Manipulim dhe propagandë duke trilluar armiq

Njëra nga mënyrat e manipulimit mediatik është trillimi i armikut që dëshiron ta dëmtojë shtetin.

Shkruan: prof. dr. Mirjana Najçevska, еksperte për të drejtat e njeriut

Меdia mund të gabojë në informimin e publikut. Mund të fitojë informata të gabuara ose jo të plota. Мund të bëjë interpretim të gabuar të të dhënave me të cilat disponon. Mund të lëshojë ndonjë informacion relevant dhe para publikut të ofrojë fotografi tjetër nga ajo që është në realitet. Kjo ndodh dhe është pjesë normale e punës.

Ajo që nuk guxon të ndodhë është fshehja e të dhënave thelbësore, potencimi i njëanshëm i të dhënave, shtrembërimi i qëllimshëm i fakteve, prezantimi i perceptimeve dhe i qëndrimeve si fakte, falsifikimi dhe manipulimi i dokumenteve, fabrikimi i të dhënave dhe i mendimit publik. Secila nga këto metoda e bën raportimin mediatik joadekuat dhe të njëanshëm.

Përdorimi i shumicës së metodave të lartëpërmendura (madje edhe i të gjitha metodave) në një periudhë më të gjatë kohore, e shndërron raportimin mediatik në propagandë, që mund të ketë për qëllim vetëm manipulimin e qëllimshëm të qytetarëve. Sasia e madhe e dezinformatave, të dhënave të shtrembëruara e madje edhe gënjeshtrat e hapura, e dezavuojnë raportimin mediatikë, e gjithnjë e më shpesh edhe e tejkalojnë vijën e kuqe të shkeljes së ligjit, me aktet e nxitjes së urrejtjes, dhe, edhe më tepër, me nxitjen e qytetarëve që të ndërmarrin veprime që janë në kundërshtim me Kushtetutën, me vlerat themelore kushtetuese, në kundërshtim me korpusin e vlerave mbi të cilin bazohet shteti demokratik dhe mbi të cilin bazohet koncepti i të drejtave dhe lirive të njeriut që është pranuar nga Republika e Maqedonisë.

Njëra nga mënyrat e manipulimit mediatik është trillimi i armikut që dëshiron ta dëmtojë shtetin.

Për shembull, në tekstin me titull “Manifest për Maqedoninë: Nuk do të lejojmë që Maqedonia të poshtërohet”, në “medien republika”, janë transmetuar katër pika nga manifesti që u lexua në tubimin e LQMM-së. Për shkak se nuk është bërë asnjë analizë e përmbajtjes së manifestit, e as që janë parashtruar pyetje në lidhje me manifestin, media i bën me dije publikut se qëndron prapa atij manifesti, gjegjësisht, e njofton publikun se ka “skenare të zeza” që i përgatit dikush, se shteti duhet të mbrohet prej dikujt (“do ta mbrojmë vendin tonë me arsye dhe guxim”), se dikush është kundër asaj që në vend të ketë zgjedhje dhe se dikush nuk mendon se “zgjedhjet janë thelbi i demokracisë, pa zgjedhje nuk ka demokraci”, se dikush përdor dhunë ndaj policisë së Maqedonisë dhe për këtë arsye kërkohet “ndërprerja urgjente e çdo forme të dhunës mbi policinë maqedonase”, se huliganët e shkatërrojnë pronën e Maqedonisë dhe si dikush dëshiron ta përçajë popullin.

Për shkak se nuk është theksuar asnjë fakt për atë se cilat janë ato skenare të errëta, nga çka duhet të mbrohet vendi, kush është ai që ka thënë se nuk duhet të ketë zgjedhje në vend dhe mbi çfarë baze thuhet se ka sulme ndaj policisë dhe cili është ai shkatërrim i pronës popullore, media, në fakt, thjesht e përcjell porosinë propaganduese të një grupi të njerëzve, gjegjësisht bëhet vegël propaganduese.

Mënyrë e dytë e manipulimit mediatik është krijimi i psikologjisë së linçit te publiku. Меdia nuk informon, nuk raporton, por nxit armiqësi.

