Shtajnmajer: Maqedonia e bllokon rrugën për në BE dhe NATO

Shefi i diplomacisë gjermane Frank Valter – Shtajnmajer e ka paralajmëruar Maqedoninë se po e bllokon rrugën drejt BE-së dhe NATO-s, shkruan DË, transmeton Portalb. Shtajnmajer dje në Berlin është takuar me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Ditmir Bushati ku në këtë takim kanë biseduar edhe për Maqedoninë, njofton Portalb.

“Shpresoj që në Maqedoni ekziston pamje reale e gjërave, sepse rritja e jo-stabilitetit dhe konfliktet afatgjate do ta bëjnë të rëndë rrugën drejt BE-së dhe NATO-së”, tha Shtajnmajer.

I pyetur që t’i komentojë sanksionet e paralajmëruara ndaj vendit nga BE, ai vlerëson se fillimisht duhet të parandalohet dhuna, edhe pse nuk sqaroi konkretisht, ai e ka kritikuar bllokimin e ndërmjetësimit të BE-së.

“Është për të ardhur keq që partitë ndërluftuese i bllokojnë tentimet e ndërmjetësimit nga ana e BE-së”, tha Shtajnmajer.

Tanimë, ky është reagimi i tretë nga Berlini për krizën në Maqedoni, pasi që presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov më 12 prill solli vendim që t’i falë apo abolojë politikanët dhe bashkëpunëtorët e tyre që janë nën hetime. Për këtë gjest u kritikua si nga faktori i brendshëm, por edhe i jashtëm, në lidhje me atë se ai po e shkelë Marrëveshjen e Përzhinos.

“Vendimi i presidentit Ivanov e shkelë Marrëveshjen e Përzhinos. Patjetër duhet të punohet për kompromis dhe të respektohet ajo që është shkruar në marrëveshje”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Martin Shefer më 20 prill 2016, transmeton Portalb.

Qeveria gjermane, javën e kaluar paralajmëroi se ekziston mundësia që të mos pranohen rezultatet e zgjedhjeve nëse ata mbahen në rrethanat aktuale.

Megjithatë, Shtajnmajer, në lidhje me krizën politike ka thënë që ajo mund të zgjidhet më lehtë nga brenda shtetit se sa nga jashtë.

Edhe pse refuzoi t’i komentojë zërat për sanksionet e BE-së ndaj Maqedonisë dhe marrjen e rekomandimit për fillim të bisedimeve, Shtajnmajer dërgoi porosi të qartë:

“Në çdo rast, kjo nuk i ndihmon afrimit të dëshiruar të Maqedonisë drejt BE-së”, tha ministri gjerman. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button