QENI DHE PANAMERA

Njeriu është një qenie garuese, vetë konkurron me të tjerët, por edhe vë vegla a qenie të tjera që e bëjnë atë t’i kënaqet fitores, të bëjë festë vetë dhe me miqtë, me komunitetin për t’iu gëzuar fitores. Për hir të këtij pasioni dikur kanë funksionuar arenat, romake dhe të tjera, sot janë stadiumet, terrenet e ndryshme ku njerëzit hyjnë të qetë, qëndrojnë të stresuar, gufojnë për të fituar, e dalin të gëzuar, të nervozuar, të dëshpëruar, madje shpesh edhe të animalizuar, të pakontrolluar, të tërbuar. Kohëve të fundit këndej kah ne, në rrethinën e Shkupit dhe Tetovës (por edhe në Kosovë) po përhapet një fenomen i paqenë dikur, madje edhe nëse ka qenë, ka ekzistuar vetëm në mes të barinjve të dikurshëm, ndërsa ditëve tonë është pjesë e njerëzve të azdisur, të atyre që s’dinë se çfarë të bëjnë me paratë e tyre dhe kanë zgjedhur një hobi shumë banal: luftën mes qenve. Këtë “spektakël” rinor e konstatova edhe vetë, një ditë të diele mëngjesi kur në parkun e Sarajit, nga po shkonim me miqtë për të pirë kafe, pashë një rrëmujë makinash dhe u habita. Përgatitje për tubim partiak, herët, ndeshje fubolli, qëmoti nuk luhen aty- klitha. Dhe shokëve u thash që duhet të jetë garë qensh, që keqaz po zëvendëson pehlivanllëkun e dikurshëm që i ishte burrëror dhe i hapur. Dhe pas nja disa dhjetëra minutash, tifozët e entuziazmuar kthehen, grupe grupe duke komentuar fitoren e pasmëngjesit, të projektuar në atë kohë për t’iu ikur organeve të sigurimit. Krisma arme, britma në kor, këngë. Dhe më pas diskutojnë detajet, si ia doli qeni “jonë” ta mundë atë tjetrin. Haj mor Zot!? Që më parë kam dëgjuar se ca çuna të brezit të ri, të brezit të dytë të kapitalit shqiptar, – baballarët e të cilëve janë marrë me bujqësi e mikro-tregti, që paranë e kanë fituar me mundime e përpjekje gjithëfamiljare, që foshnjat i kanë përkundur në djepër të improvizuar nëpër ara e që kanë pirë dhallin e tharët të diellit mesditor, që s’kanë ditur ç’është pauza pos gjumit nën dardhë, – merren me një “sport” të çuditshëm, lufta e qenve, si pasion e marri. Dhe tani u vërtetova empirikisht lidhur me këtë çmenduri azdisëse, me këtë absurd rinor. Në këtë drejtim flitet për mijëra euro të investuara në mish, ushqime të tjera për “kampionin” dhe “krenarinë e katundit dhe zonës”. Ekonominë mënjanë. Pasojat janë të shumëanshme: individë dhe grupe të rinjsh që harxhojnë kohën kot, që mësojnë nga shembulli i “kampionit” dhe nga sporti jolegjitim edhe shtetërisht edhe fetarisht, edhe njerëzisht. Këta të rinj në vend që të merren me arsim, me gara se kush në cilën olimpiadë shkollore vendore, ballkanike a europiane ka fituar medalje, në vend që të shtyhen mes vete në rezultate të të arriturave shkollore a universitare, në vend që mishin e klasit të parë (kafshë të mëdha të therura) t’ua japin të varfërve nga mesi ynë, në vend që të pasurojnë biblioteka me tituj të rinj, në vend se të organizohen në sport të mirëfilltë, futboll, basketboll, tenis, hendboll etj., derdhin lekun pamëshirshëm dhe infektojnë qindra të rinj të tjera me imazhin e miniidol-qenit dhe festivaleve të hershme ditore që të tmerrojnë edhe në aspektin etik kur dëgjon për gjakderdhje, maltretime të kafshëve, gjë që bie ndesh edhe me kodet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve (shih PETA).

Anomalia numër dy nga mesi ynë. Një vizitë në një fshat të afërt dhe fëmija nëntë-dhjetëvjeçar që i grah Porsche Panameras, një veturë e shtrenjtë, e pazakontë për rrugët tona, që dikur vetëm ia kishim dëgjuar emrin dhe të gjitha veturat e ëndrrave i thirrnim ose Ferrari ose Porsche, ndërsa në rrugë hasnim Jugo, Zastava, Wartburg, ndonjë Golf, Opel Ascona a Ford Capri që sillnin kurbetqarët.  Prapë një dukuri e çuditshme, një pamje trishtuese nëse merret parasysh fakti i mënyrës së jetesës në këto dhera. Gabimi i parë, fëmija, vocrraku i rritur mendsh, “i pjekur” para kohe, i dërrmuar psikologjikisht nga prindi i vet që i jep makinën një moshe të tillë, që e vë para timonit dikë që duhet të jetë para fletoreve, librit, kompjuterit për të mësuar. Kjo s’është dashuri për fëmijën, është tradhti ndaj amanetit prindëror, është lazdrim i një qenieje të pamëkatë, është mëkatim prindëror, është vrasje edukative-kulturore e tij. Edukata nënkupton të mësuarit e fëmijës me modestinë, me të paktën, me vlerat së pari edukative, më pas hap pas hapi me ato materiale-monetare, me vegla e makina që janë të pashmangshme për kohën. Falja e dashurisë materiale, përmes gjendjes financiare të mirë e lëndon rëndë shpirtin e fëmijës që në atë moshë duhet të rritet me vlera si dashuria, respekti, mësimi, lektyra, shkolla, poezia, sporti e të ngjashme. Se ç’mendje shqiptari është kjo s’e kuptoj dot. T’i japësh një fëmije veturën të cilës edhe “Porche Macedonia” nuk ia shpalos çimimin në webfaqen e vet, me gjasë për të mos shkaktuar ufff-e te blerësit potencialë, që në disa faqe të huaja figuron nga 129.030 euro ($196,700) versioni më i lirë (4S) dhe 192.835 euro ($382,400) më i shtrenjti (Turbo). (vecernji.hr dhe drive.com.au) është vërtet “guxim”! Pseudoborgjezia, ad hoc elita jonë në veprim, dukje e çallëm kundër vetëvetes, kundër fëmijës. Injorancë e papërshkruar, hipje me nallane në plep, krekosje, babëzi. Shenjë e apokalipsës: “kur të shtohet pasuria”, “kur barinjtë këmbëzbathur, të zhveshur e të mjerë garojnë garojnë…” Në Gjermani një mik më tha se veturat ultra të shtrenjta i vozisin kryesisht pleqtë. Tek ne cullnia.  Nga gomari e Wartburgu te Cayenne. Evoluim. Po. Ama sipërfaqësor, jo qenësor, i zhdrejtë. Antiedukativ. Deprimues.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button