Maqedoni: Mediat nën kontroll të pushtetit

Maqedonia si shtet, gjithnjë e më shumë shënon rënie në të gjitha listat ndërkombëtare sa i përket lirisë së shprehjes, thonë gazetarët në Maqedoni, duke vlerësuar se pushteti ka vënë nën kontroll çdo pjesë të eterit mediatik, njofton REL.

Sipas tyre, ky kontroll bëhet përmes mekanizmave të ndryshëm, siç është dënimi i gazetarëve të cilët shprehin mendime kritike ndaj punës së qeverisë si dhe financimi i mediave nga arka e shtetit përmes reklamimit të aktiviteteve të ndryshme të qeverisë.

Por, autoritetet shtetërore kanë dhënë arsyetimet se organizatat ndërkombëtare që në fokus kanë mediat, nuk paraqesin realitetin e eterit mediatik.

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani, thotë se Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, organizata që përfaqëson, e shënon përpara burgut hetues të Shkupit, ku mbahet në paraburgim gazetari Zoran Bozhinovski, i akuzuar për, siç thuhet, spiunim. Selmani thotë se është absurde që të dënohen gazetarët për spiunim në kohën që pushteti akuzohet për përgjime masive.

“Ju e dini se në Maqedoni gazetarët rrihen, përgjohen, diskreditohen, u bëhet presion I vazhdueshëm nga ana e strukturave udhëheqëse të shtetit me të vetmin qëllim që ata të mos merren me keqpërdorimet e pushtetit. Madje kemi dhe gazetarë të arrestuar në burg me akuza absurde, ndërkohë që ky pushtet akuzohet për përgjim masiv”.

“Është, do të thosha, perverzitet të akuzohen gazetarët për spiunim siç është rasti i gazetarit Zoran Bozhinovski. Nuk mund të akuzohen gazetarët për veprime kriminale kur krerët e pushtetit amnistohen nga presidenti i shtetit për vepra të rënda kriminale”, thekson Naser Selmani.

Ndërkaq Branko Gerovski, i cili punon tre dekada si gazetar, thotë se punonjësit në media nuk duhet të lejojnë të bëhen bashkëpunëtorë të “vrasjes së lirisë së shtypit” pavarësisht nga presioni shumë i madh që u bëhet atyre nga ana e pushtetit përmes formave të ndryshme.

“Ky regjim arriti që të vendos nën kontroll pjesën më të madhe të mediave në Maqedoni përmes mjeteve të majme që derdhen në konton e tyre nga arka e shtetit per të promovuar aktivitet e ndryshme të qeverisë. Praktikisht një pjesë e mediave për përfitime personale u bënë bashkëpunëtorë të ngufatjes së fjalës së lirë”.

“Ajo që për momentin i nevojitet Maqedonisë është krijimi i mediave të reja, madje mediave të fuqishme të pavarura dhe në këtë mënyrë të krijohet një prularizëm në tregun mediatik për të treguar ndryshimet, gjegjësisht edhe anën tjetër të së vërtetës”, thekson Banko Gerovski.

Nga ana tjetër, Nazim Rashiti gazetar, konsideron se reagimi i gazetarëve duhet të jetë më i fuqishëm, duke mos e fokusuar çështjen vetëm tek ata.

“Publiku shpesh diskutimin rreth lirisë së shprehjes e merr si një shqetësim vetëm për gazetarët. Në fakt, liria e shprehjes është një shqetësim më i madh, është një nga të drejtat themelore të njeriut për të cilën duhet të shqetësohen të gjithë qytetarët. Kur gazetarët flasin, ngrenë zërin për lirinë e mediave, duket se ata e mbrojnë veten, ndoshta kjo është dhe arsyeja pse nuk artikulohet aq fuqishëm problemi në fjalë”.

“Prandaj një nga çështjet që duhet ta bëjnë me urgjencë gazetarët është që të punojnë me opinionin për të shpjeguar se liria e shprehjes paraqet një nga të drejtat fondamentale të njeriut, vlerave evropiane kah të cilat shoqëria ynë synon të shkojë përpara”, thekson Nazim Rashidi.

Ndryshe në raportin e fundit të organizatës për të drejtat e njeriut, “Freedom House”, Maqedonia si shtet, nga vendi “pjesërisht i lirë”, ka kaluar në vendin e 136-të, apo në grupin e vendeve të cilësuara si “aspak të lira”, ku bën pjesë Rusia, Turqia dhe vende tjera në kontinentin aziatik dhe afrikan.

Në indeksin e publikuar të lirisë së mediave nga “Reporterët pa Kufij”, Maqedonia gjatë vitit 2015 u radhit në vendin e 118-të, përderisa vetëm 9 vite më herët ishte në vendin e 83-të, përkatësisht 35 vende më lart sa i përket lirisë së shprehjes.

Problem më vete ndërkaq është fakti se nuk po gjen përkrahje as miratimi i ligjit të ri për punën e mediave si një nga pikat kyçe të marrëveshjes politike të Përzhinos që vendin duhet ta nxjerrë nga kriza.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button