Kush është shqiptarja që mori çmimin “Gruaja e Vitit 2016” nga Kongresi Amerikan?

Mrika Krasniqi është nderuar  me çmimin “Gruaja e Vitit 2016” nga Kongresi Amerikan për punën ndërkombëtare në fushën e artit, kulturës dhe biznesit. Me kërkesë nga Senatori i Nju-Jorkut, Senator Charles E. Schumer, në Kongresin Amerikan ngrihet flamuri Amerikan për nder të Mrika Krasniqit, si një grua frymëzuese dhe  figurë e shquar, e cila ka krijuar marrëdhënie shumëpalëshe nëpërmjet artit dhe biznesit mes Amerikës, Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Italisë.

“Për çdo vlerësim që marr ndjej privilegj dhe shumë përgjegjësi”,- është shprehur Mrika Krasniqi në një prononcim për ATSH-në, kur është pyetur si ndihet për këtë vlerësim: “Është privilegj që puna jote profesionale vlerësohet dhe përgjegjësi që duhet vazhduar të punosh më shumë që të meritosh çdo titull që mban: “Çmimin ua dedikoj të gjitha grave pa dallim, që sakrifikojnë veten e tyre për ta vënë në shërbim të një kauze të caktuar, e që i tejkalon interesat personale”,- tha ajo.

Realizuese e një sërë dokumentarësh e veprash me një rezultante suksesi dhe me shume çmime ndërkombëtare, Mrika është sot ideatore dhe organizatore e  Albanian Week Film Festival” në Nju Jork.  100 filma janë shfaqur në edicionin e parë më 2012 në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, sikundër ky aktivitet ka vijuar dhe në edicionet e tjera të zhvillohet me sukses të plotë.

Filmat u shfaqen në tri kinema amerikane dhe u bë një jehonë e madhe. Një regjisor nga Shqipëria i pati thënë: “Vetëm një e çmendur mund ta bëjë këtë”. Por Mrika Krasniqi e  bëri bashkë me njerëzit e saj të cilët i qëndruan pranë.  Artistja e njohur ka kompaninë e saj të produksionit  “Nil Production” me seli në Prishtinë dhe Nju Jork. Në Prishtinë ka ekipin e saj që punon prej dhjetë vjetësh. Së bashku kanë realizuar filma, seriale, dokumentare. Kanë mësuar bashkë, kanë gabuar bashkë, kanë  humbur e fituar bashkë dhe nuk janë dorëzuar kurrë.  Kanë punuar gjithë farë punësh për të mbijetuar, reklama, spote, fushata, programe dhe organizime nga më të ndryshmet por gjithmonë kanë mbajtur njëri-tjetrin.

Kur e pyet për imazhin e gruas sot, Mrika Krasniqi thotë se gruaja shqiptare duhet të punojë më shumë në ngritjen e imazhit të saj . “Nuk është e lehtë… as për mua nuk ishte e lehtë, thjesht, unë guxova të gaboj!”

Në intervistën dhënë për librin “Zonjat shqiptare në Nju Jork”, Mrika Krasniqi thotë se nuk jeton vetëm në Nju-Jork, se për të duket argëtuese fakti se udhëton në botë duke takuar njerëz të ndryshëm, por jo gjithmonë punët janë aq argëtuese. Ajo thotë se metropolet e mëdha ofrojnë mundësi të mëdha, por kërkojnë punë dhe energji maksimale, për të mos thënë kolosale.

Në shkurt të vitit të kaluar artistja shqiptare Mrika Krasniqi u nderua me çmimin “Best Human Artist 2015” nga  Komiteti Europian i Artistëve Hebrej në Paris, Francë.  Një nga veprat  më të fundit të realizuar nga Mrika Krasniqit është dokumentari “You are not alone”, i cili u kushtohet fëmijëve me sindromën Down.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button