Kumanovë, një vit pas ngjarjeve të 9 majit, banorët kërkojnë përgjigje (VIDEO-FOTO)

Një vit pas konfliktit të armatosur në Kumanovë, qytetarët e këtij qyteti akoma nuk kanë përgjigje se çfarë në fakt ndodhi në qytetin e tyre. Edhe pse koha kalon dhe gjendja është e qetë, kujtimet nga 9 maji janë ende të freskëta dhe shkaktojnë shqetësime te kumanovarët.

Jo më shumë se një vit më parë ‘Lagjja e Trimave’ ishte një nga lagjet më të gjalla të qytetit. Jeta e mëhallës dhe lojëra e fëmijëve në rrugë si dhe shakatë mes miqve e vizitat mes banorëve, ishin një pamje tipike ditore në këtë pjesë të Kumanovës.

Por pas konfliktit të armatosur më 9 maj shumë gjëra ndryshuan në këtë lagje. Rrallë mund të shohësh fëmijë e të rinj, për të mos thënë fare. Pamja e shtëpive që ishin të shkatërruara nga plumbat dhe të cilat ende janë pambaruara, e përkujtojnë për çdo dite tmerrin që ndodhi para një viti. Banorët me emocione të veçanta tregojnë se çfarë pasoja u kanë shkaktuar ngjarjet dhe si ua kanë ndryshuar jetën.

1

Muhamet Aliti i cili jeton në këtë pjesë të qytetit thotë se asnjëherë nuk do ta harron këtë ditë.

LEXO: ‘Lagjja e Trimave’-Kumanovë: nostalgji për jetën para përleshjes së 9 majit (FOTO)

“Shumë shpesh dëshiroj të mos e përjetojmë më një ditë si 9 Maji, sepse ka qenë diçka që askush nuk e ka pritur dhe nuk e ka parashikuar se do të ndodhte… Më kujtohet fillimi i luftës në vitin 1991, në të cilën dhe vetë isha pjesëmarrës; pastaj lufta e Kosovës e 99-tës; 2001-shi… për të gjitha këto prej fillimit e kemi ditur se çfarë do të ndodhte. Por  9 Maji ka qenë i paparashikueshëm”, sqaroi Aliti.

Sipas tij, 9 Maji ka ndryshuar shumë gjëra, sidomos nga aspekti i sigurisë. Ai mendon se edhe nëse nuk ndodhë asgjë, kjo ngjarje është e fiksuar në mendjen e njerëzve.

Lëvizja është e kufizuar, njerëzit nuk ndjehen të sigurt në jetën e natës si më parë: që të dalin në kafenenë që duan dhe të qëndrojnë sa të duan pa e shikuar orën dhe pa frikë se mund t’iu ndodh diçka gjatë rrugës.

“Po edhe tregtarët nuk ndjehen të sigurt t’i investojnë tërë paratë e tyre në mall, nga frika se gjithçka mund të ndodh e t’i humbasë paratë e investuara. Mundohemi të bëjmë jetë normale, por nuk mundemi. Sikur të mos na mjaftonte kriza ekonomike, që mezi arrijmë t’i sigurojmë të gjitha gjërat e nevojshme e t’i paguajmë faturat, derisa të jetë kjo qeveri kemi edhe krizën e sigurisë”, shton Aliti.

2

LEXO: Anulohet seanca e sotme gjyqësore e rastit “Lagjja e Trimave”, policia nuk ka kapacitet për siguri

“9 Maji” solli krizë sigurie, akoma të pakalueshme

Shqetësimi tek qytetarët shkakton pyetje të cilat mbetën të papërgjigjur në opinion, për atë se çfarë në fakt ndodhi atë ditë, kur të shtëna të fuqishme e tronditën qytetin.

Një vajzë e re 22 vjeçare, e cila dëshironte të mbetet anonime, thotë se 9 maji ishte dita më e keqe në jetën e saj.

“Po e kujtoj 9 Majin shumë shpesh dhe sa herë e kujtoj më rrëqethet trupi. Ka qenë dita më e frikshme në jetën time, nga e cila jo vetëm unë por të gjithë kemi përfituar stres. Momenti më i keq që e kujtoj nga ajo ditë ka qenë momenti kur fqiu na porositi të mos kemi frikë se policia mund të vinte edhe tek ne, të na e bastiste shtëpinë. U frikësova se mos ndoshta do të na maltretojnë, a do ta marrin vëllain tim, se ishte më i riu. Ndërsa babai im nuk ishte me ne, ishte jashtë vendit.”, shtoi ajo.

