Shkup, edhe një konkurs për gjykatës dhe prokurorë

Edhe pse ende nuk ka përfunduar konkursi për pranimin e gjeneratës së re të kandidatëve për gjykatës dhe prokurorë, do të hapet një i ri.

Sipas kumtesës së Ministrisë së Drejtësisë, do të pranohen edhe 60 kandidatë të rinj për të ndjekur trajnimin në Akademinë për gjykatës dhe prokurorë që më pas do ta ushtrojnë profesionin e prokurorit publik.

Kjo u bë e ditur në takimin e ministrit të Drejtësisë, Valdet Xhaferi me drejtoreshën e Akademisë për gjykatës dhe prokurorë, gjykatësen Aneta Arnaudova.

Gjatë këtij takimi, drejtoresha Arnaudova njoftoi për rrjedhën e punës në Akademi, për pranimin e gjeneratës së re të kandidatëve për gjykatës dhe prokurorë, si dhe për trajnimin e vazhdueshëm që rrjedh për gjykatësit, prokurorët dhe stafin administrativ në gjyqësor dhe prokurori.

Xhaferi, sipas komunikatës, ka theksuar nevojën e përfaqësimit adekuat të të gjitha bashkësive në gjeneratat e ardhshme që do të pranohen për të ndjekur trajnimet në Akademi, me qëllim të arritjes sa më të shpejtë të përfaqësimit real dhe proporcional në gjyqësor dhe prokurori.

Në vitet e fundit gjyqësori i Maqedonisë është kritikuar shumë në raportet ndërkombëtare të cilët theksojnë se puna e tij është e politizuar dhe gjykimet nuk janë të drejta. Raporti më i ri vjen nga Grupi Ndërkombëtar për Kriza i cili thekson se Maqedonia është në grupin e vendeve ku gjendja në përgjithësi po përkeqësohet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button