Rezultatet preliminare: Partia e Vuçiqit merr 56 përqind të votave
3750 kandidatë, nga 20 subjekte garuese i matën forcat në zgjedhjet parlamentare të jashtëzakonshme të Serbisë, për 250 ulëset në Kuvendin shtetëror të Beogradit të cilat në një formë të veçantë u zhvilluan edhe në Kosovë.
Pos zgjedhjeve parlamentare në të njejtën ditë janë mbajtur dhe zgjedhje lokale, transmeton Klan Kosova.
Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci në Serbi (CeSID) ka dalë me një rezultat preliminar të këtyre zgjedhjeve.
Partia Progresive Serbe e Aleksander Vuçiqit ka fituar rreth 56.2 për qind të votave.
Në vend të dytë ka dalë Partia Socialiste e Serbisë e Ivica Daçiqit dhe aleatët e saj brenda koalicionit të formuar për zgjedhje, me 10.9 për qind apo 34 vende, sipas projeksioneve të para.
E treta renditet Partia Radikale e Vojisllav Sheshelit, i cili së fundi është shfajësuar nga akuzat për krime lufte nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë – radikalët kanë marrë 7.3 për qind të votave, apo 22 vende.
Në ora 20:00 janë mbyllur vendvotimet në Serbi ashtu siç edhe ishte parashikuar, ndërsa pjesmarrja në zgjedhjet serbe ka qenë më shumë se 53 përqind.
Zgjedhjet e Serbisë janë mbajtur në 90 qendra të votimit edhe në Kosovë në vendbanimet me pjestarë të nacionalitetit serb.