Në mëshirën e estradës poltike

Jetojmë në një kohë të vështirë, e cila kulturën e ka mbështetur për muri, kur kultura është bërë pronë e estradës politike.

Të rrallë janë njerëzit e pushtetit (e kam fjalën për pushtetarët shqiptarë) që u shkon ndërmend se shoqëria ka nevojë për teatër, për libra, për piktura dhe për muzikë të mirë. Ngado që të kthehesh vlon nga politika e cila ka rënë në nivel të vulgut. Njerëzit i kanë lënë edhe pa atë nevojën fisnike për fjalën e bukur letrare, për të qenë pjesë e botës artistike qoftë si lexues, dëgjues, spektator ose qoftë si krijues i vlerave. Si pasojë nuk ka subvencionim të librit shqip, nuk mbështetet ndonjë projekt më serioz kulturor.

Ai publiku i dikurshëm i Teatrit shqiptar të Shkupit që e mbushte sallën thuajse në çdo shfaqje ka mbetur thellë në zonën e kujtimeve njësoj si vitrinat e librarive të dikurshme të Rilindjes në Shkup dhe në Tetovë ku shumë njerëz “e shuanin etjen” e lexuesit me librin e mirë shqip. Piktorët, shkrimtarët  e krijuesit muzikorë sot duhet të bëjnë punë të tjera për të mbijetuar, për ndryshim nga ajo kohë kur së paku ia dilnin të arnohen me punën që e bënin në fushën e krijimtarisë.

Në kohët kur syri i kujdestarëve të kështjellës së kuqe ishte i gjithpranishëm, kishte botues shqiptarë të cilët nuk i ndalte kush. Këta botues nuk vareshin nga tregu, por i shfrytëzonin mjetet nga buxheti i shtetit e kështu realizonin plane ambicioze të botimeve të librave të autorëve klasikë dhe angazhoheshin mjaft që t’i afirmojë edhe krijuesit vendorë. Dhe, natyrisht e mbi të gjitha, i plotësonin nevojat kulturore të njerëzve. Atëherë kujdestarët dhe rojet e pushtetit nuk ishin të interesuar aq shumë ta masivizojë politikën, sepse nuk fitonin shumë pikë sa merrnin gjetiu, siç ka qenë përgjimi dhe ndjekja e njerëzve nëpër kafene, nëpër ndeja, nëpër redaksi të ndryshme dhe nëpër shkolla.  Në këto mjedise ka qenë ambienti ku janë “krijuar” underground “tregimet” e përgjimtarëve të cilët një fjalë të nxjerrë nga konteksti i fjalisë e ngrinin në një kala shpifjesh e gënjeshtrash.

Mirëpo, shiko çudinë, këto personazhe të tragjikomedisë së madhe policore, që e kalonin jetën duke mbushur dosjet  me akuza të rreme kundër njerëzve të vendosur, nuk i shihje në numër të madh nëpër shfaqjet teatrore. Ata në shfaqje vinin sa për t’u fotografuar dhe shkonin shpesh pa filluar shfaqja. Nuk më kujtohet që këta ta zinin gjysmën e sallës në emër të ndonjë farë protokolli. Këto fytyra nuk i shihje as nëpër librari, nëpër ekspozita.

Këto mjedise kulturore, ku mbretërojnë idetë e bukura dhe vlerat, ishin jashtë sferës së interesimit të personazheve partiake e policore.

Sot në premierat e shfaqjeve teatrore estrada politike e zë gjysmën e sallës.

Sot numri i librarive është krejtësisht i vogël dhe ato mezi e lidhin njërin skaj me tjetrin brenda muajit.

Sot është vështirë të jesh piktor, të jesh poet, por edhe lexues dhe dashamir i arteve.

Fatkeqësisht sot kur duhet të jenë punët krejtësisht ndryshe e për së mbari, estrada e tashme i thellon dhe i “pasuron” metodat e mbrapshta të punës së estradës së atëhershme  politike.

Sot estrada politike e injoron kulturën dhe artistët.

As sot nuk jemi kursyer nga syri i përgjuesve dhe ka droje që të jenë më shumë se dikur.

Dhe krijuesit letrarë, piktorët, skulptorët, krijuesit muzikorë (me përjashtim të estradës), sot kanë mbetur në mëshirën e pamëshirën e pasigurisë, të tregut dhe  të kësaj estrade politike, e cila i mjafton vetvetes dhe as që e ka ndërmend që të kërkojë zgjidhje për gjallërimin e kulturës, duke subvencionuar krijimin e vlerave artistike.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button