Guardiola merr frymë, rikthehen Ribery-Shaqiri

Kampionët e Europës dhe Gjermanisë, Bayern Munchen, nuk kanë qënë kurrë në një situatë kaq të vështirë përsa u përket dëmtimeve.

Nga ana tjetër, bavarezët i kanë dhënë Pep Guardiolës edhe skuadrën me kapacitetet dhe kualitetet më të lartë në Gjermani dhe Europë.

 Trajneri katalanas është ankuar nga dëmtimet. Deri tani atij i mungojnë: Badstuber, Schweinsteiger, Pizarro, Lahm, Shaqiri dhe Ribery.

Teksa kaloi me sukses edhe modestët e Eintracht Braunschweig, në prag të ndeshjes së Kupës së Gjermanisë ndaj Augsburg ditën e mërkurë, Drejtori Sportiv i Bayernit, Matthias Sammer, ka dhënë lajme të mira, duke pohuar rikthimin e dy lojtarëve kyç për Guardiolën.

“Dita-ditës po marrim frymë. Lajmi i mirë për ne është se për të mërkurën presim të jenë gati edhe dy lojtarë të tjerë, të cilët do ia lehtësonin më shumë punën trajnerit tonë”, komunikoi Sammer, duke shtuar: “Çdo lojtar është i rëndësishëm për ne. Ata i japin forcë ekipit duke qenë edhe në stol. Në Augsburg duhet të paraqitemi në formë të mirë. Shpresoj që dy lojtarët të marrin dritën jeshile nga trajneri për të qenë pjesë aktive e ndeshjes”.

Edhe pse Drejtori Sportiv i bavarezëve nuk bëri të ditur emrat, mediat gjermane, duke iu referuar burimeve të tyre, kanë zbuluar se ndaj Augsburgut në Kupë do rikthehen Franck Ribery dhe Xherdan Shaqiri.

Mesfushori francez nuk mori dot pjesë në tri ndeshjet e fundit, për shkak të dhimbjeve në brinjën e 10-të, ndërsa Xherdan Shaqiri, pas tërheqjes muskulore më 11 tetor kundër Shqipërisë, do jetë gati për Augsburg dhe Botërorin e Klubeve. 

Lajme të ngjashme

Back to top button