Nerasht, çatia e shkollës rrezikon të shembet

Mbi 200 nxënës të shkollës fillore “Ismail Qemali” të fshatit Nerasht mësojnë nën rrezikun e shembjes mbi kokat e tyre të çatisë së shkollës, e vjetër më shumë se 40 vjet, transmeton Alsat. Tjegullat bien çdo ditë, ndërsa trarët që mbajnë kulmin, janë kalbur tërësisht. Drejtori i shkollës Azir Mustafa, shprehet për Alsat se Ministria ka miratuar që 4 vjet më parë projektin për ndërrimin e çatisë së shkollës, por deri në këto moment asgjë konkrete nuk është bërë. 

 “Kulmi i shkollës fillore në fshatin Nerasht është në gjendje të mjerueshme. Nëse bie ndonjë borë e madhe, kulmi mundë të bjerë. Ne përpiqemi ta rregullojmë kulmin me punëtorë teknik dhe me arsimtarët që vërtetë na kanë ndihmuar, kemi vendosur shtylla ndihmëse që të mos bie kulmi. Ne ia ndërrojmë edhe tjegullat me fshatarët e Nerashtit që prishin shtëpitë. Ato më të mirat i marrim dhe i ndërrojmë por pjesa më e madhe më, është gati në fund. Ministria e Arsimit para tre ose katër vitesh e ka aprovuar që kulmi të ndërrohet po është viti i katërt që presim të na ndërrohet kulmi i shkollës. Po thonë ka shkolla në gjendje më të keqe, ju duhet të prisni një kohë më të mirë”, tha Azir Mustafa.drejtor i Sh.F. “Ismail Qemali”.

Aziri ka paralajmëruar institucionet përgjegjëse se nga pullazi që është në rrënim e sipër mund të ketë edhe ndonjë viktimë dhe se këtë gjë, dikush duhet të ndihet përgjegjës.

 “Përgjegjësia më duket s’është e askujt në këtë shtet. Presim që dikush vërtetë ta kuptoj se punojmë me nxënës, me fëmijë dhe këtu rreth shkollës luajnë fëmijët, lëvizin. Mund të bjerë ndonjë copëz e madhe të ketë ndonjë viktimë dhe askush përgjegjësinë nuk do e merr”, u shpreh Azir Mustafa.drejtor i Sh.F. “Ismail Qemali”.

Ekipi i televizionit Alsat, përmes telefonit kontaktoi edhe Zv/Ministrin e Arsimit Safet Neziri. Ai tha se është në dijeni të këtij problemi, projekti ka kaluar dhe së shpejti pritet të lëshohen fondet që të fillojë edhe puna për rinovimin e pullazit”. Çatia e shkollës”Ismail Qemali në fshatin Nerasht të Tearcës, është ndërtuar në vitin 1970 dhe prej asaj kohe, asnjë ndërhyrje nuk është bërë për rinovimin e shkollës./Alsat M/

Lajme të ngjashme

Back to top button