Fjalëbukura dhe mendjeshumta Linditë Ahmeti

(Linditë Ahmeti, Nga mështeknaja e babait me mallëngjim, botoi PORTALB, 2015)

Salajdin SALIHU

Linditë Ahmeti, poete, eseiste, studiuese dhe përkthyese, është zëri autentik në letërsinë bashkëkohore shqipe. Ka diplomuar për letërsi klasike në Shkup dhe ka specializuar për filologji klasike në Universitetin e Shkupit, me temën e masterit: ”Erosi dhe Amori si paradigma letrare në lirikën antike”.

Lindita Ahmeti u shfaq në botën letrare shqiptare në fillim të viteve 90 të shekullit 20. Ajo është poete e më së paku dy shekujve. Është pjesëtare e brezit të poetëve të post – komunizmit, që sollën diskurs dhe sensibilitet të ri krijues. Kjo kohë i dha letërsisë shqipe disa emra të njohur poetësh, që krijojnë në vise të ndryshme ku flitet shqip dhe më gjerë.

Lindita Ahmeti është autore e disa librave me poezi, gjegjësisht: “Mjedra dhe bluz” (1993), “Ishulli adular “ (1996), “Brezi i Zonjës” (2000), “Vetë përballë erosit” (2004), “Lulja alba” (2008), “Nga mështeknaja e babait me mallëngjim” (2015) dhe “Dhoma pa derën dalëse” (2016). Katër libra të saj janë përkthyer në gjuhën maqedonase: “Камена месечина” (1998), “Син сон” (2002), “Призивање во април” (2007) dhe “Утрешните монети” (2011), kurse në gjuhën bullgare i është botuar libri “Пролетен копнеж” (2008).

Poezitë i janë përkthyer dhe prezantuar në shumë antologji e panorama kombëtare e ndërkombëtare. Librat e saj janë shpërblyer me çmime prestigjioze për letërsi. Për poezinë e Linditë Ahmetit janë shkruar shumë studime e recensione prej studiuesve e kritikëve të njohur shqiptarë dhe të huaj.

***

Linditë Ahmeti është rritur në një botë rrethuar me libra, në familje artdashësish, pranë një babai shkrimtar, Xhabir Ahmetit, një të dashuruari pas gjuhës dhe pas “fjalëve plaka e të harrueme”, siç thotë Pjetër Bogdani.

Ajo është poetja që i dalin zot tre qytete: Shkupi, Tetova e Prizreni. Ashtu siç ndodhi me Homerin, ashtu sikurse ndodh me çdo emër të veçantë të letërsisë. Lindita është e të gjithë qyteteve tona. Ajo është poete që e dëshiron secila hapësirë dhe kohë. Pa ekzagjerim. I përket atdheut të letërsisë.

Kjo poete par exellence kryesisht e krijon vargun e lirë, të qetë, të rrjedhshëm, me balancë mahnitëse ndërmjet erudicionit dhe emocionit; të gërshetimit të kohës historike me atë mitike, njërës lineare e tjetrës unazore, njërës njëdrejtimëshe e tjetrës ciklike. Është poezi ku gërshetohen imazhe të kohës sonë dhe të mitologjive të ndryshme: greke, romake, ilire etj.

Poezia e saj shpesh ngjan si prozë poetike. Me bukurinë reflektuese na kujton thënien antologjike të Ferlingetit: “Poezia moderne është prozë, por ajo thotë shumë”.

***

Lindita është e heshtur. Ajo jeton në botën e heshtur. Ajo jeton me poezinë si rrallë poete tjetër. Ajo është poezia vetë. Në mes librash e dëgjon muzikën e heshtjes. Për ta përjetuar muzikën e kësaj bote nuk mjafton të dëgjosh tingujt, por heshtjen, ashtu si një Bethoven, që prej heshtjes çlironte muzikën e kohërave dhe ëndrrave e ia falte botës sonë të zhurmshme.

Kur e lexon poezinë e Linditë Ahmetit e ndjen triumfin e gjuhës së harruar, gjuhës së ëndrrës, të figuracionit, kundrejt gjuhës së përditshmërisë, të klisheve e refreneve, zhveshur nga mendimi i thellë. Je pjesë e një ëndrre, e një parabote, e një përtejbote, e një tejbote.

Poezia e saj është zëri i atyre që kanë ikur, i bashkuar me zërin tonë dhe të atyre që do të vijnë. Është zëri i të vdekurve i shumëfishuar nga goja e një foshnje. Është klithje në humnerë dhe njëkohësisht ledhatim përjetësie mbi ballin e një vdekatari, siç thonë poetët. Është gjithçkaja dhe asgjëja për të cilën kemi nevojë. Është e bukura që na duhej dhe na duhet, pa merakun e të qenit e dobishme. Është paqja me mendimet, me ndjenjat, me ëndrrat dhe me vizionet tona për një botë më të mirë nga çfarë e kemi. Është bukuria shituese dhe shpëtimtare e kësaj bote të ngulfatur nga vargonjtë e ligësisë. Është e përhershmja që ushqehet nga ambrozi dhe nektari i gjuhës. Është kënga e Hyjit në universin e qenësisë. Është ishulli i qetësisë ku strehohemi për të ikur nga rutina e refreni. Është atdheu pafundësisht i gjerë në kohë dhe hapësirë. Është fjala Njeri që mposht Sfinksin. Është zbulesa e të gjitha të mirave që i erdhën kësaj bote, që nga koha e fëmijërisë njerëzore e deri në kohën tonë. Poezia e Lindita Ahmetit i ngjan një ajsbergu, sepse pjesa më e madhe e asaj që nuk e shohim mbetet diku në thellësi.

***

Le të përkulemi përpara të thjeshtës madhështore, të heshturës që thotë shumë, Linditë Ahmetit . Është fat i madh për letërsinë tonë që ka një poete si ajo.

Libri i saj i ri “Nga mështeknaja e babait me mallëngjim”, i botuar nga Portalb, më 2015, është mrekulli estetike, një realitet i thellë simbolik, i sajuar me hirin e miteve të lashta sa njerëzimi dhe me imazhet e botës sonë. Ky libër nuk është i lehtë për t’u lexuar pa parapërgatitje; si çdo libër i veçantë, i thellë, shumështresor, ku janë dendësuar grimca mitesh e kulturash të ndryshme, që na flasin me gjuhë të harruar shenjtësh e hyjnish. Është libër që duhet lexuar dhe pas një kohe duhet rilexuar; një libër nga një poete që Hyji nuk ja kurseu dhuntinë krijuese.

Ky emër do të njihet edhe kur të jenë harruar shumë protagonistë të kohës sonë, që flasin shumë dhe ende nuk kanë thënë diçka të re. Lum ajo letërsi që e ka një poete si Lindita Ahmeti dhe mjerë ajo kulturë që nuk di ta çmojë një dhuratë të këtillë!

Linditë Ahmeti është maestro e gjuhës, gdhendëse deri në përsosmëri e vargut, sajuese e një tejbote në mënyrën më të mirë të mundshme, ku gërshetohet mitikja (si paraqitje simbolike e njeriut dhe botës apo si kujtesë që pret të deshifrohet pambarimisht) me paraqitjen simbolike të botës tonë.

Këtë mrekulli estetike ajo e ka sajuar nëpërmjet shpikjes më të madhe të njeriut – gjuhës, falë së cilës njeriu u shndërrua në qenie simbolike, qenie kulturore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button