Konceptet statistikore versus koncepteve reale ekonomike

Ekzistojnë gënjeshtra të vogla, gënjeshtra të mëdha dhe statistika. GDP-ja paraqet vlerën e shtuar në ekonominë e një vendi, duke paraqitur vlerën e të gjitha të mirave dhe shërbimeve të prodhuara në një vend në një periudhë të caktuar, minus inputet ekonomike, përgjatë të gjitha industrive aktive në një shtet duke ju dhënë secilës prej tyre vlerë adekuate statistikore të peshës specifike përbrenda një ekonomie. Në kohën kur koncepti i GDP-së u inkuadrua në sistemet matëse ekonomike kjo ishte shumë më e lehtë për t’u realizuar sesa cka është sot; në vitet e para të shekullit të kaluar industritë kryesore ishin: bujqësia, linjat masive të prodhimit dhe manifakturimit dhe tregjet në masë. Vlera e përgjithshme e paraqitur në formën e cmimit duke deduktuar inflacionin ishin bazamenti i matjes së GDP-së. Statistikisht vlerë e matshme. Si e tillë GDP-ja është akoma referenca kryesore e cdo ekonomie botërore, themeli mbi të cilën ndërtohen politikat ekonomike shpeshherë nga politikanë të cilët nuk i kuptojnë konceptet ekonomike në masën e duhur. Por në botën e sotme, në kohën e revolucionit të katërt industrial – atë të informacionit dhe të digjitalizimit këto matje statistikore janë vjetërruar dhe po tregojnë që GDP-ja nuk mund të jetë matësi i fuqisë së një ekonomie. Kjo edhe për arsyen që GDP-ja mund të matet edhe në mënyrë të ndryshme, varësisht metodave shkencore që përdoren: bazuar në vlerën e shtuar të prodhimit, ose si shuma e të gjitha të hyrave në një ekonomi ose si shumë e të gjitha shpenzimeve në një ekonomi. Por mbi të gjitha sepse vlerësimi i GDP-së bazohet në cmim dhe vlerë përderisa revolucioni informativ shpeshherë nuk mund të kuantifikojë inputet që i realizon brenda një ekonomie kaq globale. Përshembull nuk mund të kuanfitikohet vlera e sistemeve informative në formën e rrjeteve sociale sic është Facebook, duke qenë se shërbimet e Facebookut janë gratis atëherë edhe vlera që ata shtojnë në ekonomi nuk mund të kuantifikohet. Si e tillë ajo vlerë mbetet jashtë matjeve të GDP-së megjithëse kompania që udhëheq Facebookun kap vlerë marramendëse dhe është e shtrirë në mbarë globin.

Korrigjimet e vlerës së GDP-së janë konstante, prandaj edhe institucione të ndryshme dalin me vlerësime të ndryshme të rritjes së ekonomisë. Shpeshherë mund të dëgjoni Ministrinë e Financave të dalë me prognoza më optimiste sesa Banka Popullore ose se FMN-ja. Nuk janë aq shumë cështje politike, sa janë cështje që kanë të bëjnë me metodat shkencore të përdorura për të bërë matjet dhe vlerësimet.

Një gjë mbetet e qartë: që GDP-ja nuk është forma e duhur për të vlerësuar mirëqenien e një populli, apo më mirë për të vlerësuar se nëse në vitin 2016 presim rritje ekonomike prej 4% në krahasim me vitin e kaluar, nuk don të thotë që buxheti jonë familjar ose mirëqenia në shtet do të përmirësohet për 4%. Vlerësimi i rritjes së mirëqenies së një populli duhet parë gjithmonë me sy skeptik, ose më mirë duke u nisur gjithmonë nga skepsa e relativizimit. Këto koncepte ekonomike shpeshherë keqpërdoren nga politikanët për t’u lavdëruar me arritjet ekonomike në shtetin me të cilin ata udhëheqin dhe si të tilla nuk mund të pranohen si të qena.

Duke u nisur nga këto premisa, rritjen ekonomike duhet vlerësuar nga këto parametra: a është rritje e drejtë, a ëshë ekologjike dhe a ndikon në përmirësimin e jetës sonë të përditshme dhe në rritjen e lumturisë së individit duke i siguruar atij një punë të paguar mirë dhe të sigurtë, shëndetësi të mirë, një familje të shëndoshë, shkollim të mirë etj. Të gjithë këto faktorë janë ato të cilat duhet të jenë parametrat mbi të cilat duhet bazuar politika ekonomike e një vendi. Qëllimi kryesor i këtyre politikave ekonomike është të bëjë ndarjen e drejtë të resurseve dhe pasurisë nacionale në bazë të nevojave të qytetarëve të një shteti. Kjo bie ndesh me konceptin që GDP-ja ose GDP per capita janë faktorë determinantë të një ekonomie. Merreni shembullin e vendeve që prodhojnë naftë: shtetet arabe, Rusia, Nigeria, SHBA… të gjitha këto shtete kanë nivele të larta të GDP-së dhe të GDP per capita që mat në mënyrë statistikore ndarjen e pasurisë shtetërore secilit individ. Megjithatë ndarja reale e resurseve në këto shtete është larg optimales sepse politikat ekonomike dhe sociale nuk lejojnë ndarjen adekuate dhe të drejtë të pasurisë. Në këto vende ndryshimi mes të pasurve dhe të varfërve është akoma më i theksuar sesa në shtetet me ekonomi më modeste.

Është e rëndësisë absolute që politikat ekonomike të vendosen në binarë të rinj të cilët do të sigurojnë mirëqenie të vërtetë të qytetarëve dhe ndarje adekuate dhe të drejtë të pasurisë dhe resurseve, gjithmonë në kuadër të ekonomisë së tregut ku rregullat e lojës janë të definuara nisur nga egaliteti. Shembulli më i mirë për këtë janë shtetet skandinave dhe shtetet e Azisë Juglindore – si Singapuri përshembull të cilat gjithmonë mbajnë vendet e para në matjet e lumturisë të qytetarëve të tyre.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button