Pasuria e 10 gjyqtarëve, prokurorëve e deputetëve në Shqipëri, 40 milionë euro

Kryeinspektori i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) i Shqipërisë i tha Komisionit të Ligjeve se, vitin e kaluar ka dërguar në prokurori 84 zyrtarë për fshehje të pasurisë, por shifra që përmendi për disa prej tyre ishte tronditëse.

“Dhjetë prej tyre, të niveleve më të larta si deputetë, gjyqtarë, prokurorë, kanë së bashku 40 milionë euro pasuri, të pambuluara me burime të ligjshme finaciare dhe të pajistifikuara me dokumentacion ligjor”, citon TCh Shkëlqim Ganajn.

Paralelisht me raportin vjetor të ILDKPKI-së, në Komisionin e Ligjeve kishte mbërritur me interesimin e deputetëve të mazhorancës, informacioni nga prokuroria për gjenjden e hetimit të këtyre 84 dosjeve. Deputetët e përshkruan situatën të rëndë dhe thanë se dikush duhet të mbajë përgjegjësi.

“Sepse në përfundim ka dy gjëra: ose ju nuk e keni bërë detyrën mirë, ose Prokuroria e Përgjithshme nuk e ka bërë detyrën mirë”, tha Ulsi Manja.

“Prandaj unë këmbëngul në një zgjidhje përfundimtare, qoftë edhe të krijimit të një grupi pune të deputetëve, për të parë 158 kallëzime një për një. E nëse ka një të vetëm që çalon, unë ju sjell dorëheqjen nesër. Në të kundërt, të gjithë të tjerët duhet të mbjanë përgjegjësi”, tha Shkëlqim Ganaj.

Kryeinspektori e kishte fjalën për Prokurorinë e Përgjithshme, për të cilën tha se, bashkë me Këshillin e Lartë të Drejtësisë janë dy insitucione problematike në bashkëpunim.

“Sepse nuk përplasemi vetëm ne te Prokuroria. Nëse nuk funksionon ky mekanizëm, që është motori për të gjithë, përfundimi pastaj është zero. Dhe nuk ka sot asnjë zyrtar të lartë, që të jetë dërguar në gjyq, të jetë dënuar dhe t’i jetë sekuestruar pasuria”, tha Shkëlqim Ganaj.

Mes deputetëve socialistë ka pasur edhe zëra për shkarkimin e përgjegjësve të situatës, çfarë paralajmëron se, kur Prokurori i Përgjithshëm të raportojë së shpejti në Komision, debati të jetë edhe më i fortë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button