fbpx

Ja çfarë kërkon Zaev që të merr pjesë në takimin e Vjenës (VIDEO)

“Nikolla Gruevski, Gjorge Ivanov, Trajko Veljanovski dhe i tërë pushteti e kanë varrosur Marrëveshjen e Përzhinos, për këtë arsye LSDM, nuk mund të kthehet në tavolinën e bisedimeve sikur asgjë të mos kishte ndodhur”, tha lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, në lidhje me takimin e liderëve në Vjenë për krizën politike në Maqedoni, që është i iniciuar nga eurodeputetët Ivo Vajgël, Eduard Kukan, Riçard Hovit dhe eurokomesari Johanes Han, njofton Portalb.

Zaev ka shtuar se pa u plotësuar dy parakushte, LSDM nuk do të merr pjesë në takimin e Vjenës, që pritet të mbahet të premten.

“E respektojmë iniciativën e eurodeputetëve për takim në Vjenë, megjithatë ne nuk do të marrim pjesë  në këtë takim pa u plotësuar dy parakushte: presidenti Gjorge Ivanov, ta tërheqë vendimin për faljen e politikanëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre që janë nën hetim si dhe kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski të thirr seancë në të cilën do të anulohet vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 5 qershor sepse ende nuk janë plotësuar kushtet sipas Marrëveshjes së Përzhinos”, tha Zaev.

Në lidhje me protestat e vazhdueshme të sektorit civil, Zaev ka thënë që, ai dhe partia e tij, janë në po të njëjtën linjë me protestuesit dhe i përkrahin protestat e tilla, transmeton Portalb.

“Maqedonia është në këmbë , dhe të gjithë qytetarët bashkë e kanë ngritur zërin në emër të demokracisë. I ndajmë të gjitha pakënaqësitë me qytetarët, të cilët ka disa ditë që protestojnë kundër këtij regjimi. S’duhet të ketë dhunë, protestat duhet të jenë në mënyrë paqësore dhe dinjitoze, ne do t’i përkrahim vazhdimisht të njëjtat”, shtoi Zaev.

Zaev gjithashtu tha se partia e tij, vazhdon luftën për zgjedhje të lira, kredibile dhe demokratike, si dhe ka bërë thirrje që institucionet në vend ta përkrahin Prokurorinë Speciale. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button