Rama: Arka e shtetit është bosh

Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka pranuar sot se vendi ndodhet në një gjendje të vështirë ekonomike e financiare, gjendje e cila është akumuluar ndër vite. Po ashtu Rama tha se arka e shtetit është bosh dhe se shteti është lënë në këtë gjendje kaotike nga qeveria e mëparshme. 

Këto deklarata kreu i qeverisë i bëri përgjatë një aktiviteti të zhvilluar sot, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar. 

“Personat me aftësi të kufizur mund të kthehen në fuqi, nëse ti e lejon që aftësia e kufizuar të kthehet në punë. E konsideroj të rëndësishme që ne jemi bashkë dhe i japim mundësi njëri-tjetri që të komunikojmë. Është e rëndë që të përballosh vështirësitë që hasni ju, por më besoni se është akoma më e rëndë të përballosh vështirësitë ekonomike dhe sociale, të cilat ju po i kaloni aktualisht. Ju me të drejtë mund të vini kujën këtu sot, për mungesën e kushteve sociale dhe ekonomike dhe që të trajtoheni në mënyrë të pabarabartë”, -u shpreh Rama.

Më tej kryeministri tha se ndjehet i revoltuar për mospagesat e personave me aftësi të kufizuar dhe se është i vetëdijshëm që shuma e parave që ata marrin nuk është e mjaftueshme. 

Rama akuzoi ish-qeverinë Berisha se po kërkon llogari për fonde të munguara dhe për dëme që vetë ajo qeveri ia ka lënë trashëgim kësaj së sotmes. 

“Janë pasqyruar dhe në shtyp bisedat e ish-ministrave, që tregojnë se sa e zezë ishte qeverisja e mëparshme. Sot ata dalin edhe kërkojnë llogari në mënyrë të padrejtë për fondet e munguara nga qeverisja e tyre.Të paktën ata duhet të kontribuojnë për çbërjen e këtyre zullumeve që i kanë bërë vetë, por ata vazhdojnë të keqpërdorin pushtetin e fjalës, duke treguar një urrejtje ndaj kundërshtarit. Ata duan të lajnë duart me shifra të rreme dhe të heqin barrën e tyre, barrë për të cilën ne sot për sot nuk kemi asnjë përgjegjësi”, -deklaroi Rama. 

Më tej ai pranoi se arka e shtetit është bosh dhe se ka borxhe nga të katër anët, që nga biznesi i vogël e deri tek sipërmarrjet e mëdha. 

“Ne nuk kemi as edhe një lek në arkën e shtetit, e cila ka mbetur bosh nga keqpërdorimi i fondeve nga qeveria e mëparshme. Ka borxhe nga të katër anët, që nga bizneset e vogla e deri tek sipërmarrjet e mëdha. Janë mbi 50 milionë dollarë deficit në fondin e pagesave tuaja”, -ka thënë më tej Rama. 

Kryeminstri Rama është zotuar se do të shlyejë të gjitha detyrimet brenda këtij viti, dhe se do përpiqet që të shlyejë edhe detyrimet e prapambetura. 

“Krahas pagesave të pjesshme, krahas fondit qesharak që na mbeti pas zgjedhjeve të 23 qershorit, ne do të përpiqemi që të shlyejmë të gjitha detyrimet, edhe ato të mbartura nga qeveria e mëparshme. Po ashtu duhet të zgjidhim edhe problemin e mospagesave në kohë”, -tha Rama.

“Sipas shifrave për korrupsion, janë paguar deri në qershor për personat me aftësi të kufizuar, 20-fish më shumë njerëz se sa ata që kanë dalë me aftësi të kufizuar në Irak, ku bëhet luftë çdo ditë. 100 në një milionë në Irak, ndërsa në Shqipëri rezultojnë dy mijë për milionë. Në Shqipëri, aftësinë e kufizuar e ka prodhuar korrupsioni dhe babëzia për pushtet, duke u dhënë pagesa personave, që shyqyr zotit nuk kanë asnjë aftësi të kufizuar, vetëm për t’u marrë votën. Qindra e qindra persona kanë përfituar padrejtësisht nga shteti, por deri në fund do të dalin me mijëra persona të tillë”, -deklaroi kreu i qeverisë.  

Rama shtoi se ndjehet krenar që qeveria e tij, është qeveria e parë, e cila i jep rol të drejtpërdrejtë në qeverisje personave me aftësi të kufizuar./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button