Sigal Prishtina mbron titullin e kampionit të Ligës Ballkanike në basketboll

Skuadra më e trofeshme e basketbollit kosovar e të gjitha kohërave, Sigal Prishtina, ka mbrojtur titullin e kampionit të Ligës Ballkanike – BIBL, raporton Anadolu Agency (AA).

Përkundër disfatës së pësuar të Tivar të Malit të Zi nga skuadra Mornar, me rezultat 75:68, Sigal Prishtina ka fituar titullin e kampiones së Ligën Ballkanike për edicionin 2016, pasi që në ndeshjen e parë të zhvilluar në Prishtinë kishte triumfuar me 14 pikë dallim (82:68) dhe kështu bëhet vetëm skuadra e dytë në histori të BIBL që e fiton titullin e kampionit dy herë me radhë, pas skuadrës izraelite Hapoel Gilboa Galil, që kishte triumfuar në edicionet 2011/12 dhe 2012/13.

Ndeshja e dytë finale e edicionit BIBL 2016 u zhvillua mbrëmë në Tivar, para 1500 shikuesve që krijuan atmosferë të nxehtë dhe në momente të tensionuar, ku nuk u kursyen as fyerjet e rënda në adresë të skuadrës bardh e kaltër nga Prishtina.

Ishte kjo një ndeshje dramatike dhe finale e madhe finale sepse skuadra e Mornarit arriti epërsi prej 13 pikëve dhe ishte në prag ta përmbys disavantahzin nga ndeshja e parë, por skuadra mysafire nga Prishtina u përgjigj në fund, për ta ruajtur avantazhin prej +14 dhe fitoi Kupën e dytë radhazi të Ligës Ballkanike në Basketboll.

Ishte treshja e Damjanoviqit në fillim të periudhës së katërt ajo e cila e ngriti epërsin e vendasve të Mornarit në 60:47, duke i dhënë shpresë malazezëve, mirëpo Sigal Prishtina reagoi me një seri të shpejtë prej 7:0 për ta ndalur hovin e vendasve, të cilët në fund, përkundër fitores me 7 pikë epërsi, nuk arritën t’ia mohojnë prishtinasve trofeun e dytë rresht.

Lojtarët më të mirë tek Sigal Prishtina ishin Jason Washburn me double-double fantastik prej 24 pikëve dhe 11 kërcimeve, kurse Dardan Berisha shtoi 15 pikë dhe 5 kërcime.

Urimet e para ekipit prishtinas i erdhën nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes rrjetit social facebook.

“Bardhekaltrit e Prishtinës arritën të mbrojnë titullin e kampionit në Ligën Ballkanike të basketbollit. Jam i bindur se po vijnë ditë më të mira për sportin e Kosovës. Urime KB Sigal Prishtinës dhe Plisave!”, shkruan Presidenti Thaçi.

Po ashtu ishte i menjëhershëm edhe reagimi i Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Kujtim Shalës i cili me një letër publike uroi ekipin e Sigal Prishtinës për suksesin e arritur.

“Ngadhënjimi i Sigal Prishtinës shënon një rekord të ri në BIBL ligë, ngase dy herë radhazi arrin të kurorëzohet me titullin e kampionit në dy vite të njëpasnjëshme. Kjo fitore është edhe një ridëshmim për cilësinë dhe traditën që ka basketbolli në Kosovë, dhe përbën edhe një hap historik të basketbollit dhe sportit kosovar”, tha ministri Shala në letrën e tij publike.

Ai shtoi se e ka përcjellur me entuziazëm ndeshjen dhe e ka mirëpritur suksesin e basketbollistëve të Sigal Prishtinës, që sipas tij, e kanë avancuar edhe më shumë sportin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

BIBLKampioneLiga Ballkanike ne BasketbollSig

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button