Profesorët humbin kujtesën, Kule e Koni në prokurori: S’e mbajmë mend Shullazin

Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni është thirrur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për t’u pyetur në lidhje me hetimet që po zhvillohen ndaj Emiljano Shullazit, i dyshuar për kanosje për shkak të detyrës.

Për dy orë,  rektori i zgjedhur pak ditë më parë dha dëshminë e tij, duke këmbëngulur sikurse ka deklaruar edhe para policisë së Tiranës se nuk i njihte personat që e kërcënuan për t’u tërhequr nga gara.

“Nuk i fiksova fytyrat e tre personave që më urdhëruan të hipja në makinën e tyre, njëri prej atyre, ai që ishte në sediljen e pasme, më kërkoi të tërhiqesha nga gara e mandej me urdhëroi të zbrisja nga makina”.

Ky është qëndrimi i profesor Mynyr Konit, i cili i ka lënë pa përgjigjje prokuorët nëse ndonjëri prej personave që e kishte kanosur ishte apo jo Emiljano Shullazi. Profesor Koni, thanë burime për Top Channel, është përgjigjur ‘nuk e mbaj mend pasi u tremba’.

Prokuroria pyeti gjithashtu edhe ish-rektorin Dhori Kule, që është personi të cilit Koni i kishte treguar për kërcënimin. Gjithashtu, ish-rektori u pyet edhe për kërcënimin e kryer ndaj tij pranë një hoteli në Tiranë.

Por edhe Kule, thanë burimet, ka deklaruar se nuk mbante mend kush e kërcënoi pasi nuk i kishte identifikuar dot autorët. “Më ndaluan tre djem dhe më thanë ‘mos e mbështet Konin në garë’. Unë nuk bëra kallëzim sepse nuk njoha asnjërin prej tyre”, ka rrëfyer profesor Kule.

Prokruroia pritet të thërrasë edhe dy biznesmenë që sipas SHISH u është vendosur gjobë nga Shullazi. Ndërkohë që ende nuk e ka gjetur adresën e njeriut kyç në këtë dosje, shtetasit Jani Zaka, dëshmitarit që ka treguar konfliktet për një parking në Tiranë. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button