Analizë: Për 1 vend pune – 12 të papunësuar!

Masë e re qeveritare për vetëpunësim – shteti do të subvencionojë rrogë për 125 persona të papunësuar deri në 29 vjet. Sipas ministrit për punë dhe politikë sociale, Dime Spasov, kjo do të jetë edhe një masë aktive për zvogëlimin e papunësisë. Nga buxheti do të ndahen 207 mijë euro. Ata punëdhënës se do të vendosin të punësojnë person të këtillë nga shteti do të marrë subvencion për 6 muaj, me obligim që punëtorin ta mbajnë në punë edhe gjashtë muaj të tjerë. Sa dhe çfarë efekti kanë pasur masat qeveritare për vetëpunësim dhe punësim? Ofrohen kredi dhe subvencione, por edhe obligime për atë që dëshiron të fitojë para buxhetore. Çka ndodh në tregun e punës – në sektorin privat janë të lira mbi 7.000 vende pune, ndërsa punë kërkojnë mbi 93.000 persona.

Mungesë kamarierësh, banakierëshe dhe punëtorësh të përgjithshëm?
Përqindje më të lartë të papunësisë ka te të rinjtë që janë të aftë për punë. Sipas matjeve të fundit të Entit për statistikë që janë në dispozicion, në çerekur e dytë të këtij viti përqindja e papunësisë te personat e moshës prej 15 deri në 24 vjet është pothuajse 52%, pastaj vijnë personat e moshës prej 25 deri në 49 vjet, te të cilët përqindja e papunësisë është 27,2%. Vetëm këto dy grupe, sipas statistikës, përfshijnë mbi 219 mijë të papunësuar.

Masa e re qeveritare për vetëpunësim do të jetë shans për 125 të rinj, por me kusht që ata të jenë shfrytëzues të ndihmës sociale dhe të jenë të regjistruar si kërkues aktivë të punës. Kur ministri për punë dhe politikë sociale e shpalli konkursin, nuk publikoi analizë se sa qytetarë me status të këtillë janë kandidatë potencialë për subvencion shtetëror.

Shteti në periudhë prej 6 muajsh do të sigurojë subvencion prej 1.700 eurosh, ndërsa punëdhënësi do të duhet ta mbajë punëtosrin edhe 6 muaj, që do të thotë se në këtë mënyrë fitohet punë e garantuar për një vit. Sa do të jetë interesimi i sektorit privat, do të analizohet pas 20 dhjetorit, kur përfundon shpallja. Në ndërkohë biznesmenët, thonë se të gjitha masat që zbatohen duhet të bazohen në analiza të qarta dhe precize për atë që ndodh në tregun e punës.

“Përgjigja, sipas meje duhet të kërkohet në dy pika. E para, për çfarë lloj kuadri kanë nevojë kompanitë dhe e dyta, çfarë lloj fuqie punëtore ofrohet në treg. Kështu, tani ballafaqohemi me nevojë për fuqi punëtore me kualifikim të lartë që do të mund të udhëheqë me proceset teknologjike të TI-së në ndërtimtari, bujqësi, telekomunikime. Parashtrohet pyetja se sa dhe a mund të papunësuarit t’u përgjigjen trendeve të reja”, thotë Mile Boshkov, kryetar i Organizatës së punëdhënësve.

Sipas matjeve të Agjencisë për punësim të bëra në muajin tetor, në vend ka 224.157 të papunësuar, prej tyre 41,6% janë në listën e kërkuesve aktivë të punës, ndërsa 58,4% janë kërkues pasivë të punës.
 
Nga ana tjetër, në tregun e punës, biznesi privat ka paraqitur se ka nevojë për 7.381 punëtorë, ose nëse bëhet një llogaritje vetëm në raport me ata që kërkojnë punë në mënyrë aktive, atëherë fitohet përshtypjsa se për një vend pune do të luftonin diçka më shumë se 12 të papunësuar. Përderisa biznesmenët thonë se mungesë më të madhe ka te fuqia punëtore me kualifikim të lartë, analiza në tregun e punës tregon se më të kërkuar janë punëtorët me arsim të ulët. Ja në cilët sektorë ka numër më të madh të vendeve të lira të punës:

Shitës                                  687
Punëtor i përgjithshëm       598
Kamarier                             416
Banakier                             236

Në listën e “Profesioneve me numër më të madh të vendeve të lira të punës” u gjetën edhe dy profesione për të cilat nevojitet arsim i lartë. Në tregun e punës ka nevojë për 108 inxhinjerë të ndërtimtarisë dhe 54 programues kompjuterikë.

