Rënie e re e Maqedonisë në indeksin e lirisë së medieve

Pas rënies drastike në vendin e 123-të në vitin 2014 dhe përparimit të vitit të kaluar në vendin e 117-të, këtë vit vendi ynë përsëri shënon rënie në indeksin e lirisë së medieve, të cilin e përgatisin “Raportuesit pa kufinj”

Shkruan: Аleksandar PESHEV

Маqedonia u gjet në vendin e 118-të në botë për nga liria e medieve, sipas rangimit të ri të organizatës ndërkombëtare “Raportuesit pa kufinj”. Vendi shënon rënie prej një pozite në Indeksin e lirisë së medieve për vitin 2016 në krahasim me vitin e kaluar. Shpifja u hoq nga Kodi penal në vitin 2012, mirëpo akuzat janë zëvendësuar me  procese gjyqësore civile që krijojnë mundësi për dënime të rënda me para dhe me burg për gazetarët dhe pronarët e medieve, thuhet në pjesën e raportit për Maqedoninë.

PIKË E KUQE E BALLKANIT

Мaqedonia edhe këtë vit u gjet në fund të Ballkanit sipas indeksit për lirinë e medieve. Nga vendet fqinje para nesh janë Kosova në vendin e 90-të, Greqia në vendin e 89-të, Shqipëria në vendin e 82-të dhe Serbia në vendin e 59-të në këtë rang listë. Pas vendit tonë në Evropë janë të ranguara vetëm Rusia, Bellorusia dhe Turqia, ndërsa para nesh, në kontinentin evropian, përveç të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë edhe Ukraina në vendin e 107-të dhe Moldavia në vendin e 76-të.

Së paku 580 padi për shpifje janë ngritur që nga fundi i vitit 2014, disa dhjetëra prej tyre kundër gazetarëve, theksojnë Raportuesit pa kufinj.

Si rezultat i kësaj, më shumë se gjysma e gazetarëve të Maqedonisë thonë se vetëcensurohen, sipas anketës së Sindikatit të gazetarëve dhe punëtorëve mediatikë.

Rënien më drastike vendi ynë e shënoi në vitin 2014 kur u rangua në vendin e 123-të, ndërsa vitin e kaluar shënoi përparim duke u ranguar në vendin e 117-të, mirëpo këtë vit përsëri shënoi rënie prej një vendi.

Raportuesit pa kufinj gjatë vitit të kaluar reaguan ndaj kërcënimit ndaj dy gazetarëve dhe е dënuan ndjekjen e paligjshme të komunikimeve të punëtorëve mediatikë në kuadër të skandalit me përgjimin ilegal. Drejtori ekzekutiv i kësaj organizate ndërkombëtare deklaroi se spiunimi i gazetarëve është “sulm i madh ndaj lirive mediatike që paraqet kërcënim për çdo aspekt të sundimit të së drejtës”.

DËSHTIMI I DYTË PËR NJË MUAJ

Rënia e indeksit është kritika e dytë për gjendjen me mediet në Maqedoni që u publikua muajin e kaluar, pasi Stejt Departmenti amerikan në raportin më të ri për të drejtat e njeriut, që ka të bëjë me vitin 2015, theksonte se një numër shumë i vogël i zërave mediatikë aktivisht kanë shprehur mendime të ndryshme pa restriksione eksplicite.

Raportimi mediatik mbeti i ndarë sipas vijave etnike dhe politike, ndërsa mediet kryesore (mainstream) rrallë herë e kritikuan qeverinë, konstaton Stejt Departmenti.

Përndryshe, në indeksin e “Raportuesve pa kufinj” rangohen 180 vende sipas lirisë së medieve. Rezultat më të mirë në rang listën që e përpilon kjo organizatë joqeveritare me seli në Paris, ka Finlanda, para Holandës, Norvegjisë, Danimarkës dhe Zelandës së Re. Më keq të ranguara këtë vit janë Siria, Turkmenistani, Kina, Koreja Veriore dhe Eritrea e cila gjendet në fund të listës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button