rrugët tona.”

Fotografia është publikuar nga gazetat e gjithë botës.

Asplund, që peshon më pak sesa 50 kg, 160 cm e gjatë, ka thënë për Expo që policia e ka tërhequr menjëherë sapo ajo doli në mes të rrugës së marshuesve.

“Për mua, mbaroi shumë shpejt, unë qëndrova atje dhe policët erdhën të më largonin. Zgjati vetëm pak sekonda. Jam e surprizuar që u bë kaq e madhe.”

David Lagerlof, që ka fotografuar momentin për revistën antifashiste Expo, ka thënë që ai ishte i vetmi fotograf në vend.

“U gjenda në vendin e duhur,” tha ai. “Mendoj që njerëzit po reagojnë ndaj kësaj fotoje sepse kjo grua nuk paraqet asnjë kërcënim për ta, por ndërkohë është duke e vënë veten në një situatë me të vërtetë të rrezikshme, sepse ky grup është i dhunshëm dhe ajo qëndron atje vetëm përballë tyre. Si Davidi dhe Golia.”

Ai ka thënë që është “pak skeptik” ndaj pretendimeve që kjo një ditë do bëhet aq e famshme sa “The Lady with the Bag”, një foto e shkrepur në vitin 1985 nga fotografi Hans Runesson, ku shfaqet një mesogrua që qëllon një “skinhead” me çantë.

“Ndoshta, nuk e di,” ka thënë ai. “Çdo ditë bëhen foto të mira. Ajo foto është me të vërtetë ikonike dhe nuk e di nëse mund të konkurroj me të.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button