Kosova, pa viza në “Schengen”

Komisioni Europian i propozoi sot Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Europian heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës që duan të udhëtojnë në zonën “Schengen”. Propozimi është bërë së bashku me vlerësimin pozitiv të Komisionit, që konfirmon se Kosova ka përmbushur kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.

Lajmin e dha i pari ministri i Integrimit Europian në Kosovë, Bekim Çollaku, i cili konfirmoi përmes një deklarate në Facebook rekomandimin e Komisionit Europian për heqjen e vizave për kosovarët. “Ju uroj nga zemra të gjithëve për propozimin e sotëm të Komisionit Europian, për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Çollaku, i cili ka konfirmuar se brenda këtij viti, qytetarët e Kosovës do të nisin udhëtimin pa viza në zonën “Schengen”. Ministri kosovar i Integrimit Europian tha se, izolimi i Kosovës tanimë mbetet vetëm një kujtim i hidhur i së kaluarës.

Ndërsa Komisioneri për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, gjatë një konference për shtyp në Bruksel tha se, Komisioni propozon udhëtimin pa viza në BE për qytetarët e Kosovës me pasaporta biometrike. Avramopoulos lajmëroi se do të vizitojë Prishtinën të enjten. Pasditen e nesërme pritet të ketë edhe një seancë solemne të Kuvendit të Kosovës.

Në raportin e sotëm të progresit, Komisioni konfirmon se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit të saj për liberalizimin e vizave, e cila nënkupton se, deri në miratimin e këtij propozimi nga ana e Parlamentit Europian dhe Këshillit, Kosova do ta ketë të ratifikuar marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi dhe të ketë të forcuar regjistrin e të dhënave në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në Këshillin e BE-së, vendimi për propozimin e Komisionit do të merret me shumicë të theksuar.

Me një postim në Twitter, Komisonieri për Zgjerimin Johanes Hahn përgëzoi kosovarët për këtë vendim, duke shkruar se reformat shpërblehen në të tillë mënyrë. Ndërsa në një konferencë për shtyp në Prishtinë menjëherë pas dhënies së rekomandimit, kryeministri Isa Mustafa tha se përkundër ashpërsimit të kritereve, vendimi u mor sipas meritës, transmeton Top Channel.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button