E ‘ringjallin’ Enver Hoxhën

Enver Hoxha është “rikthyer” në Varrezat e Dëshmorëve, vetëm pak metër larg krerëve më të lartë të shtetit, pas shumë viteve mungesë.

Dje, gjatë homazheve për 29 Nëntorin, një foto e udhëheqësit të Partisë Komuniste dhe më pas liderit komunist të Shqipërisë, ka qenë pas Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama. Në të njëjtin rresht me ta është ndodhur edhe një zyrtar i Partisë Demokratike, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo.


Ceremonia
E organizuar nga Protokolli i Shtetit, ceremonia e homazheve është shoqëruar me vendosjen e kurorave pranë monumentit Nënë Shqipëri. Ndonëse ka vendosur i pari kurorën në nderim të dëshmorëve dhe 69- vjetorit të çlirimit të vendit, Kreu i Shtetit, Bujar Nishani, ka publikuar vetëm dy foto zyrtare nga ky aktivitet. Në këto foto është bërë kujdes që të mos shfaqet fotoja e Enver Hoxhës. Gjithashtu, në albumin e fotove zyrtare të kryeparlamentarit nuk shfaqet portreti i udhëheqësit komunist, ndërsa Ilir Meta është shprehur se, “29 nëntori është një ditë në të cilën përkujtohen sakrificat e të rënëve për liri, por njëkohësisht motivon për një angazhim më të madh për një Shqipëri sa më të begatë dhe plotësisht europiane”.

Ndërkohë, kryeministri Rama ka patur një qasje krejt tjetër për aktivitetin. Në faqen zyrtare janë publikuar të pacensuara fotot e krerëve më të lartë të shtetit dhe foto e Enver Hoxhës pas tyre, ndërsa zyra e shtypit e kryeministrit njoftoi se, Rama “u përshëndet ngrohtësisht me veteranë, anëtarë të ish-Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe familjarë të të rënëve, me kushtimin: “Lavdi përjetë, heronjve dhe dëshmorëve të atdheut!”.

Debati për Enver Hoxhën
Qëndrimi mbi figurën e Enver Hoxhës dhe rolin e tij gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ka ndezur gjithnjë debate të ashpra politike. Forcat e majta politike dhe politikanë të tyre kanë mbrojtur linjën e një ndarje në kohë në gjykimin e figurës së Hoxhës, duke veçuar rolin e tij gjatë luftës.
Ndërkohë, demokratët nuk kanë nguruar ta trajtojnë Enver Hoxhën si një Hitler të shqiptarëve, duke mos njohur edhe 29 nëntorin si festë të çlirimit të Shqipërisë. Prej vitit 1992, data e çlirimit të vendit është ndryshuar dhe rikthyer disa herë, derisa në vitin 2005, qeveria “Berisha”
vendosi të prekë vetëm Ceremonialin e Shtetit. Data 29 Nëntor mbeti Dita e Çlirimit, por festimi i saj u bë i bashkuar me Festën e Pavarësisë më 28 Nëntor./Tirana Observer

Lajme të ngjashme

Back to top button