SHBA ofrohet për shkatërrimin e armëve kimike

Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike, në një njoftim për mediat, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë angazhuar për të ofruar mbështetjen e plotë teknologjike, operacionale dhe financiare, për të neutralizuar armët kimike kryesore të Sirisë, të cilat do të largohen nga vendi në 31 dhjetor.

Operacioni i shkatërrimit të tyre do të kryhet në një anije amerikane në det, nëpërmjet procesit të hidrolizës. Shtetet e Bashkuara kanë përshtatur një anije, e cila u është nënshtruar modifikimeve të ndryshme për të mbështetur operacionet dhe për t’iu nënshtruar verifikimeve nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike.

Kjo e fundit ka bërë të ditur se, përsa i përket shkatërrimit të inventareve të armëve kimike të tjera, (përfshi këtu edhe ato industriale), kanë shprehur interes 35 kompani të ndryshme tregtare, të cilat do t’i nënshtrohen vlerësimit.

Ky numër mund të ndryshojë përgjatë procesit të tenderimit, pasi Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike është në fazën fillestare të përcaktimit të vlefshmërisë së kompanive të përshtatshme.

Kompanitë që do të marrin pjesë, do të duhet të përmbushin të gjitha rregullat kombëtare dhe ndërkombëtare që kanë të bëjnë me sigurinë dhe mjedisin.

Pak kohë më parë, Shqipëria u cilësua si një prej kandidatëve kryesorë dhe më të përshtatshëm për shkatërrimin e armëve kimike, por qytetarët e kundërshtuan me forcë këtë ide duke zhvilluar protesta për ditë me radhë.

Qeveria shqiptare, e gjendur në këtë “udhëkryq”, refuzoi propozimin duke thënë se zhvillimi i këtij procesi në Shqipëri është i pamundur.

Lajme të ngjashme

Back to top button