Analizuar sipas veprimtarive, numër më të madh të vendeve të lira të punës ka në industrinë e përpunimit të ushqimit, pastaj në tregti dhe në hotelieri.

Ja në cilat veprimtari të tjera dhe sa vende të lira pune ka pasur në tetor:

Veprimtaritë financiare, sigurimet                       513
Transport, magazinim                                           379
Bujqësi, pylltari                                                     272
Ndërtimtari                                                            242
Veprimtari profesionale, shkencore                     293

Që t’i stimulojë punësimet në sektorin privat, qeveria realizoi disa programe, duke filluar nga kreditimi e deri te subvencionimi i punësimeve të reja.

Grante shtetërore dhe kredi të lira – cilat janë kushtet?

Masat aktive për punësim duhet të japin efekt për zvogëlimin të konsiderueshëm të papunësisë, dhe është i arsyeshëm interesimi për të fituar ndonjë kredi të lirë shtetërore për vetëpunësim ose subvencion për të punësuarit e rinj, por nga ana tjetër, duhet të hapet çështja se me çfarë kushtesh ofrohen paratë buxhetore dhe cilat janë obligimet e shfrytëzuesve – komentojnë ekspertët.

Qeveria ofroi disa pako me masa: mjete të pakthyeshme për biznes personal në vlerë prej 3.300 eurosh, vetëpunësim me kredi prej 3.000 deri në 9.000 euro, financim i të punësuarve të rinj me shumë prej 1.500 deri në 7.500 euro.

Ekspertët thonë se për të parë efektet duhet pritur momentu kur njerëzit që i kanë marë kreditë do të duhet të fillojnë edhe t’i kthejnë ato. 

“Këto linja kreditore duhet të jenë me jenë me kushte jashtëzakonisht të volitshme, me grejs-periudhë prej së paku 3 vitesh që të jenë të levërdishme për biznesin. Mu bizneset e vogla, fillestare, janë më të lëndueshëm, te ato “vdekshmëria” ka përqindje më të lartë. Të dhënat tregojnë se ato vdesin pas 5 viteve të para, ose madje 80% e bizneseve të vogla nuk arrijnë ta mbijetojnë periudhën pesëvjeçare”, sqaron për “Portalb”-in profesoresha Marija Zarezankova Potevska dhe shton:
 
“Qëllimi i masave qeveritare pët vetëpunësim nuk duhet të jetë vetëm hapja afatshkurtër e biznesit, por edhe qëndrueshmëria e tij dhe krijimi i vendeve të reja të punës”. Ajo thekson se për dallim nga vendi jonë, Bashkimi Evropian nuk mendon vetëm se si të hapen biznese të reja të vogla, por edhe si të sigurohet qëndrueshmëria e tyre. 

Qeveri është e bindur se masat japin efekt dhe sipas ministrit përkatës, 90% e bizneseve të hapura kanë qenë të suksesshme.

Ata që nuk kanë pasur sukses, në qoftë se edhe pas kalimit të dy muajve pas hapjes së biznesit nuk kanë realizuar asnjë transaksion financiar nëpërmjet DHP-së, do të marrin vërejtje, ndërsa pas muajit të tretë nga dorëzimi i vëretjes do të duhet t’i kthejnë mjetet që i kanë marrë nga shteti. Në qoftë se, për shembull, shfrytëzuesi e ndërpret kryerjen e veprimtarisë para se të kalojnë 1 gjegjësisht 2 vjet nga data e regjistrimit të biznesit, ai është i obliguar menjëherë të punësojë ndonjë person tjetër edhe atë nga evidenca e të papunësuarve. Kreditë që i marrin shfrytëzuesit, janë siguruar me garancë (hipotekë) dhe ata janë të obliguar që këstet t’i paguajnë në kohë, përndryshe bankat do ta aktivizojnë pagesën e dhunshme.

70% e bizneseve në vend bëjnë pjesë në grupin e “firmave të vogla dhe të mesme” dhe në to janë të punësuar  mbi 70% e numrit të përgjithshëm të të punësuarve. Bizneset e vogla dhe të mesme marrin pjesë në krijimin e 50% të Prodhimit të brendshëm bruto.

Aneta Dodevska, Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button