Për shembull, në shumë medie u paraqitën tituj si:

Nxitja e armiqësisë nuk ndalet vetëm te titulli (“Huliganët e LSDM-së refuzuan të paraqiten në bisedë informative në polici”), por vazhdon edhe në përmbajtjen e artikullit. Меdia në atë mënyrë i shtrembëron faktet që krijon një mbushje emocionale të orientuar ndaj individëve të caktuar, e cila shumë lehtë mund të shndërrohet në sulm të vërtetë mbi këta njerëz. Mungesa e përgjegjësisë elementare për atë shkruhet, për terminologjinë që përdoret, dhe mungesa e konfirmimit elementar të pohimeve të bëra (huliganë që janë përfaqësues të një partie politike, e cila ka degë të saja, të cilët janë majtisë radikalë, dhe të cilat financohen nga fondacione që janë regjistruar në mënyrë ligjore, të cilët nuk i përgjigjen thirrjes për bisedë informative dhe me këtë shprehin mosrespektim të shtetit), krijon një kakafoni të plotë me një rezultat të vetëm – krijimin e mbushjes negative emocionale ndaj njerëzve të caktuar, të cilët janë ose mund të percpetohen si pjesëtarë të grupit të përmendur.

Një manipulim i ngjashëm (edhe pse shumë më i rrezikshëm për nga pasojat që mund t’i ketë) është artikulli me titull “Тortura e PSP-së shkak për vetëvrasje”, ku në vend që të kërkohen përgjigje nga organet kompetente, të mblidhen fakte dhe të gjuhen kundërshtimet e raporteve zyrtare, gazetari ndërton një storje e cila nuk bazohet në asnjë dëshmi, mirëpo qartazi ka për qëllim të shkaktojë mbushje negative emocionale ndaj Prokurorisë speciale publike.

Mënyrë e tretë e manipulimit është mospërfshirja e elementeve të rëndësishme që ndërlidhen me ndonjë ngjarje ose situatë, gjegjësisht aktivitet të caktuar.

Për shembull, ka një sërë mediesh (“Veçer”, “Netpress”, “Kurir”, TV “Sitel”, TV “Kanal 5, “Dnevnik”, …) të cilat në periudhën prej fillimit të demonstratave në Shkup (e pastaj edhe në qytete të tjera të Maqedonisë), në asnjë moment lexuesve, gjegjësisht shikuesve të tyre nuk u ofruan informatë adekuate (të plotë) për kërkesat që janë parashtruar nga ata që protestojnë, gjegjësisht për qëllimin për të cilin organizohen demonstratat. Në këto medie nuk flitet për kërkesat (a janë të arsyeshme ose të paarsyeshme, adekuate ose joadekuate), nuk analizohen e as që problematizohen ato, por thjesht anashkalohen, njësoj sikurse edhe mbështetja që u është dhënë nga shumë shoqata konkrete të qytetarëve që janë bashkuar në platformën “Qytetarët për Maqedoninë”. Në rastin më të mirë, në një pjesë të këtyre medieve ndahet një hapësirë shumë më e madhe për prezantimin e kërkesave të parashtruara nga një strukturë e demonstrantëve (mbështetës të pushtetit), kundrejt atyre të strukturës tjetër (kundërshtarë të pushtetit aktual).

Liria e informimit nënkupton gazetari të përgjegjshme, e cila jo vetëm që i respekton vlerat themelore mbi të cilat ndërtohet shteti bashkëkohor demokratik dhe të drejtat dhe liritë themelore të njerëzve, por edhe i kundërvihet çdokujt që i sulmon ato vlera. Prezantimi dhe analiza e kërkesave që ndërlidhen me praktikimin e të drejtës së pushtetit, me përgjegjësinë e pushtetit, me realizimin praktik të demokracisë dhe me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, paraqet indikator për pavarësinë e një medieje dhe tregues për nivelin e objektivitetit të tyre.

Shembuj të paraqitjes së qartë të kërkesave të demonstrantëve:

 

 

Kjo analizë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Analiza është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button