E pyetur se a është normalizuar jeta e saj një vit pas ngjarjeve të 9 majit, ajo tha se jeta e saj nuk është normalizuar aspak.

3

Kryetari i Komunës së Kumanovës, Zoran Damjanovski – Cic, thotë se në Kumanovë nuk ka incidente ndëretnike, por nuk kanë as një garanci se ngjarje të tilla nuk do të përsëriten pasi që ai mendon se vet kriza politike në Maqedoni paraqet parakusht për kundërpërgjigje ndëretnike terroriste nga ndonjë grup militant.

“Kriza politike nuk u jep qetësi qytetarëve pasi që nuk mund të ndërtojmë shoqëri civile multietnike deri sa vazhdon kjo krizë. Ky aksion ka shkatërruar shumë gjëra, kishte rrezik nga ndarje etnike, por nuk lejuam që kjo të eskaloj. Jam krenarë që arritëm ti kundërshtohemi mundësisë që të ndahemi në bazë etnike”, shton Damjanovski.

Sipas tij, Komuna ka rinovuar kanalizimin dhe infrastrukturën si dhe pjesën më të madhe të shtëpive të cilat ishin të dëmtuara gjatë incidentit.

Sipas Shaban Demirit, kryetar i ‘Shtabit të krizës’, gjendja në lagje nuk është e lakmueshme, sepse infrastruktura, gjegjësisht kanalizimi, ujësjellësi dhe asfaltimi nuk janë përfunduar. Shtëpitë e atyre që kanë marrë vetëm dëmshpërblim nuk janë përfunduar përveç atyre të cilët kanë edhe të ardhura tjera nga të cilat kanë mundur të  shtojnë mjete për perfundimin e shtëpive. Kështu një pjesë e shtëpive janë ende të pabanuara dhe banorët nuk janë kthyer akoma, siç theksoi “nuk kanë ku të kthehen”.

6

“Të gjithë familjet janë dëmshpërblyer, përveç familjeve të katër personave që ishin të paraburgosur. Një pjesë janë të kënaqur, por ka edhe disa që nuk kanë arritur as karabinën ta ndërtojnë me paratë që i kanë marrë nga dëmshpërblimin. Kanalizimi akoma nuk është i përfunduar dhe të gjithë familjet nuk janë kthyer pasi që nuk kanë kushte për jetë”, thotë Demiri.

Ndërkohë një pjesë e banorëve të ‘Lagjes së Trimave’ sot në ora 14:00 organizojnë marsh në Kumanovë në shenjë revolti ndaj drejtësisë së vonuar, mos-zbardhjes së rasteve dhe prolongimit të vendimit gjyqësor për të akuzuarit.

Këshilli opozitarë i shqiptarëve, i cili përbëhet nga partia BESA dhe nga disa organizata joqeveritare, me protestë sot në Shkup do ta shprehin pakënaqësinë nga trajtimi i cili e bën shteti. Ata paralajmëruan se do ti japin mbështetje Prokurorisë Speciale Publike dhe përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare për dalje nga kriza politike. Protesta është e paralajmëruar të filloj në ora 17:30, në kohë të ngjashme me protestat që organizohen çdo ditë në ora 18:00 dhe akoma është e paqartë se a do të bashkohen të dy protestat.

Gjatë konfliktit të armatosur që ndodhi në ‘Lagjen e Trimave’ më 9 dhe 10 maj të këtij viti, ishin vrarë 10 anëtarë të grupit të armatosur, 8 pjesëtarë të policisë maqedonase dhe 37 të tjerë u lënduan. Për rastin në fjalë fillimisht ishin arrestuar tridhjetë persona dhe 7 tjerë në aksionin policor të tetorit. U dëmtuan 127 familje apo gjithsej 549 banorë; 26 shtëpi u dëmtuan pjesërisht, ndërsa 17 tërësisht.

Anesa Aliti – Kristina Ozimec

Kjo storje është e prodhuar përmes bashkëpunimit midis NOVA TV dhe PORTALB.

4

5

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button