Ku i harxhon paratë “Posta e Maqedonisë” ?

Drejtorët shqiptarë në Maqedoni e kanë pikë të dobët transparencën, sidomos atë financiare. Nëse për Fondin Shëndetësor dhe Fondin Pensional kemi informuar për mungesë të raporteve financiare për një periudhë të caktuar, Postat e Maqedonisë, të udhëhequra nga drejtori Rafiz Aliti, nuk ka publikuar asnjë raport financiar për shpenzimet e drejtorisë në ueb faqen e saj zyrtare

I kontaktuar nga Portalb, drejtori Aliti nuk deshi të prononcohet për këtë temë, dhe na rekomandoi që të drejtohemi në sektorin për marrëdhënie me publikun.

Nga Sektori për marrëdhënie me publikun thonë se për publikim ose jo të raporteve në ueb faqen zyrtare vendos Këshilli Drejtues i Postave, por nuk precizoi nëse kjo çështje është shtruar fare në seancë të Këshillit apo jo.  Në tentim për tu arsyetuar, zëdhënësja e postave potenconte se edhe institucionet e tjera nuk publikojnë raportet.

“Këshilli drejtues merr vendim se çka do të vendoset e çka jo. Deri tash askund në asnjë ëeb faqe nuk janë të pulbikuara financat,apo?Në asnjë nuk është,apo? Kjo është vendim i këshillit drejtues. Ata do duhet të bien vendim për këtë. Duhet të më tregoj edhe drejtori se çfarë mendimi ka për këtë”, thonë nga Sektori për marrëdhënie me publikun.

Postat e Maqedonisë viteve të fundit janë përcjellur nga disa skandale. Më 15 janar të këtij viti është djegur objekti i Postës qendrore në Shkup, me ç’rast sipas njoftimeve të udhëheqësisë së postës janë djegur rreth 3.300 euro.  

Më pas, më 26 korrik të këtij viti u grabit posta në Çair dhe u vodhën rreth 200 mijë euro. Disa të punësuar në Postat e Maqedonisë u dënuan me burg, disa me kusht e disa vazhdojnë paraburgimin lidhur me këtë rast. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button