Siri, bombardohet një tjetër spital i “Mjekëve pa kufij”; 17 të vrarë

Një tjetër spital, i drejtuar nga organizata e bamirësisë “Mjekët pa kufij” në Siri, është kthyer në shënjestër bombardimesh, e incidenti edhe këtë radhë nuk kaloi pa viktima.

“14 pacientë dhe 3 mjekë kanë mbetur të vrarë nga sulmi ajror mbi spitalin “al Quds” të Aleppos”, thuhet në deklaratën e organizatës, që sqaron mes të tjerash se, në mesin e viktimave është edhe njëri prej pediatërve të fundit që kishin mbetur në këtë qytet.

Burime lokale mendojnë se, faji rëndon ose mbi qeverinë e Assadit, ose mbi avionët rusë, por një koment zyrtar mbi ngjarjen e rëndë, ende nuk ka.

Më herët, i dërguari i OKB-së në Siri, Staffan de Mistura u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë të ndërhyjnë në nivelin më të lartë të mundshëm, për të shpëtuar bisedimet e mundimshme të paqes.

Në komentet e bëra, pasi informoi Këshillin e Sigurisë mbi ecurinë e procesit deri më tani, De Mistura u shpreh se armëpushimi i pjesshëm i shkurtit mezi po qëndron në këmbë.

Pavarësisht pushimzjarrit, dhuna në Siri është intensifikuar ndjeshëm ditët e fundit dhe vetëm gjatë ditës së sotme, nga sulmet e të dyja palëve në konflikt, kanë humbur jetën 34 vetë e janë plagosur dhjetëra të tjerë.

Vala e fundit e dhunës vjen në mesin e raporteve se ushtria siriane, e mbështetur nga ajri prej rusëve, po përgatitet për një mësymje madhore në qytetin gjysmë të rrënuar të Aleppos.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button