Vetëvendosje: PDK – LDK koalicion i hershëm në korrupsion

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot një konferencë për media rreth arrestimeve të fundit për korrupsion.

Anëtari i Kryesisë së këtij subjekti politik, Ylli Hoxha tha se rrjeti i krimit të organizuar, ai që u arrestua ditë më parë i drejtuar nga deputetit i PDK-së Azem Syla, e dëshmon qartë sistemin se si funksionon Republika e Kosovës dhe si është e kapur ajo.

“Për më tepër në këtë rrjet të udhëhequr nga një deputet i PDK-së, njëherit njeri me ndikim në kreun e kësaj partie dhe i afërt me Hashim Thaçin e Kadri Veselin, pjesëmarrës ishte edhe një drejtor komune i Isa Mustafës, dhe të gjithë së bashku ishin të lidhur me ish officer të MUP famkeqe të Serbisë”.

“Sikur në rrafshin politik e institucional ku i kemi bashkë Isa Mustafën e LDK-së, Hashim Thaçin e PDK-së, Kadri Veselin e ShIK-ut, dhe këta bashkë me Vuçiqin e Daçiqin, ashtu edhe në nëntokën e organizuar për shpronësim toke, janë bashkë eksponentë të të njëjtave grupe”.

“Kjo politikë e shtetshkatërrimit dhe e kapjes së shtetit nuk mund të funksionojë ndryshe përveç me një bashkëpunim të ngushtë në mes të kamuflazhës institucionale dhe nëntokës reale të krimit. Bashkimi në institucione në këtë rast paraqet bashkimin në krim të organizuar. Njëra pa tjetrën nuk funksionojnë dot, dhe secila është kusht i ekzistimit të tjetrës. Pa krim të organizuar nuk do të bëheshin bashkë, por edhe pa u bërë bashkë nuk do të mund të organizonin krim” ka thënë ai, transmeton Klan Kosova.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button