Akuzohet për shkatërrim prone, si mbrohet Zajmina Vasjari

Mediat shkruan pak ditë më parë se këngëtarja Zaimina Vasjari është nën hetim nga Policia, pas denoncimit që i është bërë nga një notere 39-­vjeçare nga Tirana, e cila pretendon se i ka dëmtuar studion ligjore. Burimet nga Policia njoftuan se është dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës dosja me materialet hetimore ndaj Zajmina Ago Vasjarit, banuese në Tiranë, me arsim të lartë. Sipas njoftimit të Policisë, gjatë natës, në bulevardin “Gjergj Fishta”, në ambientin e marrë me qira, rrjedhjet e ujit kanë dëmtuar studion ligjore në pronësi të Suela P., banuese në Tiranë”.

Në deklaratën e Policisë lidhur me procedimin penal, thuhet se më datë 19.04.2016 filloi procedimi penal në ngarkim të shtetases Z.V. E pyetur rreth kësaj çështjeje, vetë këngëtarja u shpreh se: ”Nuk kam qenë në ambientin tonë të biznesit kur ka ndodhur, por nga presioni i ujit janë çarë disa tuba, gjë që ende nuk e di me saktësi si, pasi nuk jemi në Tiranë dhe ende s’e kam parë. Babai ka qenë në ambient, dhe ka parë që ka rrjedhur uji një kat më poshtë. Di të them që tek ambienti ynë nuk ka pasur dëme dhe as tek ambienti i zonjës poshtë nesh. Vetëm pjesa e tavanit, për dëmtimin e të cilit i kemi çuar punëtorët që ta rregullojnë. Megjithatë, mund të them se nuk ishte faji i askujt, pasi janë gjëra që mund t’u ndodhin të gjithëve”,- tha ajo. Procedimi ka filluar, pasi më datë 19.04.2016, rreth orës 08:00 është konstatuar se në ambientin e marrë me qira nga shtetasja S.P., që shërben si studio ligjore, në adresën bulevardi “Gjergj Fishta”, nga apartamenti i shtetases Z.V., ka shpërthyer uji duke dëmtuar studion ligjore, që ndodhet në katin e poshtëm.

U kryen të gjitha veprimet e para hetimore dhe materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “shkatërrim i pronës” e parashikuar nga neni 150 i Kodit Penal në ngarkim të së dyshuarës Z.V. Aktualisht, artistja ndodhet jashtë vendit për koncerte, ndërkohë që ka njoftuar fansat se po përgatitet për hapjen e një biznesi të ri në Tiranë, detajet e të cilit i ka lënë ende enigmë. Panorama

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button