Konflikti sirian, Obama përjashton sërish dërgimin e trupave në terren

Presidenti amerikan Barack Obama e ka përjashtuar për të disatën herë mundësinë e dërgimit të trupave tokësorë në Siri, teksa ka shtuar se përpjekjet ushtarake nuk mund t’i zgjidhin të vetme problemet e vendit të Lindjes së Mesme, transmeton Top Channel.

“Do të ishte një gabim për Shtetet e Bashkuara apo Britaninë e Madhe që të dërgonin trupa dhe të rrëzonin regjimin e Bashar al-Assadit”, ka thënë ai për “BBC”-në, duke shtuar se i ashtuquajturi Shtet Islamik nuk mund të mposhtet përgjatë 9 muajve të fundit që i kanë mbetur atij në postin e Presidentit të SHBA-ve. Megjithatë “ne mund t’ua tkurrim gjithnjë e më tepër territorin në të cilin operojnë ata”.

Obama, i cili është gjendur në Britani për një vizitë treditore, tha se Siria ndodhet në një “situatë që ta copëton zemrën, por edhe shumë komplekse”. “Nuk mendoj se ekziston ndonjë zgjidhje e lehtë për ta. Por, në mënyrë që ne të mund të zgjidhim problemet afatgjata në Siri, ndërhyrja ushtarake si e vetme, e për më tepër që ne të dërgojmë trupa në terren, nuk përbëjnë një zgjidhje ideale”.

Obama tha se koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara do të vazhdojë “të godasë objektivat e ISIS-it, përfshi Raqqanë, si dhe do të përpiqet t’i izolojë territoret e kontrolluara prej tyre. Ashtu sikurse do të pengojë edhe ato vende që përpiqen të dërgojnë luftëtarë të huaj drejt Europës”.

Gjithsesi, presidenti amerikan shton se komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë të aplikojë metoda presioni ndaj të gjitha palëve, përfshi Rusinë, Iranin dhe grupet e moderuara të opozitës, “për t’u ulur në tryezën e bisedimeve dhe për të siguruar tranzicion politik”. Edhe pse e pranon se “kjo është e vështirë”.

Obama kritikoi ato vende, parlamentarët e të cilëve nuk kanë miratuar veprimet në Siri, por që kërkojnë ende “që Shtetet e Bashkuara të bëjnë diçka për atë vend”. Sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë, Siria është vetëm një prej çështjeve të “natyrës ndërkombëtare”, ndaj dhe kërkon “përgjigje ndërkombëtare”. Por, pa bashkëpunim mes të gjithëve dhe aleanca, “ne do të ishim shumë herë më të dobët dhe nuk do të mund t’i zgjidhnim këto probleme”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button