Besimi i gazetarit është e vërteta

[Recension: Lideri maqedonas organizon protesta masovike, sot mbahen në Kumanovë dhe Shtip]

Promovimi i interesit publik është mision kyç i gazetarisë. Informimi i drejtë, i saktë dhe objektiv është në favor të interesit publik. Prandaj, gazetari në asnjë moment nuk duhet të tentojë që të manipulojë me opinionin duke i dhënë lajme të pavërteta me qëllim që atë ta dezinformojë. Besimi i gazetarit është e vërteta. Dhe, kësaj duhet t’i mbetet besnik deri në fund.

downloadLinku deri te artikulli origjinal: “Lideri maqedonas organizon protesta masovike, sot mbahen në Kumanovë dhe Shtip

Data dhe koha e publikimit: 18.04.2016

Data e recensionit: 22.04.2016

Recensues: Xhenis Sulimani

Lajmi që po e recensojmë është shembull tipik se si tentohet të manipulohet publiku me lajme të pavërteta. Lajmi nis me titullin: “Lideri maqedonas organizon protesta masovike, sot mbahen në Kumanovë dhe Shtip”. Në vend që të jetë informues, titulli dezinformon. Për faktin se protestat kundër vendimit të kryetarit të Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, për ta aboluar politikan të inkriminuar janë të organizuara nga më shumë organizata dhe aktivistë, të bashkuar në lëvizjen jo- qeveritare “#Protestoj”.

“Protestat që organizohen nga lideri maqedonas, Zoran Zaev në Maqedoni vazhdojnë të radikalizohen edhe në qytetet tjera. Pas pauzës së djeshme, protestat vazhdojnë sot në orën 18 para Prokurorisë Speciale Publike në Shkup.”

Të njëjtën autori e përsërit edhe në përmbajtje duke u munduar të bindë lexuesin se Zaev është organizatori i protestave. Megjithatë askund brenda në tekst nuk ka ndonjë fakt, kumtesë apo lajmërim për ta dëshmuar atë në të cilën thirret, qoftë edhe ndonjë deklaratë të Zoran Zaev, se ky i fundit është organizator dhe bartës i protestave.

Gazetari duhet të mbajë përgjegjësi para publikut. Andaj, edhe duhet të plasojë informacione të sakta. Dhe, të mos tentojë që me vetëdije të manipulojë me opinionin. Është ndër parimet e gazetarisë që në asnjë mënyrë autori nuk bën të çorientojë publikun.

Kodi etik dhe profesional u imponon gazetarëve përgjegjësi të veçantë për fjalën e thënë publike.Ndikimin që ka një media nuk duhet ta shfrytëzojë për dezinformim. Arsenali më i fortë i mediave duhet të jetë saktësia dhe verifikueshmëria. Pa këto dy elemente media mbetet lakuriq, dhe humb kuptimin e saj. Detyrim i parë i gazetarëve është dhe duhet të jetë e vërteta.

“Përgjegjësia morale për pasaktësinë e informacionit bie mbi gazetarin, prandaj është e rëndësishme që ai vetë të ndikojë dhe të sigurojë publikimin e demantit, korigjimit ose përgjigjes në median ku informacioni është publikuar, autori i të cilit është ai. Në këtë mënyrë gazetari mbron edhe integritetin e tij, por edhe integritetin e medias ku punon”, thuhet në Kodin etik të gazetarëve.

 

Ky recension është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button